“Këtë demokraci duam ne?”

0
77

•“Na u dha këto ditë të kruajmë kockën e imunitetit, por mbahet fshehur në bodrum, llokma kryesore, ajo që mbart çelësat e organizimit të drejtësisë, – thotë Genc Burimi.
•Një bisedë mbi ligjin për imunitetin me ish-diplomatin gazetar që jeton në Paris

Adrian Thano, 23.09.2012

Genc Burimi, gazetari 42-vjeçar i “France Internacional” është një vëzhgues i përditshëm i aktualitetit politik në Shqipëri. Shfaqet rrallë por bie në sy menjëherë si analist me forcë të veçantë shprehëse sidomos në fushën politike dhe ekonomike. Ish-pjesëmarrës aktiv në lëvizjen studentore dhe ish-diplomat (ka qenë atashé kulture në Ambasadën e Shqipërisë në Francë) ai jeton sot në Paris, prej ku iu mor kjo intervistë.

“Me pak fjalë, në Shqipëri na u dha këto ditë të kruajmë kockën e imunitetit, por mbahet fshehur në bodrum, llokma kryesore, ajo që mbart çelësat e organizimit të drejtësisë. Heqja e kësaj pengese, që i lejon tani prokurorisë të hetojë këdo në klasën politike dhe në rradhët e gjyqtarëve, pa informuar kërkënd, është pra një arritje madhështore. Por ajo i kanos njëkohësisht një kërcënim po aq madhor, me dashje apo dashje demokracisë. Kush i emëron ata që vendosin për fatet e zyrtarëve të lartë pa imunitet? – pyet Burimi.

Genci, ju jeni je një ndjekës i vëmendshëm i situatës politike në Shqipëri. Ligji për imunitetin, të ka ngacmuar veçanërisht nga sa kuptoj nga emailet që kemi shkëmbyer kohët e fundit. Pse ky sensibilitet i lartë?

Nuk eshte gje e vogel ajo qe ndodhi ne parlament. Shqiptarët mund të krenohen se arriten me konsensus votimin e njërit prej ligjeve më delikate të këtyre dy dekadave demokraci, ligjin që u heq imunitetin zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve. Por a duhet mbyllur megjithatë kapitulli i reformave në drejtësi me bindjen naive të misionit të kryer? Kur kujtuam se riparuam një vrimë me këtë ligj, a nuk kemi hapur në realitet një hon, i cili në skenarët më të frikshëm mund të sakrifikojë vetë funksionimin e demokracisë?

Jo shumë larg nesh, vendet arabe të prirura po ashtu për një të ardhme më të mirë, bën revolucione kundra diktaturave, por pa u paraprirë zhvillimeve që po i tërheqin tani drejt fondamentalizmit. Në Shqipëri, arsenali i ri juridik kundra korrupsionit në politikë e drejtesi, rrezikon ta lërë vetë demokracinë pa « leukocitet » e nevojshme për t’u rezistuar atyre që do të tentoheshin nga një fondamentalizem i një lloji tjeter. I llojit që e kujton të panevojshëm alternancën në demokraci pasi mazhoranca i di të gjitha, dhe opozita është e kotë. T’i shohim me qetësi, por me vigjilencë këto gjëra.

Domethënë mendon se është një ligj i mirë por i parakohshëm për vende si Shqipëria?

Nuk do te thoja qe eshte ligj i parakoheshem. Duhej biles votuar qe me fillimet e demokracise. Eshte ligj i mire. Por ata qe e kane zbatimin e ketij ligji ne dore, a jane te mire? Dhe pyetja themelore shtrohet kështu: Kush i kontrollon kontrollorët? Vetë-satisfaksioni për miratimin me konsensus të ketij ligji, nuk duhet të maskojë faktin që opozita tërhoqi këmbët zvarrë deri në sekondën e fundit. E detyruar nga Europa nga njëra anë, dhe e kapur « shah mat » ideologjikisht nga mazhoranca e kryeministrit Berisha nga ana tjetër, opozita s’mund t’i kundërvihej më gjatë, asaj që opinioni e quan një normalitet : të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit.

