Kjo është Miradie Zymeri-Avdullahi

2
57

E Lindur në Kapit të Medvegjës, aty ku pushtuesi po mundohej të shuaj gjuhë e kulturë me anë të dhunës së hekurt, vështirë ishte të shkollohej në gjuhën amtare, në gjuhën shqipe! Po prindërit e Miradies si atdhetarë që ishin, si dashamirë të arsimit u shpërngulën në Fushë Kosovë, ku Miradia kreu pesë vjet të shkollës fillore, pastaj në Prishtinë kreu shkollë e mesme ! Miradija filloi të mirret me shkrime qysh si fëmijë në bankat shkollore. Kur Miradija ishte dhe në kryesinë e “Grupit letrar” si në shkollën fillore ashtu dhe në atë të mesmen boton shumë poezi në gazetat dhe revistat e kohës. Shkrimet e saj i hasim edhe sot në shumë gazeta dhe revista si dhe në faqet shqiptare në internet.

Miradie Zymberi kishte disa përmbledhje poetike që po i ruante me kujdes për të i hedhur në dritën e botimit, por në kohët e pa kohë iu konfiskuan. Ajo nuk u ndal për asnjë çast, ka filluar me të madhe punën e saj në poezi dhe po hapëron tejet bukur në fushën e poezisë. Si shumë krijues të tjerë edhe zonja Miradie vepron dhe krijon në mërgim. Ajo ka tema mjaft të begatshme nga mërgimi, për vendlindjen, mallin, atdheun, kombin, njerëzit e dashur të vendlindjes, shkollën.

Ka botuar dhe përmbledhjen e parë me poezi të titulluar “Shtigjeve të heshtjes”!

Shtigjeve të heshtjes

U shoqëruam bashkë nga e imja fëmijëri
Shëtitëm gjithë botën pa fjalë
Të ndrydha në letër të hollë të mbylla në zemër
Po ti e ëmbla ime nuk u ankove se të lash pa emër

Qëndrove në errësirë pa parë dritë me sy
Se na kishin vjedhur diellin mua dhe ty
Në gjunjë të bie falje të kërkoj se s’kisha mundësi
Të sjellë pak rreze as të të ndez qir

Deshën të të zhdukin barbarët ti e fortë qëndrove
Deshën të të heshtin ti dhe e mbyllur zërin s’e shterrove
Shtigjeve me heshtjen së bashku ndër vite rrugëtuam
Të ndrydhura të ngrira por nga njëra-tjetra s’u larguam

Poezia ime të mbajta në shpirt me kujtime
Ishe ligjërimi i heshtur i zemrës time
Me vite të tëra gjithkund më ndoqe pas
Këtu në mërgim për ty gjeta një laps

Grilat e hapur i kishim për të dal në liri
Çelësin e prangave ta përdorim na mungonte guximi
U trimëruam të fuqishme u ngritëm bashkë
Heshtjes i dhamë fund tash pa të shtegtojmë kah agimi

Sot bëj festë në të madhin nëntor
Për herë të parë t’largova nga vetja ime t’përcolla me dashuri
Drejtë shtypëshkronjës t’bëhesh nuse me kurorë
Të kthehesh prapë tek unë e artë në fletë libri

E lumtur do të jem atë ditë
Kur ti më në fund do të shohësh pak dritë
Errësirës e heshtjes i dhe fund e imja poezi
Krahëhapur në kthim të pres të ledhatoj me dashuri

RUAJTJA E NDJENJËS NË GJURMËT E VENDLINDJES

Nexhat Rexha

Ruajtja dhe kultivimi i mendimeve krijojnë disfatën dhe triumfin, në këtë sfond idesh, meditimesh vjen edhe zëri poetik i Miradie Zymberi-Avdullahi, e cila qysh në fëmijëri filloi hapat e parë poetikë me botimin e shkrimeve të para në shtypin e kohës. Më pastaj shkrimet e saja u tretën, u tretën edhe kujtimet e bukura, diçka e trazoi shpirtin poetik dhe sikur muza poetike heshti, me heshtjen e penës së saj sikur filloi ndjenja të fiket.

Pastaj vijnë shtegtimet fizike të saj në Evropë, e malli për vendlindjen rikthen ndjenjën, dashurinë për ditët që traumatizuan botën shpirtërore të Miradies. Malli për vendlindjen e saj Kapitin e Medvegjën filluan t`i shpalosin gjurmët e ëndrrave të fëmijërisë. Kurse, loti filloi të shponte ngurtësinë e disfatës poetike, që ngurtësoi koha ogur, jo vetëm për Miradien, por për tërë popullatën e kësaj ane. Kapiti rizgjoi ëndrrat e burgosura nën hijen e mjegullës së Medvegjës. Shpresa për të mundur të kaluarën, e zhdukur, hijen shqetësuese, ajo arrin të mund pengesat dhe dilemat e pakuptimta.

