Dita, 18 Shkurt 2013
Kur disa ditë më parë punonjësit e doganës panë listën e konkuruesve për hetues doganorë, kategoria C1, shumë prej tyre mund të kenë vënë buzën në gaz pa folur. Me 99 pikë nga 100 të mundshme (kaq është e vështirë të marrin edhe vetë hartuesit e testeve) renditej Ilirjan Mulgeci. Z.Mulgeci është vëllai i nëndrejtoreshës së Përgjithshme të doganave Arlinda Mulgeci, nga Tropoja. Shpalljet janë ende te dera, z.Mulgeci do jetë tashmë hetues i shkeljeve doganore në doganat e Shqipërisë.
Tashmë e dinë të gjithë. Nepotizmi në dogana po arrin rekorde të padëgjuara më parë. Janë vende “me lekë” – siç njihen në popull dhe tashmë janë mbushur plot, vecanërisht me banorë të Tropojës. Dikur thoshin se treva vendlindje e kryeministrit aktual të vendit qenkësh e “prerë” për polica e shik-sa, tani është zbuluar një tjetër dhunti e zonës: doganierë, madje zyrtarë drejtues. Dhe jo rastësisht shumë nga ata që sot drejtojnë zyrat doganore, janë ish-shiksa të implikuar në vitin e kaosit ‘97 dhe të ikur më pas nga sytë këmbët pas rënies së Berishës. Janë rikthyer dhe i gjen sot në poste kyçe drejtuese, në dogana.
Një burim i DITA-s, i cili dëshiron të ruajë anonimatin, informon se Degët Doganore kryesore të vendit kanë tashmë të gjitha kryetar nga Tropoja. Kryetari i Degës Doganore Tiranë, kryetari i Degës Doganore Kakavijë, kryetari i Degës Doganore Qafë Thanë, kryetari i Degës Doganore Rinas (Bujar Vukaj, Dritan Hysenaj, ish-rapsodi Gjovalin Prognisa etj, sa për të përmendur disa) – janë nga Tropoja.
Tropoja kryeson edhe në poste të tjera doganore. Arlinda Mulgeci nuk është nëndrejtoresha e vetme e doganave nga Tropoja. Jo. Edhe nëndrejtori tjetër Rifat Gjoni është nga e njëjta zonë e vendit. Dhe nuk mbaron me kaq: Drejtori i Drejtorisë së Monitorimit dhe Riskut Ilir Hoxha është gjithashtu nga Tropoja. Zoti Hoxha është vëllai i Artan Hoxhës që drejton aktualisht Gardën e Republikës, pas përfshirjes në hetim dhe gjykim të Ndrea Prendit, vrasës direkt i protestuesve të 21 janarit sipas ekspertizës së FBI-së amerikane.
Në sektorin që drejton z. Hoxha është emëruar shef sektori ende pa mbushur 30 vjeç, Besmir Gazidede, që nuk është askush tjetër veçse djali i Bashkim Gazidedes. Një listë e gjatë e klanit Tropoja vijon sipas hierarkisë nga zyrat doganore poshtë në “terren”, aty ku ngrihen dhe ulen trarët doganorë. Sa janë? Një javë më parë DITA botoi një denoncim në formë leter të hapur për Berishën të një ish-doganieri me emrin Urim Gjata që ka punuar në Kapshticë dhe pasi tentoi të denonconte sistemin, ra vetë viktimë e tij dhe u detyrua të arratisej.
Ndër të tjera ai shkruante: “Ish drejtuesit e sherbimit sekret SHIK te 1997-s, drejtora drejtorie apo drejtora Shik-u neper rrethe, perbejne sot ne drejtori dhe ne pika kufitare 80 perqind te administrates doganore. Takimi i fundit mbas daljes se denoncimit tim ne media ishte pikërisht me z. Bujar Vukaj drejtor i anti-korrupsionit DPD, ish-drejtues i larte i Shik-ut 1997 dhe me nje funksionar ndihmes të Bujar Vukajt nga LSI-ja. Ata ishin me teper te shqetesuar per daljen e emrave në shtyp sesa per kondrabanden”.
Ndoshta 80 përqind sa thotë z. Gjata, ndoshta më shumë apo më pak, por fakt është që e gjithë trupa doganore e vendit e sheh përditë nepotizmin që ka mbuluar këtë pjesë shumë të rëndësishme të administratës shtetërore. “Dhe punët kanë arritur deri aty, sa tashmë në zyrat e shtetit, subjekteve që ankohen u thuhet edhe “nuk më do k… ta zgjidh këtë problemin tënd”. Ky është “shteti” i sotëm.