Kisha Ortodokse: Nikolla Marku, pseudonacionalist

0
43

TIRANEKisha Ortodokse e Shqipërisë reagoi dje, ndaj intervistës së Nikolla Markut, duke thënë se ai nuk është as prift, pasi nuk njihet nga asnjë Kishë.

DEKLARATA E PLOTE

Duke marrë shkas nga deklaratat e z. Nikolla Marku nga Elbasani, në “Gazeta Shqiptare”, 2 gusht 2012, fq. 11, sqarojmë:

Nëse dikush endet nëpër Shqipëri, duke deklaruar se është “ambasador” i një vendi inekzistent, duke lëshuar viza e pasaporta, a nuk do të dënohej penalisht? Nëse dikush e shpall veten “kirurg”, apo “profesor”, të një universiteti që nuk ekziston, a do të lejohej vallë të mashtronte njerëzit?
Në ditët e sotme po ndodh diçka edhe më e rëndë. Dikush deklaron se është “prift” i një Kishe që nuk ekziston. Por, asnjë Kishë Orthodhokse në botë nuk e njeh si të tillë.

Madje nuk njihet as nga ndonjë Kishë tjetër apo konfesion i krishterë. Është e qartë se ai vazhdon të përdoret herë pas here nga qarqe ekstremiste, për sulme pseudonacionaliste dhe antiorthodhokse. Por, sado ta mbështesin këto qarqe, nuk mund të fshihet dot e vërteta, se me sakrilegjet e përditshme që bën ai fyen rëndë dhe përdhos fenë e krishterë, duke e bërë atë qesharake edhe më keq se në regjimin e mëparshëm dhe mashtron në mënyrë flagrante opinionin publik.

Në deklarimet e fundit të tij, z. Marku dha këshilla edhe për qeveritarët dhe bëri kërcënime se në nëntor do të meshojë në Kishën e re Katedrale në Tiranë.

“Kisha Kombëtare Autoqefale Orthodhokse e Shqipërisë”, drejtues i së cilës deklaron të jetë, nuk është veçse një fantazmë. Është inekzistente. Atë nuk e njeh kush: Nuk njihet as nga Komiteti Shtetëror i Kulteve të Shqipërisë, nuk është njohur nga asnjë gjykatë, nuk njihet nga asnjë Kishë në botë. Për më tepër, në mënyrë të paligjshme vazhdon të keqpërdorë ndërtesën e kishës që është monument kulture dhe i takon Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të shfrytëzojë privatisht ndërtesën pranë saj, të restauruar tërësisht po me fondet e Kishës.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është e vetmja Kishë Orthodhokse në vend. Njihet zyrtarisht nga shteti shqiptar, ka nënshkruar Marrëveshje me Qeverinë Shqiptare (firmosur nga Kryepiskopi i saj Anastasi) dhe kjo Marrëveshje është bërë ligj (nr. 10057 22.1.2009). Njihet nga të gjitha Kishat Orthodhokse në botë, si edhe nga ajo Katolike dhe konfesionet protestante dhe po ashtu nga organizmat ndërkristianë e ndërfetarë.

Në fund, në lidhje me sulmet e planifikuara të z. Marku dhe të atyre që qëndrojnë prapa tij, në Kishën Katedrale të Tiranës, nënvizojmë se ligji i mësipërm (Neni 5) paralajmëron në mënyrë të qartë: “Shteti respekton Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe njeh si përfaqësues të saj vetëm personat e autorizuar nga Sinodi i Shenjtë i saj dhe garanton mbrojtjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga çdo individ apo çdo grupim, që kërkon të përvetësojë emrin, vendet e kultit, pasurinë kishtare, simbolet ose vulën e saj”.

Së bashku me shtetin, mbrojtjen e Kishës Katedrale të Tiranës e garantojnë mijëra besimtarë orthodhoksë që mblidhen rregullisht brenda saj. Është koha që të reshtin një herë e mirë veprime dhe deklarata të tilla qesharake, si edhe shpifjet e pabaza e kërcënimet e kota ndaj Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nga cilido drejtim që të vijnë ato.

Tiranë, 8 gusht 2012
Nga Kryepiskopata e Hirshme e Tiranës
Nikolla Marku: Meshë për 28 Nëntorin, pa Anastasin
Në një intervistë për “GSH” pak ditë më parë, At Nikolla Marku akuzoi kryepeshkopin Janullatos se po i shërben shovinizmit grek. “Kryepe-shkopi Janullatos ka shansin e fundit të reagojë, duke u larguar nga drejtimi i paligjshëm i Kishës dhe të heqë dorë përfundimisht nga nxitja e frymës së për-çarjes mes besimtarëve ortodoksë të Shqipërisë. 28 Nëntori 2012, do të jetë jo vetëm një Ditë e Shenjtë, sepse është 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe i pavarësimit të Kishës së uzurpuar nga grekët. Ftoj gjithë shqiptarët ta mbështesin mbajtjen e kësaj meshe mjaft dome-thënëse”,- deklaroi Marku për “GSH”.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)