Koha për negociata konkrete

0
32

Afrim Krasniqi

Nga: AFRIM KRASNIQI

Rreth tre jave me pare, Keshilli i Europes miratoi rezoluten mbi krizen politike ne Shqiperi. Rezoluta ndryshoi teresisht axhendën politike të partive kryesore, të institucionit të kryetarit të shtetit dhe të debatit publik në vend. Më 13 shkurt, drejtuesit e dy partive të mëdha bënë prezent qëndrimet e tyre në tryezën e Presidentit, më 16 shkurt këto qëndrime u ripërsëritën në takime të veçuara me Presidentin. Pas pak ditësh pritet raundi i tretë i bisedimeve.

Duke gjykuar formën pa përmbajtje, ky zhvillim i ri është duartrokitur shumë nga politika dhe media, vetë partitë e mëdha dhe institucioni ndërmjetësues. Duke gjykuar përmbajtjen e bisedimeve, ende nuk ka asgjë për të duartrokitur dhe ky fakt u pranua dje dhe nga “pala e katërt”, drejtuesi i zyrës së BE-së në Tiranë. Sepse, bisedimeve dhe takimeve të deritanishme u mungon një element thelbësor, negocimi konkret. Deri tani kemi pasur paradë protokollare e mediatike, bisedime kortezie dhe politike, por jo negociata, dhe as përpjekje për zhvillimin e tyre. Bisedimet janë të rëndësishme, por në një krizë politike ato janë gjysmake nëse nuk shndërrohen në negociata konkrete, në formula konkrete debati dhe zgjidhjeje.

Elementi i dytë jo prezent në tryezë është opinioni i aktorëve politike të përmendur në rezolutën e KE-së. Sistemi politik në Shqipëri nuk është dypartiak, dhe se dy partitë nuk përfaqësojnë tërësinë e elektoratit apo prurjeve politike. Në zgjedhjet e fundit parlamentare u votua vetëm nga gjysma e shqiptarëve me të drejtë vote, dhe dy partitë e mëdha fituan 78-80% të votave të gjysmës së zgjedhësve, pra rreth 40-45% të votave të të gjithë zgjedhësve shqiptarë. Jashtë vullnetit të tyre janë një numër i partive të tjera parlamentare ose joparlamentare, të cilat u ndëshkuan për shkak të sistemit zgjedhor që aplikuan dy partitë e mëdha. Dy palët kanë të drejta morale në qëndrimet e tyre, por dy palët duhet të kenë parasysh se edhe pala e tretë, shoqëria, pjesa civile, jopolitike etj, që përbën shumicën e qytetarëve të këtij vendi, ka gjithashtu të drejtë të kërkojnë zgjidhje të krizës politike. Jashtë procesit kompleks të bisedimeve janë edhe e gjithë pjesa civile e shoqërisë, e cila nuk ka mundësi për t’u shprehur, edhe pse është e prekur direkt dhe paguan çmimin më të lartë politik, qytetar dhe ekonomik për krizën politike ku ndodhet vendi për shkak të sjelljes apo mossjelljes së dy partive të mëdha.

Parimisht, sa më e zgjeruar të ishte rrethi i këshillimit dhe negocimit, aq më shumë gjenden aktorë politikë e civilë që pranojnë arsyen jomilitante dhe zgjedhjen afatgjatë në vend të interesit partiak të momentit. Pra, tryeza është bipartizane, shumë e kufizuar, dhe me hapësira minimale për kompromis. Zgjidhja kërkohet nga palët që kanë shkarkuar krizën, nga palët që kanë iniciuar, drejtuar, realizuar dhe kalkuluar të gjithë procesin ligjor e administrativ të zgjedhjeve, nga palë që kërkojnë zgjidhje nga Presidenti të cilit i cenuan apriori integritetin kushtetues më 2008, pra nga pale, të cilat, për nga veprimi, përgjegjësia dhe sjellja politike, në thelb dallojnë nga njëra-tjetra vetëm nga fakti se njëra është në maxhorancë e tjera në opozitë.

Kriza aktuale politike është shumë më serioze sesa paraqitet nga kamerat televizive dhe deklarimet pompoze të aktorëve kryesorë politikë. Ajo është një krizë e thellë mosbesimi, mungese të theksuar vullneti politik për zgjidhje, përpjekjeje për rrënimin politik dhe dorëzimin pa kushte të tjetrit edhe pse diferencat e tyre në vota janë minimale. Është krizë politike e sistemit dypartiak në parlament, në qeverisje, në KQZ, në komisionet e votimit, në komisionet e numërimit, në kontrollin e medias, në hartimin dhe shkeljen e Kodit Zgjedhor dhe së fundi, në leximin antikushtetues të sistemit qeverisës, si një sistem të balancuar apo të ndarë politikisht midis dy partive politike.

