Nga Besnik Gjongecaj
Në një sistem demokratik, qoftë edhe sa për sy e faqe si ky i yni, bëhet e pamundur, të paktën publikisht, të kryesh një dënim kolektiv, si në pikëpamjen ligjore, ashtu edhe në çdo pikëpamje tjetër. Pamundësia për të aplikuar dënimin kolektiv, d.m.th., pamundësia për të pranuar natyrën kolektive të fajit dhe ndëshkuar atë si të tillë apo fakti që sot nuk mund të vihet askush përballë përgjegjësisë, nëse ajo nuk adresohet konkretisht, por mjegullohet midis kontureve të përgjegjësisë kolektive, po shndërrohet në një stil, modë, mekanizëm, djallëzi, konspiracion, me anë të së cilit qeverisja e sotme po i shmanget përgjegjësisë konkrete, madje edhe asaj që lexohet nga larg dhe nga çdo shqiptar. E keqja nuk mbaron këtu; këtu ajo vetëm fillon.
Faji kolektiv, pra, në përgjithësi vendimet e gabuara të marra nga një grup njerëzish, qoftë edhe të mandatuar me ligj, siç është në thelb edhe grupi qeverisës i këtij vendi, po konsiderohen të padënueshme, jo pse nuk janë të tilla në vetvete, por vetëm e vetëm se këto vendime janë marrë kolektivisht, megjithëse shpesh në kundërshtim flagrant me ligjin. Kjo praktikë nga njëra anë po i bashkohet në mënyrë të hapur, pacipërisht të hapur dhe publike, frymës së shkeljes dhe mosrespektimit të ligjit në Shqipëri dhe nga ana tjetër, ka kohë që kjo praktikë është shndërruar në frymëzuese e “kulturës” së sundimit mbi ligjin, të mosrespektimit të tij, sepse në mënyrë kapilare po depërton me shpejtësi në të gjithë nivelet ku aplikohet qeverisja publike, kudo ku merret një vendim, kudo ku ka pushtet, kudo ku ushtrohet një përgjegjësi.
* * *
Është e një rëndësie esenciale të dallosh qartë në praktikën qeverisëse të kësaj qeverie atë pjesë të aktivitetit që nuk shkon në drejtim të përmbushjes së programit të saj elektoral dhe që të nesërmen do të ndëshkohet me anë të votës. Akoma më e rëndësishme megjithatë është ta ndash këtë praktikë nga ajo pjesë e praktikës qeverisëse që nuk është legjitime, që ka filluar të jetë në kundërshtim me frymën e drejtimit demokratik të vendit dhe që si metastazat gradualisht po përhapet dhe trupëzohet në raste konkrete, të shfaqura tek-tuk, por që prej kohësh kanë filluar të rrëmbejnë krejt trupin e shoqërisë. Gjithsesi, megjithëse të ndryshme, të dyja praktikat nuk janë shumë larg njëra-tjetrës. Ç’është më e rëndësishme, nuk kanë ndonjë ndryshim sinjifikativ, të mbetshëm, pasi e para kalon tek e dyta thjesht dhe vetëm pse fillon e bëhet një praktikë gjithmonë e më e shtrirë, më e gjithgjendshme, pra, thjesht, sepse rritet në “sasi”.
Qeverisja e sotme ka kohë që bën sikur bën reformë në shëndetësi dhe në arsim, ndërkohë që këto dy sisteme rrënohen përditë, bëhen gjithmonë e më të pangjashme me pjesën tjetër të kontinentit. Në këtë pikëpamje, kjo praktikë qeverisëse nuk shkon në përmbushje të programit elektoral, prandaj hyn tek ajo cilësi e aktivitetit qeverisës që nesër do të ndëshkohet me votë. Gjithsesi vjen një pyetje e thjeshtë: Pse nuk shkon mirë puna në këta dy sektorë jetikë të vendit? Në qoftë se do t’i shkohet në thelb, përgjigjja është se këta dy sektorë janë të prapambetur, pasi nuk vetëqeverisen dhe nuk vetëqeverisen, sepse nuk iu jepet pushtet, dhe nuk iu jepet pushtet, sepse atë e ka rrëmbyer qeveria dhe kryeministri i saj. Pra, sistemet nuk funksionojnë, sepse nuk kanë pushtetin e nevojshëm për këtë qëllim.
