Prof. Dr. Ago Nezha
Të gjithë shqiptarët e ndershëm janë ndier keq, duke përjetuar spektaklin më të shëmtuar parlamentar, me batutat më banale, që rrallë e ndesh edhe në rrugaçërinë më të përdalë të llumit të shoqërisë perverse. Fjalorin e Kryeministrit Berisha do ta përjashtonin edhe në kuplarane me të “ndershme” për imoralitet. Egërsia e Sali Berishës në Parlament, të kujton ujkun e plagosur, që është duke ngordhur, e përpëlitet në borë e acar, që kërkon të kafshojë një njeri që ka humbur fuqitë fizike nga uria.
Me sa duket janë përpëlitjet e fundit, të një qeverie që po jep frymë. Është lufta për jetë a vdekje, që e përjetojnë me dhimbje autokratët. Pasurinë e fjalorit të pistë që u përdor në Parlament, do ta kishin zili edhe gratë e liga që shajnë, fyejnë, e shpifin, për partnerët e tyre monstra. Po të rendisim fjalët e ndyra të Kryeministrit, do të përdhosim shkrimin dhe do ndotim shijet e lexuesit. Ato janë pronë e autorit, të gjenisë së gjirizeve.
Por ato u duartrokitën nga mazhoranca dhe kryeparlamentarja Topalli, që kakariste shpeshherë, në “furrikun” e saj demokratik. Një rrugaçëri e ngritur në sistem. Nuk është kjo fytyra, e as morali i të djathtës shqiptare. E keqja është se në mazhorancen e sotme, me agresivitetin që tregon Kryeministri, bën që të tjerët të heshtin, të tulaten, apo të bëhen papagaj të fjalës refren, të përsëritur me dhjetëra herë nga goja e tij, si shirit manjetofoni. Aty shan, aty lëvdon, është kthyer në gramafon, mjerë ky popull që e dëgjon, si e mban si e duron, s’ka një mik që e këshillon.
Ai të keqen e sheh si të mirë dhe të mirën si të keqe dhe ata që rrinë afër tij, i thonë lepe e peqe. Prezantimi në Parlament, tregon se është në gjendje halucinante. Është i pushtuar nga deliri i madhështisë, që e çon t’i thotë të zezës të bardhë. Metën që e ka sharë dje për korrupsion, sot që e ka partner në qeveri, e mitizon si të e virgjër. Shpirti i tij pervers, për urrejtjen ndaj kundërshtarit politik, e bën që të humbasë kontrollin logjik dhe të ulërijë pa u ndalur në refrenin: zhvishuni, zhvishuni si kryetari juaj. Ç’moral i mbetet shoqërisë shqiptare, kur një lider, kreu i shtetit, shan me libër shtëpie, partnerin e tij kryesor politik të opozitës.
Ajo që e bën me të trishtueshme situatën, është heshtja e parlamentarëve të mazhorancës. U mblodh grupi parlamentar dhe s’pati as një refleksion për atë situatë komiko-tragjike. Opinioni shoqëror nuk e kuptoi çfarë mbledhje ishte, mbledhje e grupit, apo mbledhje e turpit. Akuzat ndaj Ramës, ishin sa të shëmtuara aq dhe groteske. Debati, kundërshtitë, arsyetimet ndryshe, janë të domosdoshme në një demokraci politike, funksionale. Por të akuzosh si pinjoll të bllokut, fëmijët e tu, kur ti vetë ke qenë shërbëtor i bllokmenëve, kjo tregon se jeton me nostalgjinë e parajsës së humbur.
Përsëritja e kësaj akuze, duke e kthyer në sistem, flet për paranojën e komunistit antikomunist, të pandreqshëm. Korrupsioni në qeverisje nuk është një risi në këto njëzetë vjet nën demokraci. Baticat dhe zbaticat e korrupsionit, janë të njohura dhe me autorësi të shprehur. Por situata e prezantuar nga “Fiks Fare” ishte tepër tronditëse në kushtet e sotme. Detyra e Kryeministrit nuk është ta marrë në mbrojtje, por ta denoncojë e dënojë sipas shkallës së përgjegjësisë së autorëve, sipas përkatësisë.
Ajo që na trishton dhe befason, është të bërit palë në këtë aferë korruptive, duke marrë rolin e avokat-mbrojtësit të Metës. Ky mision i pandershmërisë, e verboi deri në atë shkallë sa që nuk quan fajtor autorin, por denoncuesit e kësaj vepre të dënueshme. Ai duhet ta falënderonte emisionin “Fiks Fare”, se i bëri një shërbim të madh jo vetëm qeverisë “Berisha”, por gjithë shoqërisë shqiptare, se ky virus, ka prekur dhe është i rrezikshëm edhe për kabinetet që do vijojnë më pas. Është për t’u përgëzuar Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, për deklaratën në përkrahje të emisionit “Fiks Fare”.
Kryeministri i vendit, duhet të përdorte filozofinë e inkurajimit të eksploruesve të korrupsionit dhe jo të shantazhit e bojkotimit të tyre. Pozicioni i tij duhet të ishte kritik, analizues dhe me përgjegjshmëri personale. Kryeministri nxitoi të mbushë vendet bosh me ministra, si të ishte qeveria një kosh me fiq. Kjo nuk është e vështirë, kur ke një qeveri që s’ka hierarki vlerash, por mision aferash. Meta, që i mat vlerat me muskujt e trupit dhe jo me muskujt e mendjes, i gjeti rrufe pasardhësit e tij siamezë.
Këto inskenime, të kujtojnë vargjet brilante të Nolit të madh: “Hall i madh për Skrapallinë, ka rrezik të hash dhe dru, dy ministra le të rrinë, se na duhen dhe pa tru”. Me këto arnime të qeverisë, acari i të ftohtit të korrupsionit, jo vetëm që nuk është larguar, por është siguruar edhe për vazhdimësinë e kësaj qeverie, e me gjerë. Në rast se nuk do ndryshoi filozofia qeverisëse, me kritere dhe forma të reja, edhe po të ndërrohen qeveritë me të djathta e të majta, do ndryshojë kremastari, por jo korrupsioni.
Drejtësia, po të qëndrojë në llogoren që është, pa marrë rolin e saj funksional, nuk do të arrije t’i heqë pelenat e korrupsionit dhe çdo qeveri që do lindë, në të dy krahët, do qeverisë me metoda korruptive, sepse e ka provuar që nuk pëson askush penalitete. Ndërsa Kryeministri Berisha, në rast se ai ka miq të vërtetë, ata duhet ta afrojnë, ta vizitojnë, ta kurojnë, ta shërojnë, e ta këshillojnë, sepse kjo është në të mirën e tij, në dobi të Partisë Demokratike, e të gjithë shqiptarëve.