Mënyra sesi aktorët politikë po veprojnë (njëra palë refuzuese dhe eksploruese për mandate deputetësh dhe procedura ekstra ligjore që përçajnë kundërshtarin politik dhe pala tjetër mosbesuese dhe e gatshme të dalë në sheshe ku vendin e politikës e zë forca), duket qartë se asnjëra nuk është e ndërgjegjshme për pasojat e krizës, jo për vetë ato, por për sistemin politik, shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Dje BE e qartësoi parakushtin thelbësor politik për demokraci funksionale përpara se të ofrohet ftesa për anëtarësim në BE. Ai sqaroi edhe pasojat nëse ky kusht nuk plotësohet.

Por mesazhi vazhdon të bie në vesh të shurdhër, sepse palët, sipas traditës shqiptare, as nuk e imagjinojnë që për shkak të interesave madhore kombëtare të integrimit, të rishikojë pozicionin e saj ndaj krizës politike. Asnjëra palë nuk ka shenja se është e gatshme të bëjë një hap pas, duke mos treguar as respektin minimal për konceptin e politikës si art i kompromiseve pozitive. Palët duket se kanë shkuar tek Presidenti jo për të ofruar zgjidhje, por për fitore maksimale, pa kushte, pa negocime, pa marrë parasysh interesat dhe kërkesat e palës tjetër. Në rrugë pa krye bisedimet mund të mos ofrojnë zgjidhje dhe në rrethana të tilla, kriza politike rrezikon të shndërrohet në krizë të institucioneve, të sistemit politik dhe të demokracisë.

A ka receta të gatshme për zgjidhje? Natyrisht që jo. A ka përvoja dhe modele që zbatohen në raste të tilla? Natyrisht që po. Një hap i parë mund të jetë mesazhi pozitiv ndaj tryezës. Dy palët duhet të japin një sinjal, qoftë edhe formal lëshimi. Për shembull, maxhoranca të realizojë kërkesat për KKRT, KD TVSH, etj, kurse opozita të konfirmojë nominalisht praninë e deputetëve të saj në delegacionet parlamentare ndërkombëtare. Ose në forma të tjera, dy palët të deklarojnë publikisht heqje dorë nga kushtet e panegociueshme dhe se parimisht mbështesin opsionet e mundshme që mund të vijnë nga negociatori (presidenti) dhe pala dëshmitare (faktori ndërkombëtar përmes presidentit).

Gjithsesi, është e qartë se tani është koha që palët të kenë në tryezë një draft konkret teknik dhe politik të kompromisit, një draft mbi të cilin të negociohet. Ky draft mund të vijë nga zyra presidenciale, nga ekspertë të ftuar nga institucionet e huaja asistuese, nga një tryezë publike me ekspertë shqiptarë apo nga një mori OJF që veprojnë prej vitesh në fushën e zgjedhjeve dhe institucioneve demokratike. Sa më shumë opsione konkrete mbi tavolinë, aq më shumë rritet transparenca e procesit te negociatave, dhe ngushtohet hapësira e liderëve politikë për ta keqpërdorur tryezën e presidentit në interes të politikës së ditës, avragimit të krizës politike sipas postulatit: “kundërshtarët politikë i dua për ti mundur”. Pra, është koha që diplomatët e huaj në Tiranë të mos zhvillojnë më takime formale në Presidencë, por pas shpalljes së draftit, të investohen në selitë e partive për t’u bërë të qartë palëve rëndësinë për kompromis.

Është koha që më 22 shkurt, misioni i KE-së të ketë në dorë një draft mbi të cilin të ushtrohet presion pozitiv politik dhe që në mars parlamenti të mos hyjë në rrugën pa krye të zëvendësimit të opozitës apo kalimit të politikës në protestat e rrugës, por një normalitet demokratik dhe axhendë konkrete reformash. Shqiptarët votuan me 28 qershor balancën politike, ku asnjëra palë nuk mund të sillet tërësisht fituese dhe njëherësh, as tërësisht humbëse. Ky duhet të jetë thelbi i kompromisit politik në krizën aktuale, një kompromis që mbron shtetin jo partitë, mbron frymën kushtetuese jo interesat partiake, mbron dialogun jo konfliktin, mbron votuesit e thjeshtë, jo komisionerët manipulues, pra mbron dhe promovon afrimin e palëve drejt zgjidhjes, jo pushimin e përkohshëm drejt një krize të re dhe më të madhe politike.

(GSH/BalkanWeb)