Fatkeqësia në këtë arsyetim, është se opinionit iu anashkalua ekuacioni: dakord, të gjithë të barabartë para ligjit, por kush e bën ligjin? A është më prioritare të bësh një ligj që lehteson futjen në burg të kryetarit të kontrollit të lartë të shtetit kur ai merr rryshfet se mbyll sytë mbi abuzimet me paratë e taksapaguesve ? Apo duhet fillimisht një kuadër ligjor që eviton që organi që mundëson burgosjen e kryetarit të kontrollit të lartë të shtetit, apo të atij të gjykatës kushtetuese, apo të atij të opozitës, të mos ketë vepruar nën influencë? Debat tepër i njohur, e i vjetër ky për demokracitë.

Si ai i raportit kohor midis vezës dhe pulës në proverbat popullore kur ironizohet nëse duhet një pulë për të patur një vezë apo anasjelltas…

Egzakt. Unë do merrja nje shembull nga sporti. Të imagjinojmë që ata që shpikën futbollin kruajnë kokën për të vendosur nëse duhet në rradhë të parë të bëjnë listën e të gjitha rregullave që u lejohen apo nuk u lejohen lojtarëve gjatë një ndeshje futbolli, apo duhet në rradhë të vendosin se kush vendos për rregullat, kush emëron arbitrin ? Nje tjeter shembul, konkret kesaj rradhe.Në vitet 90 e tutje, filloi në Europë moda e kamerave të survejimit në vendet publike, si një ndihmë për policinë dhe drejtësinë për të diktuar më shpejt dhe më efikasisht aktorët e trazirave në rrugë. Menjëherë po ashtu doli çështja : kush e kontrollon kontrollorin ?

Kamerat që filmojnë 24 orë ne 24, kapin përveç imazheve të kundravajtësve, dhe ato të njerezve të thjeshtë që s’krijojnë probleme. Si për shembull imazhet e një çifti që përqafohet paqësisht në një stol, veçse pa dijeninë e bashkëshortëve respektivë. Po sikur ai tekniku I autorizuar që vizionon këto imazhe për të diktuar kundravajtësit, t’i përdorë ato për shantazh dhe ndaj këtij çifti që s’ka bërë asnjë krim? Shtrohet me të drejtë pyetja se mbi ç’baza emërohet ky personel kontrollues, tek kush jep ai llogari (sepse dhe urdhëruesi mund të ketë interes për shantazh), cfarë sanksionesh parashikon mbi të ligji, dhe cfarë parashikon ligji mbi imazhet e rregjistruara se ku arkivohen ato dhe kush merret me ruajtjen e arkivave?

Për një çështje kaq rutinë në dukje, dhe që fundi i fundit motivohej me rritjen e ruajtes së sigurisë së qytetarëve në rruge, debati ka qenë pasionant në Perëndim. Në emër të interesit të përgjithshëm të shoqërise, nuk mund të sakrifikohen liritë e tjera. Vetëm pasi u shkoqit dhe u inkuadrua me ligj se kush i manipulon kamerat që na survejojnë, u miratua perhapja e tyre në rrugë. I njëjti debat transferohet në një sferë dhe më të lartë, atë maksimalen. Kush e emëron Pushtetin? Populli me zgjedhje. Cili është kundra-pushteti nëse Pushteti hyn në kundravajtje? Drejtësia. Kush e emëron dhe e kontrollon drejtësinë nëse dhe kësaj të fundit i merr koka erë?

Megjithatë, pak vende e kanë zgjidhur këtë çështje në mënyre optimale…

Pikërisht. Shumë vende ka, biles dhe nga ato të Këshillit të Europës, ku zgjidhja trashanike e kësaj çështje ka bllokuar lojën e alternancave politike (Rusi dhe vende të tjera të Kaukazit që e rrethojnë). A duam të njëjëtn gjë dhe për Shqipërinë, pas votimit të ligjit në dukje përparimtar të heqjes së imunitetit?

Paradoksi sot në Shqipëri është se pushteti vendosi disa rregulla loje shumë të mira në vetvteve, heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë përfshirë politikane e gjyqtarë, por « harroi » gjysmën tjetër të kuadrit ligjor, si të evitohen abuzimet me prokurorë « nën urdhëra » të pushtetit, dhe mos të kthehemi në epokën e të burgosurve politikë. Kur Putini ka nevojë të arrestojë Kasparovin në Rusi , nuk është naiv ta akuzojë si opozitar, por i « imponon » drejtësisë t’i gjejë a t’i shpikë një motiv jo –politik. Grupi i vajzave që u dënuan pas këngës fyese kundra Putinit, u fut pa asnjë vështirësi ligjore në kategorinë e dëmtimit me dhunë në një kishë, dhe jo të ofendimit të presidentit, që ishte arsyeja e vërtetë.

