‘Kjo… më duket si e pakuptimtë’

0
23

Ben Andoni, 01.02.2010

Znj. Milva Ekonomi ka kohë që rrugëton mes dy kryeqyteteve shqiptare. Ndërsa, në Prishtinë në kryeqytetin e ri, i ndjek e qetë dhe e patrazuar lajmet duke u fokusuar në përditmërinë e saj kosovare; në Tiranë në kryeqytetin e saj, i duhet të përpiqet shumë që të përjetojë ndryshimet dhe dinamizmin e një qyteti, që prodhon shumë politike dhe debate boshe, që hanë energji. Dhe, statisticienja, nuk mund t’i shpëtojë lehtë kërkesës së gazetarëve. Së fundi, ka qenë në materien e saj, kur është folur për nismën e radhës të qeverisë shqiptare për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnie dhe feje.

Sqarojmë se Regjistrimi është një proces gati i njëkohshëm në të gjithë botën dhe që Organizata e Kombeve të Bashkuara e bën çdo dhjetë vjet në të gjithë rruzullin. OKB-ja i ka dërguar edhe Shqipërisë dy grupimet e saj të pyetësorit që quhen “core”(të qenësishme) dhe “Non core”(jo të qenësishme). Te grupimi i dytë futen pyetjet për fenë edhe kombësinë. Për ta sqaruar më teknikisht, Ish-drejtoresha e Institutit të Statistikave ka folur këtë herë për MAPO duke argumentuar thjesht dhe qartë për disa nga problematikat që kanë nxjerrë opinionistë të ndryshëm. “Regjistrimi 2011, do të jetë regjistrimi i dytë që Shqipëria ndërmerr në erën e ndryshime pluraliste dhe i njëmbëdhjeti që nga formimi i shtetit Shqiptar.

Në regjistrimin e kaluar, të dhënat për kombësinë, fenë dhe gjuhën e nënës, nuk u grumbulluan, për dy grupe arsyesh; e para ishte e vështirë të realizohej grumbullimi i këtij informacioni nga pikëpamja teknike, dhe e dyta zhvillimet në rajon dhe varfëria e vendit e bënin edhe më të vështirë përgjigjen për këtë grup pyetjesh”.

E fokusuar në këtë problem ajo shpjegon teknikisht për publikun edhe se “asnjëherë deri më sot Instituti i Statistikës nuk ka prodhuar informacion sipas karakteristikave etnike; si p.sh. situatë ekonomike e familjeve me përkatësi maqedonase apo greke, apo tjetër.

Ndaj të vendosësh një pyetje të tillë në pyetësorin e regjistrimit- që së pari nuk ka konsensus; së dyti është vështirë të grumbullohet informacion i saktë për të; së treti ekzistojnë burime alternative informacioni; dhe së katërti që dihet se nga çasti që vendoset në pyetësor se nuk do të ketë përdorim të mëtejshëm, duket si diçka e pakuptimtë”.

Në mes të një regjistrimi të munguar të popullsisë dhe regjistrimit të sotëm që kërkon dhe vetë-deklarimin mbi bazën e identitetit etnik dhe fetar, pse ka kaq shumë hapësirë abuzimi?

“Regjistrimet e popullsisë janë operacione shumë të mëdha statistikore, që angazhojnë një masë të madhe punonjësish në njësi kohe të kufizuar, dhe grumbullojnë informacion për çdo individ që jeton për më shumë se 12 muaj në territorin e vendit. Individi deklaron në formë të lirë karakteristikat e tij personale. Për të ndërmarrë një operacion kaq të kushtueshëm dhe kompleks, ata që e kryejnë regjistrimin duhet me doemos të ndërmarrin konsultime publike, që të arrihet qëllimi strategjik për të cilin kryhet regjistrimi. Zakonisht të dhënat e dala nga regjistrimet i kalojnë kufijtë e vendit që e kryen dhe përdoren për qëllime krahasimi. Kjo është arsyeja pse vendet që aderojnë në OKB ndjekin një guidë teknike të kryerjes së regjistrimit, e cila udhëzon dy kategori pyetjesh, të rëndësishme dhe jo të rëndësishme. Pyetjet për etninë, fenë dhe gjuhën e nënës bëjnë pjesë në kategorinë e dytë, pra grumbullimi i këtij informacioni varet nga situata konkrete e çdo vendi. Regjistrimi 2011, do të jetë regjistrimi i dytë që Shqipëria ndërmerr në erën e ndryshime pluraliste dhe i njëmbëdhjeti që nga formimi i shtetit Shqiptar.

Në regjistrimin e kaluar, të dhënat për kombësinë, fenë dhe gjuhën e nënës, nuk u grumbulluan, për dy grupe arsyesh; e para ishte e vështirë të realizohej grumbullimi i këtij informacioni nga pikëpamja teknike, dhe e dyta zhvillimet në rajon dhe varfëria e vendit e bënin edhe më të vështirë përgjigjen për këtë grup pyetjesh.