Mosdelegimi i pushtetit nga institucioni i Kryeministrit te segmente të ndryshme dhe më të ulëta qeverisëse ka filluar të jetë formë e ekzistencës së ekzekutivit të këtij vendi. Nëse ky stil qeverisjeje transferohet nga sektorët e shërbimeve te pushtetet organike të një sistemi demokratik, atëherë ekzekutivi pushon së qeni vetëm një qeverisje e keqe, e cila nesër mund të ndëshkohet vetëm me votë. I transferuar në pushtetet organike të demokracisë së vendit, ky stil qeverisjeje shndërrohet menjëherë në një qeverisje që po kryen faj, pra në një qeverisje të kriminalizuar, sepse është në kundërshtim të hapur me parimet demokratike të vendit, prandaj edhe me Kushtetutën e tij. Kështu, rrëmbimi i pushtetit që i takon drejtësisë nga ekzekutivi dhe presioni mbi drejtësinë që e shoqëron gjithmonë këtë proces, është një shtrembërim i rëndë i demokracisë dhe nuk është më thjesht një mosplotësim premtimi ndaj votuesve.
Ai duhet të ndëshkohet si faj, si një krim i kryer. Por natyra e shtrirë e këtij faji, pjesëmarrja e shumë njerëzve në realizimin e tij, i jep fajit një karakter kolektiv, që në fund të fundit e lë atë pa autor, pa një ndëshkim konkret. Kështu ndodhi edhe me krimin mesjetar të Gërdecit. I gjithë dokumentacioni ishte përgatitur diku dhe nga një ministër konkret, por forma e miratimit të tij ishte kolektive, sepse u bë nga qeveria. Kjo mjaftoi për t’i dhënë fajit një natyrë kolektive, për ta bërë krimin e pandëshkueshëm si të tillë, ndërsa fantazma e 26 të vrarëve ka kohë që shëtit korridoreve dhe dyerve të këtij shteti. Mospranimi i kërkesës së dy anëtarëve të KQZ për rinumërimin e votave, gjë e parashikuar me ligj, u hodh poshtë nga gjykata, e cila, vetëm sepse mori një vendim kolektiv, e quajti legjitim atë, megjithëse vendimi i saj u mor mbi bazë të shkeljes së ligjit.
Për këtë arsye në këtë rast kemi të bëjmë përsëri me një shkelje të ligjit, pra me një faj, me një krim, por, meqenëse ai është kryer kolektivisht, nuk mund të ndëshkohet, përkundrazi, duhet të konsiderohet madje edhe legjitim. Kjo praktikë e përdorimit të pushtetit në kundërshtim me ligjin dhe pa u ndëshkuar prej tij është transferuar në të gjitha nivelet ku ekziston një kapacitet vendimmarrës, sado i vogël apo i parëndësishëm që të jetë ai, veçanërisht në fushën e tenderëve, pra të përdorimit të pasurisë publike, ku mjafton vetëm të “kopsitësh” letrat për të mos u ndëshkuar. Gjithsesi, qeveria mbetet struktura kolegjiale që po e aplikon “fajin kolektiv” si mekanizmin më efektiv për të mbrojtur vetveten nga ndëshkimi ligjor.
Tanimë kjo praktikë është shndërruar në “kulturë” qeverisëse, çka në thelb ka sjellë një varfërim shpirtëror, një mungesë integriteti dhe një qëndrim të pështirë ndaj së vërtetës, aq sa ndoshta mund të krahasohet edhe me kohët më të zeza të diktaturës. Kjo “kulturë” qeverisëse është përgjegjëse kryesore e përfshirjes së Shqipërisë në krizën më të madhe morale që ka pasur ndonjëherë në krejt vitet e tranzicionit apo edhe të shtetit shqiptar në përgjithësi. Njerëzit që janë përfshirë në këtë proces, veçanërisht ata që miratojnë vendime kolektive jolegjitime, në çfarëdo niveli qofshin, madje duke heshtur, pra të gjithë ata që shpresojnë t’i shpëtojnë përgjegjësisë duke u fshehur pas “fajit kolektiv”, nesër do të përgjigjen gjithsesi, madje edhe për heshtjen e tyre.
* * *
Gazetari Mero Baze u godit në mes të Tiranës dhe për shkak të detyrës. Në fakt u goditën të gjithë, pa përjashtim, kudo qofshin të rreshtuar. Goditja ishte fizike, hapur, e dhunshme, dhe ndaj një gazetari të njohur. Prandaj edhe tingulli i kambanës ishte i fortë, u dëgjua larg, në një hapësirë të gjerë, dhe sinusoida e këtij tingulli do të vazhdojë të udhëtojë edhe për një kohë të gjatë për të çuar lajmin. Por, fatkeqësisht, asnjë lajm nuk prodhohet sot kur goditet dikush tjetër, një qytetar, një nëpunës, një studiues, një pedagog, vetëm sepse në të shumtën e herës ai nuk goditet fizikisht dhe vetëm sepse në të shumtën e herës ai nuk është i njohur sa ky gazetar.