Ja një shtet në dukje demokratik si Rusia, anëtar i Këshillit të Europës, e ka fare demokratikisht të mundur të arrestojë e të dënojë kë të dojë, sepse ka në dorë xhokerin madhor, atë të emërimit të zinxhirit të drejtësisë. Eshtë ky akti më fatal për vijueshmërinë e demokracisë që s’mund të ndodhë në perëndim. Vendet perëndimore e lënë drejtësinë jashtë influencave politike, përndryshe as zgjedhje të lira nuk kanë më, as besim në popull nuk ka më, dhe as paqje sociale nuk ka më.

Me pak fjalë ligj i mirë, por po të mendosh efektet në rrethana shqiptare është nga ato rastet kur kura është më e keqe se vetë sëmundja?

Me pak fjalë, në Shqipëri na u dha këto ditë të kruajmë kockën e imunitetit, por mbahet fshehur në bodrum, llokma kryesore, ajo që mbart çelësat e organizimit të drejtësisë. Ligji për heqjen e imunitetit nuk duhet nënvleftësuar pasi ai përbën vërtetë një arritje të madhe. Aq të madhe, sa mund të habitesh si ishte e mundur ndryshe më parë ? Më parë, nëse një deputet, apo gjyqtar bënte « trafiqe », duhej leja e Kuvendit për të mundësuar hetimin ndaj tij.

Qesharake! Nëse Prokurori kërkonte leje publike për hetim kundra deputetit filan, nuk do të kishte më efekt surprize që ky të kapej në flagrancë. Heqja e kësaj pengese, që i lejon tani prokurorisë të hetojë këdo në klasën politike dhe në rradhët e gjyqtarëve, pa informuar kërkënd, është pra një arritje madhështore e qeverisë Berisha. Por ajo i kanos njëkohësisht një kërcënim po aq madhor, me dashje apo dashje demokracisë. Kush i emëron ata që vendosin për fatet e zyrtarëve të lartë pa imunitet?

Mazhorancës duket se kjo pak i intereson. Nëse do flisje me ndonjë prej tyre për këtë, me siguri e devijon debatin nga kjo pikë. Kanë gati kundër-pyetjen: përse socialistët nuk e ndreqën çështjen e emërimeve të organeve të drejtësisë kur qenë vetë në pushtet…

Pak i thatë si argument. Të kujton atë të kritizerëve ndaj sulmeve të NATO-s kundra Serbisë për të shpëtuar popullin e Kosovës. Edhe ata argumentonin përse Shba-të merakosen për Kosovën dhe nuk e bënë një gjë të tillë më parë për Kurdët ? Por a duhet që pasiviteti në të kaluarën të shërbejë si argument serioz për të hedhur poshtë dëshirën për të vepruar në të tashmen? Partia Demokratike në pushtet, tani që mori me vota atë që deshi, neutralizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, duhet t’i hapë rrugën pa humbur kohë refleksionit dhe votimit të një kuadri të ri ligjor për të përcaktuar në interes të demokracisë se kush i emëron zyrtarët që hetojnë e gjykojnë zyrtarët pa imunitet. Kush pra, e kontrollon kontrollorin?

Cili është rreziku? Berisha?

Pa paragjykuar qeverisjen Berisha sot, le të hidhemi pas 35 vjetësh , datë që ai i ka dhënë me qësendi opozitës për t’u rikthyer në pushtet. Të imagjinojmë për një çast, që ajo opozitë e vitit 2047, udhëhiqet nga një tiran i vogël i cili me sllogane populiste fiton zgjedhjet. Ky tiran imagjinar shqiptar, do të jete shumë i lumtur kur të konstatojë se mazhoranca e tij po trashëgon një sistem që do t’i mundësoje një pushtet pafundësisht të gjatë.

