Kodi Zgjedhor, Komisioni i Venecias e OSBE, gati rekomandimet: Në Shqipëri s`ka njerëz të papolitizuar

0
66

Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-it ofrojnë një projekt vlerësimi dhe rekomandimesh për reformën zgjedhore në Shqipëri. Komisioni i Venecias, pas mbylljes së procesit të zgjedhjeve vendore të 8 majit dhe polemikave të ashpra që shkaktoi veçanërisht gara për kryebashkiakun e Tiranës, është angazhuar në ndihmesën e vendit tonë për të përmirësuar Kodin Zgjedhor dhe për ta përafruar atë me standardet e BE-së.

Rezultati i punës së 2 ekspertëve të Komisionit të Venecias si dhe një eksperti të ODIHR-it, është një projekt me rekomandime për qeverinë shqiptare. Në projektin e publikuar nga Zëri i Amerikës, vëmendje e veçantë i kushtohet aspekteve që lidhen me zgjedhjet vendore të cilat në Kodin aktual sipas ekspertëve të huaj “ishin lënë pas dore”.

Ekspertët japin sugjerime për ndryshime dhe përmirësime në shumë prej neneve, ndërsa në mënyrë të përmbledhur propozimet e tyre kanë të bëjnë me “..rregulla që të garantojnë emërimin e shpejtë të anëtarëve të komisioneve zgjedhore”, në rastet kur ata zëvendësohen, një praktikë e përdorur shpesh nga partitë, apo “rregulla që të ndalojnë heqjen e tyre pa një arsyetim të qëndrueshëm”, sikundër nuk konsiderohet normale që në momentin e shortit për anëtarët e kolegjit zgjedhor një gjykatës mund të refuzohet pa motivacion.

Në lidhje me numërimin e votave projekti propozon “ndryshime dhe qartësime në procedura” duke kërkuar “përcaktim të qartë se si do të veprohet me votat e hedhura në kutinë e gabuar e po ashtu edhe pasqyrimi i tyre në tabelat e rezultateve”. Po ashtu, sugjerohet që “të specifikohet qartësisht se si duhet të veprohet në rastet kur votat dhe kutitë me materiale merren në dorëzim si të rregullta e pastaj dalin me problem serioze”.

“Sfida kryesore mbetet largimi nga përbërja aktuale e komisioneve zgjedhore të bazuar në ekuilibrin mes dy partive kryesore, drejt një administrate zgjedhore, ku të jenë përfshirë edhe elementë jo politik dhe të paanshëm. Ky ndryshim është i domosdoshëm nëse kërkohet të ulet polarizimi dhe konfliktet në administratën zgjedhore”, thuhet në projekt.

Duke ju referuar Kodit të Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore, theksohet se “aty ku nuk ka një traditë të gjatë pavarësie të autoriteteve të administratës nga pushteti politik, komisionet në të gjithë nivelet duhet të jenë të pavarura dhe të paanshme. Megjithëse nuk ka një formulë të vetme të këshillueshme për përbërjen e organit më të lartë të administrimit të zgjedhjeve, paanësia e anëtarëve të tij në ushtrimin e funksioneve të tyre, është e një rëndësie themelore dhe një kusht i domosdoshëm për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Pavarësisht se si është strukturuar administrata zgjedhore, është e rëndësishme që jo vetëm të funksionojë në mënyrë të paanshme, por edhe të perceptohet nga publiku se po e bën një gjë të tillë”.

“Duhet njohur se në mjedisin aktual politik në Shqipëri, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të identifikohen individë apo ente që konsiderohen të paanshme, të cilave mund t`u besohet detyra për të emëruar anëtarë të paanshëm të KQZ”, shprehen specialistët duke shtuar se “kjo megjithatë nuk duhet t`i pengojë autoritetet që të kërkojnë ta shohin si një mundësi për ta trajtuar”.

Në dokumentin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it saktësohet se një peshë të madhe ka vullneti i forcave politike për të zbatuar ligjet. “Nuk është e sigurt se problemet e përsëritura në zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri mund të zgjidhen vetëm me ndryshime në legjislacionin zgjedhor.

Eksperienca e fundit me zgjedhjet vendore në Shqipëri, tregoi se edhe një legjislacion zgjedhor gjithpërfshirës dhe i detajuar, nuk garanton zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje të plotë me angazhimet e OSBE-së dhe Këshillit te Evropës dhe standarteve të tjera ndërkombëtare, në mungesë të vullnetit të mirë mes aktorëve kyç për të zbatuar ligjin në mënyrë të paanshme dhe të ndershme.

Kjo – shtojnë ekspertët — i detyrohet në veçanti, një mjedisi të karakterizuar nga polarizimi i rënduar dhe mungesa e besimit mes dy partive kryesore politike. Ndryshimi i sjelljes dhe praktikave nga grupimet kryesore dhe udhëheqësit e tyre është për pasojë i një rëndësie thelbësore, sikundër dhe paanësia e administratës elektorale”, theksohet në projekt Opinion.

Duke ju referuar diferencës shumë të vogël të votave në garën për Bashkinë e Tiranës saktësohet se “çdo detaj kthehet potencialisht vendimtar dhe detyra e administratës zgjedhore, që të veprojë në mënyrë të paanshme, është jetike”.