Në këtë luftë meditimesh, idetë shpalosin kujtimet e hapave të parë kah çerdhja e zogjve në majat e lisave bashkë me moshatarët e saj, këto ëndrra shpalosin gjurmët e vendlindjes, kurse puhiza me aromën e saj, kthejnë herë prapa, e herë kallin ndjenjën e zhuritur të këtyre ditëve e netëve sa të lumtura, e sa trishtuese.

Muret e shtëpive të Kapitit, e të trevës së Medvegjës u boshatisën nga njerëzit , që u lindën, u rritën në tokën e të parëve të tyre. Pse ndodhi zbrazja e banorëve shqiptarë mund ta gjejmë në vëllimin poetik “Shtigjeve të heshtjes”, të Miradie Zymberi Avdullahi. Ajo me familje e braktisi herët vendlindjen, kjo braktisje la gjurmë e mall në shpirtin e saj, sa iknin vitet malli shtohej më shumë për të. Pse ndodh kjo?. , lexuesi mund ta gjejë këtë përjetim në vargjet e këtij libri poetik.

Në tërësinë poetike autorja ka shtruar ; mallin, dashurinë, plagën e kurbetit si dhe heroizmin e njerëzve të kësaj treve nëpër rrjedhat historike. Ndjenjat e njeriut ruajnë në kujtesë intimitet, e këto intimitete janë të ndryshme, që di t`i ruaj vetëm bota shpirtërore e njeriut me shpirt të trazuar. Evokimi i të kaluarës rikthen autoren në retrospektivën e ndalesës poetike, në shtrëngimet objektive e subjektive, të cilat vijnë në tërë problematikën e përjetuar dhe kështu bota psikologjike krijon observimet transmetuese te zhvillimi i vazhdueshëm me tendencën e përtëritjes.

Miradia ka shtruar tematikën vendlindjes me kreativitet të qëndrueshëm dhe realist, kjo na shtyn të besojmë në konsistimin ekzistencial të qenies sonë, sepse bukuritë e kësaj treve e penguan ekzistencën e njeriut autokton dhe kështu kierarkia politike e fqinjëve bëri zhvendosjen e shqiptarëve të Medvegjës.
Në këto shtegtime të heshtjes vjen protesta e saj, duke formësuar konceptualitetin e komunikimit bashkë me frymëmarrjen e ligjërimit lirik të saj. Niveli artistik i ndërtimit me ironinë e kontrastin, shton dashurinë dhe shpalosë gjurmët burimore për të ruajtur e zgjuar kthjelltësinë e jetësimit artistik në korelacion me triumfin fokusues të etnosit sa origjinal po aq edhe figurativ, si në vargjet e poezisë së parë nga edhe vjen titulli i librit:

Deshën të të zhdukin barbarët ti e fortë qëndrove
Deshën të të heshtin e mbyllur zërin s’e shterove
Shtigjeve me heshtjen së bashku ndër vite rrugëtuam
Të ndrydhura të ngrira por nga njëra-tjetra s’u larguam.

Tërësia poetike e këtij vëllimi është sajim e përqendrim i përjetimit, e cila artikulon e riaktualizon hijen e njerëzve të kësaj treve, valëvitjen e pandërprerë të flamurit kombëtar në të gjitha fazat e ekzistimit si dhe në të gjitha proceset e mbijetesës, duke dhënë mesazhin e shtegtimit kah ruajtja ekzistenciale e këtij trolli.

Te shkruash per shpirtin krijues te Miradies eshte nder, jo large vendelindjes jeton, po shpiti dhe pena jane gjithmon atje teke lendinat e blerta, tek gurgullima e krojeve,teke cicerima e zogjeve,teke Kosova nane ,qe sa vjen dhe e rrite emrin dhe madheshtin… Fushe-Kosova eshte krye fjala.

Dërguar nga Gjin Musa

2 COMMENTS

  1. Pershendetje,
    Me vjen mire qe keni publikuar shkrimet e Miridie Zymberit.
    Mirepo, shkrimin tim (Nexhat Rexh a”RUAJTJA E NDJENJËS NË GJURMËT E VENDLINDJES”) e keni shkruar sikur ai shkrim te jete ne emrin tuej.
    Ky shkrim per librin e Miradies eshte botuar ne librin e Miradies dhe ne librin tim. Nese keni bere leshim ju lutem krrirojeni.
    Paraprakisht ju pershendes.
    Nexhat Rexha

    ————————–
    Shënim: U korrigjua 🙂

Comments are closed.