Koço Kokëdhima, i intervistuar nga Shekulli, shpjegon pse flitet greqisht në Himarë

0
44

Koço Kokëdhima, botuesi dhe K-redaktori i Shekulli , 10 mars 2013

Koço Kokëdhima, botuesi dhe Kryeredaktori i Shekullit, vjen sot me një intervistë, po te Shekulli, të titulluar “Projekti 200 vjeçar grek për aneksimin e Himarës”, ku flet për historinë e Himarës. Duket se e ka lënë për një çast politikën, për t’u marrë me histori. Ndër të tjera, në lidhje me “grekët” e Himarës, thotë:

“Në Qeparo nuk është folur kurrë greqisht, por tani, pas një emigracioni të gjatë shumica e të rinjve të sotëm nuk dinë më shqip! Sigurisht që kjo nuk mjafton për të thënë se këta janë grekë. Dhërmiu e Himara kanë gra të moshuara e plaka që nuk dinë shqip, por të vdekurit i qajnë në shqip dhe dasmat i këndojnë po ashtu në shqip, fjalët e urta i dinë e i tregojnë në shqip. (…) Në 1630-n misionarët bazilianë hapën shkollën e parë shqipe në Dhërmi për të trajnuar priftërinjtë. Me kohë e nën presionin turk, Himara e brendshme ku bënin pjesë Labëria, Kurveleshi, Lumi i Vlorës e Dukati u bë myslimane dhe u nda nga Himara e bregdetit, që mbeti e krishterë. Pas kësaj, sa herë Turqia ndërmerrte fushata ushtarake për ndëshkimin e himarjotëve, Himara e Dhërmiu nuk i çonin më fëmijët dhe pleqtë e plakat në thellësitë e Kurveleshit por në Gjirit e në Korfuz ku banonin grekë e sundonin venecianët e ku qëndronin me muaj e me vite.

Prandaj himarjotët flasin greqisht si gjiritlinjtë e dhërminjasit si korfiotët. Himara dhe Suli ishin dy krahina autonome që luftuan gjithë jetën me Turqinë dhe nuk e njihnin as Greqinë e as Shqipërinë e humbur. Himara që nuk i paguante taksa Turqisë dhe nuk dërgonte nizamë jetoi e izoluar dhe në distancë nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Këtë distancë e shfrytëzoi Greqia si të përshtatshme të punonte për ta aneksuar Himarën, ndërkohë që Sulin e greqizoi gradualisht. Shkollat në fshatrat ortodokse gjatë shekullit të 19-të u financuan nga fondet e Zhabës dhe shumë bamirës të tjerë që bënë para dhe i lanë pasuritë e tyre në bankat greke. Në këto shkolla mësohej greqisht. Qeveritë greke financuan sillogun vorio-epirot që merrej “me çlirimin” e Vorio-Epirit.

Ato mbollën shumë strategji e ide për ta larguar Himarën nga Shqipëria e për ta bashkuar me Greqinë: një strategji ishte të bënte vend ideja ndër himarjotë se s’jemi as grekë e as shqiptarë; një tjetër e paraqiste Himarën si “krahinën më të lavdishme e më heroike greke” dhe shërbente si bazë për të përligjur privilegjimin e himarjotëve në përgjithësi dhe sidomos të njerëzve që kanë punuar për politikën e grekëzimit dhe aneksimit të Himarës në veçanti. Minoritarët grekë që jetojnë në Shqipëri nuk kanë gëzuar privilegje të veçanta në Greqi, siç kanë gëzuar himarjotët, të cilët nga ana tjetër kanë jetuar të lënë mënjanë e pa kujdes nga qeveritë e Shqipërisë në shumë periudha. Në këto rrethana politike e historike u përdor greqishtja nga shqiptarët e dy-tri fshatrave të Himarës bregdetare.”

k.c.

i plotë:
http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=18318&kat=100