“Kioska” e Pavarësisë

0
57

Nga Mero Baze, 24 Prill 2012

Një monument, që i përngjante shumë një kioske, është përzgjedhur nga Ministria e Kulturës si monumenti simbol i Pavarësisë, që do të vendoset në Tiranë. Nuk dihet ende sheshi, rruga apo ndërtesa para së cilës do të vendoset. Nuk është menduar për këtë. Meqë për 100 vjetorin nuk u përmbushën dot premtimet e mëdha që të kthenin vëmendjen tek Tirana, siç ishte parlamenti dhe stadiumi i ri, u sajua shpejt diçka tjetër. Një si punë kioske. I shkon shumë stilit dhe identitetit të qeverisjes Berisha.

Nuk dua të hyj në polemika me shijet e jurisë apo qytetarëve, pasi siç thashë jam shumë dakord që ajo të përfaqësojë Pavarësinë në kohën e Berishës. Është një simbol i qartë i mënyrës sesi ai qeveris. Kioska, nga vetë konstrukti i saj, është diçka e përkohshme, diçka pa rrënjë, diçka që ngulet e shkulet sipas biznesit të vogël të të zotit, për të zgjidhur hallet e ditës. Është diçka që i përshtatet shumë Sali Berishës në këtë 100 vjetor të pavarësisë. Duke pasur një problem psikologjik me Vlorën, për shkak se është qyteti që e ka detyruar të prishë shtetin për të ruajtur pushtetin, ai po përsërit sindromën e vitit 1997 për të prishur tashmë historinë e shtetit për hir të historisë së pushtetit. Ideja se Vlora nuk është e tij e bën atë të veprojë sikur nuk është dhe e Shqipërisë.

Në dalldinë e tij patriotike për të mbuluar atë që po bën me Vlorën, ai premtoi përveç kioskës së pavarësisë dhe një varrezë për mbretërinë shqiptare, një lloj panteoni për ta, duke sjellë prej Parisit eshtrat e Ahmet Zogut. Shqipëria realisht ka nevojë për një varrezë të personaliteteve të saj. Por jo për një varrezë të mbretërisë, pasi ne kemi pasur vetëm një mbret, dhe ai i bërë në moshën 32 vjeçe dhe i shkurorëzuar po nga të vetët në moshën 45 vjeçe.

Njëqindvjetori i Pavarësisë ndoshta ka nevojë për një varrezë të përbashkët për 83 firmëtarët e pavarësisë. Ndoshta ka nevojë për një varrezë ku të prehen figurat politike më të spikatura të historisë. Por një varrezë mbretërore për një kurorë 13 vjeçare është e tepërt. Ahmet Zogu mund të varroset plot dinjitet pikërisht në një varrezë të njerëzve të shquar të vendit, por jo i vetmuar në një varrezë ku nuk e respekton askush.

Por kam frikë se Sali Berishës Ahmet Zogu nuk i është kujtuar si burrë shteti, por si i ngjashmi i vet, me të njëjtin hall në 25 vjetorin e pavarësisë. Në vitin 1937, kur Shqipëria festoi për herë të parë 25 vjetorin, njësoj si Sali Berisha, Ahmet Zogu i orientoi festimet në Tiranë. Arsyeja për të ishte dhe më e fortë. Në Vlorë, bash tek Sheshi i Flamurit, afër vendit ku u shpall pavarësia, ishte varri i Avni Rustemit, njeriut që ai e kish vrarë pas shpine në Tiranë për hesape politike dhe luftë për pushtet. Duke mos qenë shumë i prirur të shkonte në një qytet që i kujtonte jo vetëm dritëhijet në të cilat kish kaluar kurora e pushtetit të tij mbretëror, por dhe në një qytet plot lavdi pa mbret siç ishte Vlora, ai njësoj si Berisha tani bëri një statujë të pavarësisë në Tiranë, e vendosi aty ku sot është Skënderbeu, organizoi parada dhe festime, dhe nuk shkoi në Vlorë atë ditë.

Kjo paralele historike na e bën më të kuptueshëm faktin që Berisha sot, ditën kur përfundoi modelin e kioskës për pavarësinë, kishte më shumë në mendje Ahmet Zogun dhe një varrezë për të, se Ismail Qemal bej Vlorën dhe varrin e tij në Vlorë.

Kioska e Pavarësisë që Berisha tashmë sajoi si një mundësi që të jetë sa më “mobil” për të manovruar me festën e pavarësisë, tashmë do të presë rrugën, sheshin apo ndërtesën para së cilës do të vendoset. Tani për tani u ngjan atyre “Kioskave të Kunatit”, që i vendos me raste tek Rruga e Toptanëve për të bërë ndonjë lek dhe pastaj i mban të mbyllura tek parkingu i Bar Kalasë. Edhe Kioska e Pavarësisë së Berishës, atë fat ka.

I duhet sa për të shmangur Vlorën, sa për të imituar Zogun, sa për të injoruar firmëtarët e Pavarësisë dhe Babain e Pavarësisë, sa për të fshirë nga kujtesa jonë premtimet e rrejshme që bëri për 100 vjetorin… I duhet mbi të gjitha për të futur veten përkohësisht në histori, duke e kthyer 28 Nëntorin në një panair patriotizmi, ku dhe ai do ketë kioskën e vet, përkrah ndërtesës së rëndë të shtetit që i lanë paraardhësit e tij që nga Ismail Qemal Bej Vlora. Mos ia ngisni këtë kioskë. Ai e meriton ta ketë atë si simbol të asaj çfarë i ka dhënë këtij vendi: Çdo gjë të përkohshme. Kioska!!!