Sokol Pepushaj, 20 qershor 2011
Kuti, kuti dhe vetëm kuti. Vetem kuti përtypin shqiptarët tash dy vjet e këtej. Bile per kuti, për vota, patën filluar edhe trazirat e pranverës së vitit 1997. Ilir Meta aso kohe, Arben Imami, Skender Gjinushi, Neritan Ceka e shumë të tjerë ishin në ballë të protestave, që sollën shumë të vdekur.
Por është harruar gjithë ajo dreqosje, e cila mbarti gjithë problemet e ashpërrsisë politike, mediatike, të akuzave që më të egrës i zgjat jehona tre ditë, të korrupsionit galopant, të tradhëtisë së votbesimit ku deputetët shesin veten politikisht për pushtet e para dhe ku askush nuk vihet përballë drejtësisë, edhe kur akuzat janë të paprecedent për jetën politike të perëndimorëve.
Kutia pra është bërë pjesë e pandarë të jetës shqipfolëse. As bukë nuk hanë pa kuti, as kafe nuk pinë. Edhe kur takohen në rrugë, gjuha u vete tek kutia. More në fejesa, në ditëlindje, në dasma e morte. Edhe kur ulen në krevat për gjumë, diskutohet për kutinë. Dita e re prapë nis me kuti.
Kryefjala e gjithë zhargonit mediatik shqiptar është kutia. Gazetat, televizionet, agjencitë informative prodhojnë lajm vetëm me kuti. Edhe diplomatët e huaj deri tek Shtëpia e Bardhë, parametrin fizik, politik, ekonomik të kësaj të “lumture” Shqipëri, e matin vetëm me kuti.
Ambasadorin amerikan Alexandër Arvizu, e pamë kur hoqi kollaren, përveshi mëngët dhe u ul para kutisë plot vota në njësinë nr. 5 në Tiranë, ku demokratë e socialistë po ziheshin keq për numërimin e votave për Lul Bashën, a Edi Ramën. Kutia ka ato vota që ka. Po kur numërohen, duket se dalin ndryshe nga ato që ka kutia “magjike”.
Punë shqiptarësh. Për të thënë 2+2=5 është e vetmja rrugë kavaliereske e kësaj politike qesharake me qëndër në bashkinë e Tiranës, por që u spostua në çdo familje shqiptare dhe bëri çuditë që njerëzit të harrojnë rritjen përditë të çmimeve, papunësinë, varfërinë ekstremë, akuzat për vjedehje të disa ministrave që janë nën hetim nga prokuroria, duke e orientuar këtë popull gjithmonë të ndarë përgjysëm në rrugën tradicionale, në rrugën e dashurisë për lidër, në rrugën plot gabime.
Po po, në rrugën e gabimeve.
Kurbën morale për ligje e kuti, për shëmbull Çlirim Gjata, ish kryetar i KQZ-së po e mbron si “virgjëreshën° e demokracisë së globit, duke tjerrë përrala në eter me kodikë zakonor fjalësh edhe kanunore, duke futur gjithnjë në gropë më të thellë shanset për një transparencë vote në bashkinë e Tiranës. Çuditërisht shumë shqiptarë që më shumë kanë përdorur fjalen kuti se sa kanë lexuar fjalë nëpër libra, e duartrokasin.
– Eshtë djali i Çlirim Gjatës ky, e ka gojën bilbil mali, ia futi Edi Ramës…
– Hall i madh se u vollën pak vota, të fitoi Berisha me Lulin, që e kemi si lule mali…
Krejt kështu duartrokitej i ati i tij aty nga vitet ’70, Rrustam Gjata, kur jepte vëndimë me pushkatim për priftërinjtë, po me kode e frazeologji politike si sot. Flitet në Shkodër nga ata që kanë jetuar aso kohe se priftërinjve natën u hapeshin dyert e kishave nga Sigurimi Famëzi i Shtetit dhe u futeshin armë brënda. Të nesermen hapeshin kishat (sjellim në vëmëndje kutitë e Tiranës sot), dhe me “transparencë” i tregohej popullit se çfarë u gjet brenda!
Edhe aso kohe kishte njerëz që duartrokisnin Rrustemin, që luante me kartën e ligjit, e atij ligji të “virgjjër” që pushkatonte meshtarë dhe gjëndjej milet që thoshte:
– Mirë e kanë, kishat (ose kutitë sot), po e shohim me sy ç’kanë.
Siç ka sot asish që duartrokasin Çlirimin kur thotë se kutitë në Tiranë janë të pastra edhe kur dalin më shumë vota se votues, edhe kur vota në një kuti gjëndet me vulë të një qëndre tjetër, se… votat i ka futur populli.
Po tashti që do hapen gjithë kutitë dhe çorba nuk e merr askush me mënd si do serviret ç’farë do zbuloi Çlirim Gjata?
Parë në këndvështrimin jashtë interesave politike, këto ligje të mirëvëndosura në kohë e hapësirë nga “elita” e politikëbërjes, ky kod zgjedhor, ky kolegj, këta aktorë, për orët, ditët, muajt e vitet e kacafytjes banale, ambiciet për pushtet e moskokçarja për shtet, po bind shqiptarët për mungesë qëllimi për integrim në strukturat euro atlentike, por po zgjon edhe zëra emotiv për ngjarje që nuk dihet si do u vejë fati,pavarësisht vëndimit të çuditshëm të Kolegjit Zgjedhor. Se aktorët gjithnjë janë ata që përfitojnë e viktimat gjithnjë shqiptarët e tjeshtë.
Gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor pra, pas presionit edhe të ndërkombëtarëve, në fund të fundit, e shuan pak zemërimin, pasi nuk kishin mundësi të tjera ta mbronin KQZ-ë, duke urdhëruar të hapen gjithë kutitë e votimit për gjithë Tiranën. Eshte kjo hileja e radhës. Urojmë të mos kemi sërish paqartësi me votat tepër a kushedi se çfarë do mendohet si hile.
Po Rama duhet të jetë më i qartë. Sikur sot të deklarohet se kush do vertetohet fajor për këtë ngerç për kutitë, ku kemi dy vjet me parlament të bllokuar e shumë dëme ekonomike që i vuan populli do përfundoi në burg, ndryshe do vinin punët. Madje shpejt.
Populli, administrata, shteti, u bënë lesh arapi për kuti, për këto kuti që figurativisht nuk janë dhe aq ndjellamira që hapen e mbyllen sipas dëshirës.
Megjithatë, le të hapen sa më shumë kuti…
Por, kujdes me … kodet.







