Koha për të reaguar

0
67

Nga Enton Palushi

Antoni Daniels, një vëzhgues anglez i zgjedhjeve të vitit 1996 në Shqipëri, botoi së fundmi një shkrim duke rikujtuar përvojën e tij gjatë zgjedhjeve në Shqipëri. Qëllimi i tij ishte që të tregonte se presioni shoqëror është një forcë për mirë. Daniels kujton se po ndiqte një protestë të opozitës shqiptare kur u qëllua nga policia. Më pas e rrasën në një furgon të mbushur me njerëz dhe përfundoi në qelitë e një komisariati. Daniels thotë se ka akoma në kujtesë klithmat e njerëzve që torturoheshin nga policia.

Në qeli i kishte rastisur pranë një intelektual shqiptar, që dinte mirë anglisht, me të cilin komunikoi. “I thashë atij, kujton Daniels, që t’u thoshte të arrestuarve që të mos bërtisnin kur i qëllonin, sepse kjo do i nxiste ata të qëllonin më shumë”. Dhe teoria e Daniels funksionoi për shkak se të arrestuarit nuk po ankoheshin më. “U treguan flegmatikë si ne anglezët, që nuk ankohemi,” thotë Daniels. “Megjithatë bëhet fjalë për anglezët e dikurshëm, jo të sotmit që janë qaramanë”, përfundon rrëfimin Daniels.

E gjithë kjo më erdhi ndërmend pasi pashë se si e kishin interpretuar deklaratën e zotit Ngjela, mediat pranë qeverisë. Ai tha se njerëzit do të rezistonin ndaj padrejtësive. Sipas medieve qeveritare, kjo do të thoshte dhunë ndaj shtetit.

Duke u rikthyer sërish tek puna e anglezëve qaramanë, duhet theksuar një tendencë e medieve të printuara në Angli për të nxitur shpirtin e reagimit tek njerëzit e thjeshtë. Është brilante fabula e një studimi anglez për milingonat. Studimi gjeti se milingonat në Angli nuk reagojnë ndaj mbretëreshës së tyre, janë punëtore të bindura, ndryshe nga milingonat në kontinent, si p.sh në Francë a në Spanjë, që rebelohen, që vrasin mbretëreshën, që e përzgjedhin atë, që kujdesen për mbarëvajtjen e kolonisë. “Milingonat tona na kanë kopjuar, janë bërë apatike si ne”, shkruan Daily Mail.

Nuk e dimë se si janë bërë milingonat shqiptare, por dimë me siguri që jetojmë në një shoqëri apatike, që nuk para reagon ndaj gjërave. Kjo mazhorancë ka kontribuar me sa mundet për të krijuar këtë klimë.

Së pari ka humbur rëndësinë e votës përderisa ka bërë koalicion me një armik të përbetuar. Blerja e deputetëve është një tjetër fenomen që i shërben kësaj klime në vend.

Së dyti, e gjithë fryma e të bërit politikë të kësaj mazhorance mbështetet në parimin se të gjithë janë të korruptuar, se korrupsioni ndodhet gjithandej. Është e çuditshme si nuk ka mundur mrekullia ekonomike të bëhet qendër e propagandës së kësaj qeverie.

Ndaj, çdo lëvizje si ajo e Dukatit, për të kërkuar një të drejtë themelore si ajo e pronës, është në rrugën e duhur. Për këtë mediat duhet të jetë nxitëse e ndoshta të gëzohen, siç gëzohen mediat në Angli kur shohin që studentët po protestojnë.

“Deutsche Welle” boton një koment, që thotë se studimet e Transparency International për korrupsionin në vendet nordike, nuk janë dhe aq të sakta. Sipas DW, në këto vende të vogla janë shumë të zhvilluara kontaktet personale: ish-krerët e atëhershëm të politikës dhe të ekonomisë njiheshin prej vitesh, i jepnin njëri-tjetrit postet më të rëndësishme, kështu që kontrolli dhe mbikëqyrja u shfuqizuan vetvetiu.

Ndaj, shkruan DW, erdhi dhe kolapsi në Islandë. Transparency International nuk i tregon të gjitha fytyrat e korrupsionit, shkruan DW.

Qoftë edhe për këtë arsye, për shkak se rrezikojmë të biem në këtë kurth, ku tre kryeministra të këtij vendi janë në një krah, ku zyrtarë e ish- zyrtarë bëjnë pazare së bashku, ku kontaktet personale janë kaq të dendura, ku disa kompani të mëdha, si ato të telefonisë celulare, janë të paprekshme, rrezikojmë të biem edhe më keq në apati.

Ndaj është koha për të reaguar. Për të mos pasur as fatin e Greqisë të korruptuar zhurmshëm, e as fatin e Islandës, të korruptuar “pastër” e pa zhurmë.