Nga Mero Baze
Kryeministri, Sali Berisha, i zënë ngushtë nga rritja e presionit ndërkombëtar për përdorimin e imunitetit si arsye për të mbyllur gjyqin e ministrit të tij, Fatmir Mediu, po përpiqet të ndryshojë temën e debatit, duke rikthyer historinë hipokrite të iniciativës ligjore për heqjen e imunitetit. Debatin rreth imunitetit dhe shqetësimin në rritje të qeverisë amerikane, britanike dhe Bashkimit Evropian nuk e ka rritur qëndrimi në sirtarët e zotit Berisha i një paçavureje që provokon mos-heqjen e imunitetit të deputetëve, por fakti që Sali Berisha futi nën presion Gjykatën e Lartë dhe kërcënoi me dosjet e vjetra të së shkuarës gjyqtarë të keqpërdorur nga regjimi komunist, për të pushuar çështjen e njeriut që mban peng Familjen në pushtet.
Alarmi u ngrit, kur Fatmir Mediu provoi se diti të shesë shtrenjtë heshtjen e tij për implikimin e djalit të Sali Berishës në lobimin e kontratës së vdekjes në Gërdec. Alarmi u ngrit, kur Gjykata e Lartë u tregua “më e zellshme” se avokatët e zotit Mediu për ta pushuar këtë çështje duke konsideruar imunitetin e diskutueshëm të zotit Mediu si një arsye të mjaftueshme për t’u mbyllur hetimi i linjës politike që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit.
I zënë ngushtë pikërisht nga fakti se alarmin për imunitetin e ka sjellë keqpërdorimi i tij dhe jo ekzistenca e tij formale, Sali Berisha po përpiqet ta zhvendosë debatin te mënyra se si do ta heqë ai imunitetin, nëse e kërkon prokuroria.
Në të vërtetë ai s’ka nevojë të lodhet kaq shumë. Ai thjesht nuk duhet të kishte terrorizuar Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, të cilat bënë të dështojnë përmes procedurës dhe imunitetit tri çështje që kanë të bëjnë direkt me Sali Berishën dhe dy fëmijët e tij, çështjen Basha, çështjen Fazlliç dhe çështjen e Gërdecit. Një bilanc i tillë i hidhur i drejtësisë na kthen në një republikë, ku sundimi i ligjit e ka humbur kuptimin.
Mënyra se si do të hiqet në të ardhmen imuniteti dhe mënyra se si e përdori Sali Berisha imunitetin e Fatmir Mediut për t’i pushuar atij çështjen penale, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Sali Berisha “meqë do të veprojë në mënyrë të njëanshme” e ka pasur në dorë që në mënyrë të njëanshme të mos i bënte presion grupit të gjyqtarëve të çështjes Mediu me dosjet e së shkuarës dhe së sotmes për ta pushuar çështjen. Por, dhe nëse kjo na ha kohë ta verifikojmë, Sali Berisha e ka pasur tërësisht në dorë që këtë person në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar të mos e bënte ministër dhe të mos i dilte në mbrojtje pa u gjykuar sikur të ishte avokati i tij personal. Kjo tregon se, jo ligji i imunitetit, por ligji mafioz i Kodit të Heshtjes ka diktuar pushimin e çështjes së Fatmir Mediut dhe mbrojtjen e tij prej Sali Berishës.
Imuniteti i vetëm që ka sot Fatmir Mediu është Kodi mafioz i Heshtjes për djalin e kryeministrit. Ai po shpërblehet prej kryeministrit pikërisht për këtë. Në këtë prizëm Fatmir Mediu mund të konsiderohet me fat, që ka kapur peng djalin e kryeministrit, se pikërisht për këtë shkak, për të cilin çdo ministër apo zyrtar do kishte shkuar në burg, ai pikërisht për këtë shkak po bën karrierë politike dhe u rizgjodh ministër në kabinetin e Berishës duke pushuar çështjen gjyqësore përmes imunitetit të tij. Pikërisht kjo tablo mafioze e shtetit ligjor në Shqipëri, kjo histori e pastër e kapjes së shtetit prej mafies së armëve dhe drogës, pikërisht ky inkriminim që po kthehet në imunitet për bashkëpunëtorët më të afërt të Sali Berishës, është ajo që ka ngjallur alarmin e Perëndimit për krijimin e atij që Progres-Raporti i Bashkimit Evropian e konsideronte “model i pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë”.
Ky është alarmi që përcjell dhe fjala e ambasadorit amerikan, Withers, fjalimi i qartë dhe i ashpër i ambasadores britanike në Shqipëri dje në Tiranë, dhe shqetësimi i përsëritur i Bashkimit Evropian. Askush nuk është alarmuar se si do të formulohet ligji për heqjen e imunitetit, kur do miratohet dhe a do jetë opozita në Kuvend, kur të miratohet, pasi ai është ligj që kalon me shumicë të thjeshtë. Shqetësimi ka ardhur, sepse Sali Berisha po përdor si kriter të vetëm për karrierë politike në PD inkriminimin. Mjafton t’i hedhësh një sy kabinetit për të kuptuar se çfarë duhet të bësh sot për të qenë ministër i Berishës.
Lista e ministrave është e mbushur me histori dështakësh që kanë tentuar të rrëzojnë nga pushteti Sali Berishën në vite dhe në fund i kanë ofruar atij kokën në tepsi, dhe “ai” i ka falur, me kusht që të heshtin. Lista e ministrave është e mbushur me njerëz që kanë vendosur të mos kenë turp dhe të mbrojnë hapur bizneset e djalit, vajzës apo sekserit të familjes së tyre, i cili po sillet sërish nëpër Tiranë tanimë për të futur hundët dhe në tenderët e NATO-s për qeverinë shqiptare. Lista e kabinetit është mbi të gjitha e identifikuar me precedentin e shpërblimit të të inkriminuarve, siç është Fatmir Mediu dhe Lulzim Basha, të cilët janë aty, pse heshtin për atë që kanë bërë bashkë me “babanë” e Familjes dhe fëmijët e tij.