• Ish kryetari i Komunës Rrethinë, Shkodër, kërkon në Kushtetuese shfuqizimin vendimit të qeverisë për shkarkimin nga detyra. Flet vëllai, Rezarti
Shekulli, 16.12.2012
Pasi ka dalë nga spitali i burgut, ishkryetari i Komunës Rrethinë në Shkodër, Kleves Muja, ka paditur Kryeministrin duke kërkuar rikthimin në detyrë. Ai u arrestua për llogari të drejtësisë italiane, por tashmë e gjitha është sfumuar bashkë me akuzat. I shkarkuar në muajin korrik përmes një vendimi të posaçëm të Këshillit të Ministrave, ish-kreu i komunës Rrethinë, ka kërkuar përmes avokatëve të tij që të shfuqizohet vendimi i qeverisë nr.485, datë 25.07.2012 “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Komunës Rrethina, z. Kleves Muja”.
Kërkesa argumentohet me mosdhënien e një vendimi të formës së prerë nga gjykata që do ta shpallte atë fajtor. Sipas publikimit në faqen e Kryeministrisë, propozimi për shkarkimin nga detyra të kryetari të komunës Rrethina, Kleves Muja është bërë nga ministri i Brendshëm, bazuar në dokumentacionin e Policisë së Shtetit për pjesëmarrje të tij në grupe të organizuara kriminale të drogës në Itali dhe kërkesës që pala shqiptare ka marrë për ekstradimin e tij nga autoritetet e drejtësisë së këtij shteti.
Në janar pritet që të zhvillohet edhe procesi gjyqësor në Kushtetuese ku palët do të shprehin argumentet e tyre për rikthimin ose jo në krye të detyrës të kryekomunarit që vjen nga Partia Socialiste. Për shkak të gjendjes shëndetësore të Kleves Mujës, për “Shekullin”, foli dje vëllai i ish-kryekomunarit, Rrezart Muja. I mirinformuar për çështjen, Muja shpjegon arsyet e padisë në Gjykatë Kushtetuese duke e cilësuar të gjithë këtë ngjarje me nxitje dhe prapavijë politike.
Luis Tanushi