ResPublica.al, 25 mars 2013
Shkrimtari shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti ka përuruar botimin e librit të tij me titull “Shkupi” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, dhe aty ka bërë pohime që nuk të lënë indiferent. “Absolutisht, matematikisht, mund të dëshmohet … se në disa vise shqiptare, shqiptarinë e ka shpëtuar islamizmi. Në Shkup nuk ka ortodoksë shqiptarë, nuk ka as katolikë shqiptarë. Ka vetëm shqiptarë myslimanë”.
Ka patur reagime të forta pas kësaj deklarate, e cila duket se pjesërisht është keqkuptuar e moskuptuar. Duket se Mehmeti ka folur për shqiptarët e Maqedonisë, gjë që mund të hajë diskutim e mund të interpretohet si provokim, gjithashtu, por nënvizimi i bërë i është marrë për shqiptarët në tërësi. E para që ka reaguar ka qenë Ipeshkvia e Kosovës, saktësisht kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi. “Shqiptarinë nuk e ka shpëtuar islamizmi, por është Kisha Katolike ajo që ka mbajtur gjallë fijet e shqiptarisë”, citohet nga Gazeta Express të ketë thënë ai. “Perandoria Osmane ka qenë ajo, që ka shkatërruar gjithë trashëgiminë materiale, kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve. Ky është një fakt historik që nuk mund ta mohojë askush”, ka saktësuar prifti katolik.
Por më i ashpër ka qenë qëndrimi i deputetit të PDK-së, Berat Buzhala, i cili është fokusuar edhe tek fakti që aktiviteti i përurimit organizohej nga Lëvizja Vetëvendosje. Buzhala ka bërë disa pyetje me nëntekste dhe ironi. “Nëse islamizmi e ka shpëtuar shqiptarizmin, a do të thotë kjo që së pari shqiptarët ortodoksë dhe katolikë kanë gabuar që janë përcaktuar për këto dy besime? Nëse kanë gabuar që nuk janë konvertuar, a ka ende kohë për ta përmirësuar këtë gabim? Pra, a ka përfunduar procesi i konvertimit në islamizëm? A mendon Kim Mehmeti dhe Lëvizja VV se duke e vënë në plan të parë këtë temë i ndihmohet unitetit kombëtar?”, ka shkruar Buzhala.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk mban përgjegjësi për fjalën publike të intelektualëve. Ne e promovuam librin e tij ‘Shkupi’. Ky është një libër shumë i mirë dhe me vlera kombëtare”, ka deklaruar Glauk Konjuvca i Lëvizjes VV.
Re.Pu.