Nga Mero Baze, 30 Prill 2012
Mu kujtua Azem Hajdari. Kur Sali Berisha shkoi në vizitën e tij zyrtare në SHBA në vitin 1995, në mënyrë të çuditshme ai këmbëngulte se do të merrte PD më qafë. Kishte një bindje që vizita do të hidhte në erë pushtetin e PD-së. Por në dukje ishte ndryshe, vizita ishte shumë e suksesshme dhe kur Presidenti Berisha doli nga takimi me Klintonin, foli në Zërin e Amerikës dhe në TVSH dhe veçoi si detaj se ai kishte qëndruar dyfishin e kohës me Presidentin Klinton.
Edhe atëherë nuk tha asgjë konkrete. Tha që SHBA do na ndihmojë për demokracinë dhe integrimin evropian. Njësoj si 17 vjet më pas. Të gjitha këto ishin arsye që ne t’i kujtonim Azemit se ia kishte futur kot. Por Azemi, i cili me sa duket kishte mbushur para Berishës dosjen e tij në Uashington, nuk i ikte idesë së tij fikse se fakti që ka qëndruar dyfishin e kohës, ishte një shenjë edhe më e keqe.
Dje pas kthimit në Shqipëri nga vizita e fundit në SHBA, kryeministri Berisha arriti të veçojë përsëri nga gjithë takimi me zonjën Klinton se ka qëndruar dyfishin e kohës së planifikuar me të. Për shumë vetë kjo duket një mburrje pa lidhje e një njeriu të stresuar nga izolimi, por në fakt për Sali Berishën është një detaj i mbetur në subkoshiencën e tij për vizitat në SHBA. Në subkoshiencën e tij fle takimi me Presidentin Klinton dhe dyfishi i kohës i bisedës me të.
Pas asaj vizite për Berishën filloi tatëpjeta në raportet e tij me SHBA. Në gjysmën e dytë të kohës, siç tregon dhe vetë Berisha më vonë kur u prish me SHBA, brenda kish hyrë Stefanopullosi, këshilltari i presidentit Klinton, biseda kishte devijuar tek të drejtat e grekëve në Shqipëri, tek arrestimi i të pestëve dhe deformimet e demokracisë. Kur u kthye në atdhe, Berisha nuk bëri asgjë nga ato që premtoi aty në dyfishin e kohës, dhe më pas deformimet shkuan deri tek manipulimi i zgjedhjeve dhe tentativa për të destabilizuar Kosovën, e cila derdhi pikën nga gota e pushtetit të tij.
Tashmë Berisha pas kthimit nga SHBA nuk po thotë asgjë konkrete çfarë ka biseduar. Të gjithë thonë se ka folur dhe pranuar një president konsensual, por ai nuk e pranon. Të gjithë thonë dhe pranojnë se ai ka marrë kritika të ashpra mbi kontrollin mbi gjyqësorin në luftën kundër korrupsionit, dhe sidomos mosndëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë, por ai nuk e pranon. Të gjithë thonë se ai ka marrë paralajmërime të qarta për të mos prekur ekspertizën e FBI për 21 Janarin, por ai nuk e pranon. Ai në të vërtetë nuk po thotë asgjë se çfarë ka biseduar konkretisht. Si një njeri i traumatizuar nga një emocion i fortë, qysh kur ka dalë nga zyra e zonjës Klinton, ky po thotë vetëm faktin se ka qëndruar dyfishin e kohës me zonjën Klinton.
Përse vallë?
Nuk besoj se zonja Klinton nuk ka takuar ndonjë burrë më të këndshëm se Sali Berisha, që të hutohej e mos të shikonte orën. Nuk besoj se këshilltarët e saj nuk kanë pasur orë për t’i treguar se shkoi afati. Nuk besoj as që ajo është e ngeshme dhe pret e rri sa të dojë me njerëzit. E vetmja gjë që besohet është se dosja e tij në Departament të Shtetit është shumë e trashë dhe zonjës Klinton i është dashur dyfishi i kohës për të sqaruar pozicionin e SHBA dhe pozicionin e Berishës në krizën shqiptare.
Duket qartë se Berisha nuk do të flasë për asgjë. Për asnjë detaj, për asnjë problem dhe për asnjë sukses apo dështim në këtë vizitë. Ai ngjan si një i dehur i trullosur që i ka ngelur në mendje vetëm koha kur ka hyrë dhe kur ka dalë, e cila është dyfishi i kohës që i kishin premtuar lobistët që e çuan aty. I kujtohet pikërisht se dyfishi i kohës me burrin e zonjës Klinton ka qenë një fatalitet për të.
Pas kthimit nga SHBA, edhe pse ne bënim humor me paranojat e Azemit, ai mori tatëpjetën dhe kaloi gati në konflikt ushtarak me SHBA. Tashmë ai po përpiqet të harrojë çka biseduar, po përpiqet t’i mbajë larg publikut problemet e shumta që i janë dashur zonjës Klinton t’i parashtrojë. Po na thotë vetëm që qëndroi gjatë, shumë gjatë, dyfishin e kohës…. Si me burrin e saj 17 vjet më parë. Le të shpresojmë të mos shohim të njëjtin film pas kësaj. Dosjen e ka po aq të trashë me probleme.







