KLIKAT SUNDUESE JANË GJITHMONË TË DOBËTA

0
52

Mustafa Nano

Mustafa Nano

Zululand
Ishte dokument shumë domethënës ai procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike të PPSH-së, e cila daton në korrik të vitit 1990, disa ditë pas largimit nga Shqipëria të disa mijëra shqiptarëve, që atë mot u emërtuan “shqiptarët e ambasadave”. Me këtë emërtim kanë mbetur dhe sot e kësaj dite. Pushtimi i ambasadave më 2 korrik të atij viti ishte e para ngjarje e madhe pas dekadash të tëra “paqeje e qetësie”, që tronditi fort ndërgjegjen e shqiptarëve. Aty filloi rënia e regjimit totalitar. Pas asaj date ne nuk dinim se si do të zhvillohej fabula, por dinim fundin e fabulës: regjimi do të thyente qafën dhe se asgjë nuk mund ta shpëtonte.

Mund të kemi parë te ky procesverbal matufepsjen fatale të ca pleqve, që këmbëngulnin ta mbyllnin jetën e tyre bash ashtu si e kishin harxhuar, d.m.th. mes fanatizmit vrastar, miopinë e ca të tjerëve, të cilët nuk arrinin të kuptonin asnjë çikë atë që po ndodhte, por gjëja më evidente në këtë dokument është paniku i establishment-it sundues. Pikërisht ata që qëndron në krye të një prej diktaturave më të ashpra që njohu lindja komuniste (mbi këtë përcaktim mund të biem dakord tanimë) e kishin humbur toruan përballë pelegrinazhit të disa qindra qytetarëve të Kavajës te vendi ku vetë diktatura kish vrarë njërin prej tyre.

Dhe bënin pyetje apo afermacione prej njerëzish krejt të trallisur: “Ku janë komunistët e Kavajës?”, “Ku janë komunistët e Tiranës?, “Situata na ka dalë nga kontrolli”, “Armiqtë duan të na e marrin pushtetin” etj., etj. Në një rast ngushëlluan idiotësisht sho-shoqin, me faktin që “populli na do, dhe kjo u pa qartë në entuziazmin e tubimit të Tiranës”, a thua se nuk e dinin që ai entuziazëm ishte i kopsitur prej makinës shtypëse e propagandistike të regjimit të tyre.

Atë mot, të gjithë shqiptarët, edhe ata që pushtuan ambasadat, edhe ata që hiqnin të zitë e ullirit në kampe pune, në internim, apo në burgje, edhe ata që nuk i lejonin vetes kokëçarje politike, edhe ata që ishin njësh me regjimin, mund të mendonin çdo gjë, por jo që regjimi ishte i dobët dhe i pasigurt. E, megjithatë, ja që kështu ishte. Dhe kështu është pothuaj gjithmonë. Shumica e klikave sunduese në botë, edhe ato më mizoret, janë në themel të trembura e të pasigurta. Madje, nuk di pse mendoj që edhe krimet më shumë i bëjnë prej pasigurisë, se sa prej vendosmërisë.

Prapa toneve të ngritura, prapa frazave luftarake, prapa sjelljeve të ashpra, prapa bëmave të zeza, qëndrojnë zakonisht ca dhjaksa ngalakaqë, të cilët bëjnë çmos të duken si të sigurt e të fortë, pikërisht ngaqë janë të pasigurt e të dobët. Kuptohet, derisa vjen ora e një karshillëku popullor, përballë të cilit ata nuk mund të mos bëjnë “gabimin” fatal: t’i tregojnë edhe sho-shoqit se janë të trembur e të dobët. Ky është momenti që shënon fillimin e fundit të tyre.