E para, partia e tij me shumicë të thjeshtë votash në parlament emëron kokat e hallkave kryesore të sistemit gjyqësor në Shqipëri (Prokorurin, Kryetarin e Gjykatës së lartë, Gjykatës kushtetuese, Këshillit të lartë të drejtësisë, Komisionit qendror të zgjedhjeve). E dyta, deputetët e opozitës në parlament dhe gjithë funskionarët e lartë (Guvernatori i Bankes qëndrore, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i Instatit etj), të gjithë këta janë në dorë të një kallzimi banal penal për t’u zhdukur nga faqja e dheut, pasi nuk kanë imunitet.

Kush do të jetë kokëulur do ta ruajë postin, në të kundërt prokurori i emëruar nga tirani e di misionin e tij. Me kënaqësi njësh-i i arshshëm i zgjedhur nga shqiptarët do të deklarojë, se opozita do të vijë në pushtet pas 70 vjetësh. Dhe nëse në atë periudhë do të ketë në krye të opozitës nipëra a mbesa të pushtetarëve të sotëm, me siguri që do t mallkojnë gjyshërit e tyre që u treguan aq dritë shkurtër dhe menduan vetëm për vete…

Një pyetje disi naive: Europa i lejon këto gjëra?

Ky karikaturimi që të përshkova më lart i një Shqipërie me elitë pa imunitet dhe me nje sistem represiv në duar të një partie, duhet të na hapë sytë dhe jo të na bëjë të mendojmë se Europa s’do t’i lejonte këto gjëra. Ku qe Europa, kur Fatos Nano kryetar opozite u burgos nga PD-ja për korrupsion në vitet 90? Mbase e meriton, tha ajo. Mbase e meritojnë do të thotë po ashtu Europa nesër, kur t’i shohim mbarë me pranga në duar për « korrupsion », një seri personalitetesh që në fakt i bëjnë hije pushtetit?

Në bisedën që patëm para kësaj interviste më shprehe vecanërisht rezerva për përgjimet. Tekstualisht më shkrove “nuk mund të luash me trarët që mbajnë ngrehinën e demokracisë, aq më tepër të brishtë si në rastin e vendit tonë”. Çfarë do të thotë?

Heqja e imunitetit të politikanëve, zyrtarëve të lartë shtetërore dhe atyre të drejtësisë, presupozon se këto kategori mund të hetohen tash e tutje si çdo qytetar i thjeshtë. Kjo do të thotë se ashtu siç mund përgjohet në telefona një qytetar i dyshuar për krim të madh ekonomik, apo terrorizëm, tani e tutje me ligjin e ri, dhe eksponentët kryesorë të opozitës do të mund të vihen në përgjim, legalisht, ditën me diell, dhe sigurisht pa dijeninë e tyre. Mjafton për këtë, që prokurori të shprehë se ka dyshime për vepë penale ndaj këtij apo atij politikani, dhe kjo është e mjaftueshme për të përligjur penetrimin me të gjitha format në çdo parcelë jete publike apo intime të këtij individi, që mund të jetë një deputet opozite, por që mund të jetë dhe nje zyrtar i lartë i ndershëm që nuk ka pranuar të fallsifikojë shifrat e borxhit apo të papunësisë, dhe shteti i bën legalisht shantazh. Këtë demokraci duam ne?

Shqiptarët nuk mund te thonë nesër « nuk e dinim ». Kush e emëron Prokurorin ? Mjafton që ky prokuror t’u bindet urdhërave të atyre që e kanë emëruar, mjafton që Kryetari i Gjykatës kushtetuese të jetë po ashtu nën urdhëra, mund ta qajmë për një kohë të gjatë ëndrrën për një alternancë politike në Shqipëri.Në një vend me “dosje” për çdo deputet nën përgjim, pasi prokuroria e ka këtej e tutje tani këtë kompetencë, nuk do të jetë biles fare e nevojshme të arrestohen me « problematikët », pasi aty Europa do të vinte kujën po të egzagjerohej. Më pak shantazh, këta deputetë opozitarë, transformohen në kal troje, në « kolona të pesta », që i zgjasin jetën pushtetit në fuqi. Demokracia shndërrohet në një farsë.

Megjithatë ligji, mbështetjen e Euralius e kishte…

Me gjithë respektin që kemi ndaj Euralius, ai grup ekspertësh bamirës europianë që ndikuan për ligjin e heqjes së imunitetit, frigohemi se një krijesë « Frankejshtani » herët a vonë do të mbijë në Shqipëri, po nuk u reformua me seriozitetin maksimal zinxhiri i emërimeve në postet kyçe të sistemit të drejtësise. Një ekuilibër i vështirë ky për t’u gjetur dhe në vetë demokracitë perëndimore. Prandaj Euralius nuk dha asnje rekomandim sesi te behen emerimet ne sferat e larta te drejtesise.