Të mos harrojmë kur u krye regjistrimi në vitin 2001, ëndrra e shqiptarëve për lëvizjen e lirë ishte po kaq e madhe sa është edhe sot. Edhe varfëria ekonomike e familjeve nuk ishte aspak më e ndryshme nga ajo që rezulton të jetë sot”.

Vetë-deklarimi i identitetit etnik apo fetar është i rrezikuar për shkak të standardit të ulët ekonomik që ka shoqëria shqiptare. Pse i intereson kjo lojë e vështirë qeverisë shqiptare?

“Të them të vërtetën, nuk e kuptoj shumë mirë këtë, sepse për sa kohë kjo karakteristikë përfshihet në regjistrin themeltar të shtetasve, me siguri që ka informacion për numrin e grupeve etnike në Shqipëri. Ky informacion deri më sot nuk është bërë publik, edhe pse pasja e tij është një procedurë e thjeshtë përpunimi i një data-base. Kështu që me dhënien e këtij informacioni, shumë pretendime numerike të përfaqësuesve të minoriteteve në Shqipëri, mund të shuhen.

Nga ana tjetër, asnjëherë deri më sot Instituti i Statistikës nuk ka prodhuar informacion sipas karakteristikave etnike; si p.sh. situatë ekonomike e familjeve me përkatësi maqedonase apo greke, apo tjetër.

Ndaj të vendosësh një pyetje të tillë në pyetësorin e regjistrimit- që së pari nuk ka konsensus; së dyti është vështirë të grumbullohet informacion i saktë për të; së treti ekzistojnë burime alternative informacioni; dhe së katërti që dihet se nga çasti që vendoset në pyetësor se nuk do të ketë përdorim të mëtejshëm, duket si diçka e pakuptimtë”.

Është përfolur shumë interesi i Greqisë në këtë kohë, që përfiton direkt vetë nga regjistrimi i shqiptarëve. Duke ditur se ajo vetë ka shumë vështirësi ekonomike, nuk duket pak si e ashpër teza jonë?

“Numri i shqiptarëve që mund të deklarohen të kenë kombësi tjetër dhe sidomos tjetër-greke, është shume i lartë ndër shqiptarët e varfër. Situata aktuale ekonomike në Greqi, nuk do të shtojë numrin e përfituesve të rinj, por do të vazhdojë të mbajë ato që janë përfitues aktual. Kriza ekonomike në çdo vend Evropian, edhe pse ka detyruar lëvizje brenda buxhetit, nuk ka shënuar në asnjë rast pakësim buxhetor në zërin e mbështetjes sociale, pakësime kanë ndodhur në investimet publike, si ndërtime, përdorim të teknologjisë së avancuar etj. Kështu që përftimeve aktuale, besoj se nuk do të preken”.

Para pak vitesh u bë një Atlas demografik, që përcolli shumë probleme, fillimisht mes vetë gjeografëve shqiptarë, që ishin marrë me të. Pse duhet theksuar për momentin këto dy indikacione, kur dihet se shqiptarët kanë qenë gjithmonë indiferentë me përkatësinë e tyre fetare…

“Atlasi Demografik, që u realizua disa vjet më parë, ishte një përpjekje studiuesish, i cili për të krijuar harta tematike, jo në të gjithë kapitujt e vet u mbështet mbi informacion zyrtar, dhe si i tillë shkaktoi debate të mëdha. Atlasi duke përdorur teknologji të reja të informatikës kartografike solli një risi në ambientin akademik, por informacioni që u përdor për të realizuar hartat e përkatësisë etnike, ishte një punë empirike e bërë nga vetë studiuesit. Ndaj edhe debatet për të qenë shumë të forta, ç’ka tregon se rimarrja në konsideratë e këtyre dy pyetjeve, do të kërkojë medoemos një konsensus publik dhe një saktësi grumbullimi, e cila është e vështirë të zbatohet aktualisht. Është mirë të sjellin në vëmendje edhe faktin që përgjithësisht entet e kultit i kanë regjistrat e tyre të anëtarësisë dhe në debatin që ka përfshirë studiuesit shqiptarë sot, nuk kanë shfaqur ndonjë interes në rritje për të kuptuar numrin e besimtarëve të tyre.

Shqiptarët e kohës sonë, jetojnë në paqe me besimet e tyre fetare dhe respektojnë etnitë e tjera që gjenden në territor”.

A mund të jetë kjo thjesht një tymnaje, për të larguar vëmendjen e opinionit ndaj situatës së vështirë që po kalon vendi ynë…

“Këtë e kemi mësuar tashmë, që sa herë që ka diçka e cila kërkon kohë për t’u artikuluar publikisht, apo duhet kuptuar thellë nga opinioni publik, ku duhet respektuar transparenca, dhe kompletuar faktet, seç del një problem atje tutje që merr gjithë energjinë…. Të diskutojmë për pyetësorin e regjistrimit tani, është koha, por jo me parë se të kuptojmë të gjithë se çfarë ndodhi në veri të vendit, pse KESH reagoi me vonesë, pse treguesit ekonomik po rishikohen, pse çmimet po rriten, pse faturohen kështu shpenzimet tona telefonike, pse….. Dhe këto janë pse-të vetëm të Janarit”.