Dhunimi i sotëm i qytetarit shqiptar bëhet për arsye të ndryshme, por që pothuajse të gjitha bashkohen në pikën që ato janë paradoksalisht arsye, jo për çuar në dhunim, jo për të shkërmoqur në ingranazhet e ndëshkimit, përkundrazi, janë ekzaktësisht arsye për ta respektuar më shumë atë si qytetar, si individ. Një qytetar i këtij vendi dhunohet sot, sepse ai thotë atë që mendon, sepse ai është i aftë dhe nuk pajtohet me sistemin në të cilin drejtojnë të paaftët, sepse ai nuk është konformist me atë që bën qeveria dhe politika në përgjithësi, sepse ai nuk është dakord me mënyrën se si drejtohet një shkollë, një ministri, një fakultet, një njësi administrative e kësaj qeverisjeje. Dhunimi formësohet përfundimisht kur ekziston edhe një arsye kryesore: qytetari nuk është pjesë e asnjë grupi, aq më shumë, ai nuk ka asnjë mik nga grupi i “shokëve atje lart”.
Ky qytetar, prandaj, i mbetur pa miq “të fortë”, pret të mbrohet nga ligji, nga e drejta e çdo qytetari të thotë të vërtetën, sado e hidhur të jetë ajo dhe të mos ndëshkohet, nga e drejta e çdo qytetari të bëjë një karrierë të ndershme dhe të mos dhunohet rrugës nga “kafshimet” plot “pështymë zilie” të të paaftëve. Fatkeqësisht, asgjë nuk e mbron më këtë qytetar, asnjë qytetar. Nëse ai ka vendosur të ndjekë, megjithatë, këtë rrugë, pra rrugën e respektimit vetëm të së vërtetës, ai do të “hajë” grushte përditë në qoshe muresh, në qoshe mbledhjesh, në shtigjet nga të cilat kalon karriera e tij. “Grushtet” do t’i marrë nga gangsterët më të çuditshëm të botës, madje edhe me tituj të lartë akademikë, madje me xhepa plot, madje edhe nga ata që përditë flasin me të huajt për demokracinë në Shqipëri, edhe nga ministrat, madje edhe nga kryeministri.
Dhe nëse ky person hipotetik, por me shumë qytetarë të ngjashëm me veten e tij në Shqipëri, do të vazhdojë përsëri të sillet kështu, pra të mos ndryshojë raportin e tij publik, të hapur, me të vërtetën, ai do të shohë se si gradualisht do të izolohet, do të përjashtohet, do të mbetet gjithmonë e më me pak shokë rreth e rrotull, dhe se si ata të tjerët, ata që kanë miq “shokët atje lart”, do ta shohin jo si dikur, të aftë, të ndritshëm, të respektueshëm, përkundrazi do ta shohin atë me bisht të syrit dhe me përbuzje, si një qenie që vjen nga një planet tjetër, nga një kohë tjetër, si të dalë mode. Mero Bazen do ta mbrojë në mos ligji, të paktën opinioni publik, por qytetarin hipotetik të këtij shkrimi nuk do ta mbrojë asgjë, as ligji, as opinioni publik. Dhe për këtë nuk do të mbajë askush përgjegjësi.
As ata që e kanë ndërtuar me kujdes këtë sistem diskriminues, i cili me plot gojën mund të them se është dhe një sistem racist, në kuptimin më të përgjithshëm të kësaj fjale. Ngritja në këmbë e këtij sistemi diskriminues është faj, madje edhe në kufijtë e një krimi, me të gjitha karakteristikat si i tillë, si krim. Por është një faj që nuk ka autor ose, më mirë, është një faj kolektiv, është një faj që duket se vjen e shkaktohet nga e gjithë qeverisja, nga të gjithë ata që i lëpihen asaj, është një faj në fund të fundit pa autor. Të paktën juridikisht. Por jo në pikëpamjet e tjera. Sigurisht, për shkak të natyrës së tij kolektive, çka është përgatitur me kujdes për t’u servirur si e tillë, pra si një faj kolektiv, nuk do të mund ta gjykojë asnjë gjykatë. Opinioni publik do ta gjykojë megjithatë, dhe jo vetëm.
Sado të mbrohen nën mjegullën e fajit kolektiv, autorët që e katandisën Shqipërinë në këtë “derexhe” janë të identifikuar që tani dhe bashkë me ta edhe faji, i cili, po të skanohet me kujdes, në krejt thellësinë e tij, del që vetëm kolektiv nuk është. Prandaj, autorët e vërtetë të tij, dhe jo vetëm ata që goditën gazetarin, do të përgjigjen konkretisht për të tashmen, të cilën nesër, kur të mos kenë në dorë më fatin e këtij vendi, me siguri do ta quajnë të shkuar, dhe pavarësisht se iu mungon dëshira për t’u marrë me historinë, do të duhet t’u përgjigjen me saktësi pyetjeve rreth saj.