Po ta përmbledhim atë që kemi tani për tani: Opozita në Shqipëri propozon që gjithë hallkat kryesore të drejtësisë, të emërohen me një votë parlamentare sa më të vështirë për t’u arritur (2/3), në mënyrë që konsensusi të nxjerrë në pah elementët më të besueshëm për poste kaq të ndjeshme si Prokurori, Kryetari i Këshillit të lartë të Drejtësisë etj. Mazhoranca nga ana e saj pretendon se kjo formulë rrezikon të krijojë bllokime të pakapërcyeshme… Si zgjidhet?

Mazhoranca ka një fare të drejtë, nëse kujtojmë bllokimet legjendare të votimeve në parlament për zgjedhjen e Presidentit të republikës deri me 6 raunde, ndryshe vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme. Veçse duke « lehtësuar » zgjedhjen e Presidentit me votë nga partia mazhoritare, u kompromentua rëndë emërimi i pushteteve që burojnë nga firma e Presidentit. Një President partiak s’mund të emërojë veçse një prokuror partiak. Opozita i kuptoi me vonesë pasojat e naivitetit të saj kur leshoi pe me 2008, dhe i kthehet tani opsionit të votimit të zyrtarëve të lartë të drejtësisë me 2/3 e parlamentit.

Nuk është opsion për t’u lënë pas dore, për më tepër që nuk ka shumë opsione të tjera radikale, ndoshta përveç variantit amerikan dhe zviceran. Në këto dy vende, është vendosur sistemi i zgjedhjes drejtpërdrejt nga populli për disa përfaqësues të drejtësisë (prokuror, gjykatës). Në këtë mënyrë hallkat e drejtësisë nuk varen për emërimet e tyre nga politika por drejtpërdrejt nga populli sovran që i ndëshkon me vote nëse drejtësia lë për të dëshiruar. Por dhe ky sistem nuk është perfekt, pasi fushtatën elektorale të prokurorit e bëjnë partitë politike që perpiqen të vendosin kandidatët e tyre.

Pra si zgjidhet?

Mbetet referendumi. Kjo formë plebishiti popullor që Berisha donte ta përdorte për të votuar ligjin e heqjes së imunitetit, le të përdoret tani për përcaktimin e kuadrit ligjor të emërimit të hallkave kyçe të pushtetit të drejtësisë. Keshtu qe pergjegjesine ta kete sovrani. Një zgjidhje e pranueshme për të gjithë duhet sa më shpejt. Në më pak së një vit janë zgjedhjet e përgjithshme dhe është po ashtu një organ drejtësie që do të njohë rezultatin e tyre (KQZ e ndoshta Gjykata kushtetuese për kontestimet).

Pa këto organe të respektuara nga të gjithë, varka Shqipëri do të vazhdojë të lundrojë si e humbu, deri sa popullata të edukohet dhe sistemi politiko-juridik te vetëdisiplinohet për hir të disa vlerave morale kur ato të bëhen më në fund pjesë e adn-së dhe e botëkuptimit tonë. Kjo mund të zgjasë dhe disa dhjetëvjeçare. «Në demokraci, çdo gjeneratë është një popull i ri », thoshte Tokëvil, historian francez i shekullit të 19. Të shpresojmë që ai i ardhshmi të jetë më me këmbë në tokë se ky i tanishmi, dhe ta kuptojë se vetëm nga ekuilibri i pushteteve varet prosperiteti i tij dhe bashkëjetesa harmonike në komunitet.

Emri: Genc Burimi
Mosha – 42 vjeç
Diploma 1: Gjuhë frënge në Tiranë
Diploma 2: Shkenca Politike ne Grande Ecole Sciences Po / Paris
Master: Marredhënie ndërkombëtare në Universitetin e Sorbonës
Profesioni – Gazetar
Ish-diplomat, atashé kulture në Ambasadën e Shqipërisë në Paris
Gjendja Civile: I martuar, dy fëmijë
Hobi: Sporti dhe Mësimdhënia