Mustafa Nano
Unë s’mund të gëzohem tok me ta
Kudo në botën demokratike kryeministrat respektohen. Dhe duhet të respektohen. Nuk ka rëndësi a je, apo jo, dakord me ta; duhet të respektohen po njësoj, pasi respekti ndaj tyre është dëshmi e sensit të shtetit, e respektit për institucionet; përveç kësaj, kryeministrat në shumicën e rasteve janë njerëz që janë votuar drejtëpërdrejtë nga shumica e qytetarëve të vendit të tyre, e në këtë kuptim, respekti për ta buron nga respekti për vendimin që ka marrë një shumicë e caktuar.
Mund të qëllojë që shumica të zgjedhë njeriun e gabuar (kjo ndodh shpesh), por vendimi i saj duhet respektuar, prapëseprapë. Në demokraci nuk ka rrugë tjetër, veçse t’i bindemi shumicës e të respektojmë vendimet që ajo merr. Mund ta përçmojmë shumicën, por nuk mund ta shpërfillim. Nuk është se prej vullnetit të shumicës buron e vërteta; por kjo s’ka rëndësi, pasi s’jemi në lëmin e filozofisë. Prej shumicës buron legjitimiteti i pushteteve e i institucioneve; edhe legjitimiteti i institucionit të kryeministrit; dhe kjo ka rëndësi.
Ç’duhet kuptuar me “respekt për kryeministrin”? Po ja, për figurën e tij në publik duhet folur me tonet e duhura; ai duhet trajtuar me mirësjellje; nuk do ishte e drejtë që në studio televizive, apo në faqe gazetash, apo në sheshe, njerëzit të zgjidhnin gjuhën kundër tij. Nuk jam duke thënë se “duhen marrë masa për ata që nuk dinë e nuk duan ta respektojnë kryeministrin”; secili është i lirë dhe i lejuar të flasë si t’ia ketë ënda; por puna është se nuk është e drejtë.
“Nano paska shkalluar”, mund të jetë duke thënë ndokush. “Po e ha meraku që shumë shqiptarë nuk respektokan Sali Berishën”. Mirëpo, shumëkush e merr me mend, se nuk është ky meraku. Ky nuk është rasti ynë. Madje, sa më sipër i thashë për të nënvizuar bash këtë fakt: ky nuk është rasti ynë. Ne kemi një kryeministër abnormal, një kryeministër jashtë standardit. Dhe kur them këtë, nuk kam parasysh se ky i yni plaçkit vendin me të vetët, vjedh votat, u vërsulet krerëve të institucioneve me një gjuhë vulgare e të paturp, nuk lë fjalë pa thënë në adresë të kundërshtarëve, apo më keq akoma, vret qytetarët. Po i lë mënjanë të gjitha këto, sepse mund të supozohet ose që të gjitha janë sendërgji të mijat, apo të atyre që i besojnë, ose që një pjesë sosh bëhen dhe prej të tjerëve në kampin tjetër.
Po merrem me diçka që ai e ka thënë së fundmi në momente krejt të qeta, kur ai nuk ka qënë nën presion, kur nuk është ndodhur në rrethana që të cysin ta humbasësh pak logjikën. Po sjell në vëmendjen tuaj diçka që ai e ka thënë i relax-uar, në hare e sipër, mes të vetëve, në këshillin kombëtar të partisë demokratike. E ka thënë para ca ditësh, të nesërmen e fitores së kombëtares sonë të futbollit kundër bjellorusëve. Ja çfarë tha fjalë për fjalë: “Unë u gëzova shumë për këtë fitore. E ndoqa me kureshtje të madhe me miq të mi. Emocionet ishin të jashtëzakonshme në minutën e 61-jtë, kur zoti Bode desh fluturoi në tavan, por nuk e kisha mendjen te Bode por tek stadiumi, kur shoh zotin Basha, sa nuk po fluturonte atje në stadium…
Natyrisht në selinë tjetër u fikën dritat se atyre iu duk se ai gol, u bë drejt sloganit të tyre “Fajin e ka Saliu”. Të tilla faje Saliu do ketë të shumta, Saliu është i gatshëm për të tjera fitore, e natyrisht qeveria do t’i shpërblejë, të urojmë dhe sot ata dhjetëra mijëra tifozë që mblidhen nga të katër anët e trojeve shqiptare të veshur me flamur që bëjnë një mbështetje dhe inkurajim të madh për ekipin tonë kombëtar”.
Hë, duhet të ndjehemi ne të detyruar të respektojmë një njeri të sëmurë deri në këtë farë feje? Jo, unë jo. Edhe 99,99% e shqiptarëve sikur të votojnë për të, unë nuk e kam hiç ndërmend ta respektoj një të këtillë, që nuk të vjedh vetëm gjëra që mund të vidhen me ndihmën e tenderave, të vendimeve të qeverisë, të shkeljes e të dhunimit të ligjeve, por të vjedh dhe një gëzim që ti e ke prej ca djemve që luajnë futboll me ngjyrat e kombëtares. Ju që po më lexoni këto radhë, nëse nuk shihni arsye për t’mos e respektuar kryeministrin pas një çaprashitjeje të tillë, jeni të lutur të kujtoni ato gjërat e tjera, të cilat pak më i parë i zero-va për ta bërë kuadrin e analizës më të thjeshtë.
E nëse prapë nuk shihni arsye për t’mos e respektuar, qofshi ju që jeni. Unë vetë e kam bërë zgjedhjen: kryeministrin tim nuk e shoh si kryeministër, si institucion, si përfaqësues të vendit në arenën ndërkombëtare, etj, etj. Unë e shoh thjesht si një të sëmurë. Por jo të sëmurë në kuptim që ka nevojë të kurohet, e që duhet rrethuar me merak e dashuri si të gjithë të sëmurët; jo, e shoh si të sëmurë të rrezikshëm. Shenja më e fundit, dhe më pak problematikja, e sëmundjes ishte kjo tentativë e tij për t’na vjedhur gëzimin për fitoren e kombëtares së futbollit. Madje, më keq akoma, për t’na klasifikuar ne të tjerët tek njerëzit e dëshpëruar prej kësaj fitoreje.