Këta burra si gra, dhe këto gra gjasme “burra”

0
27

Mero Baze

Mero Baze, 26 Mars 2010

Ka pasur shumë reagime të njerëzve neutralë, ose thuajse me PD ndaj shfaqjes publike të zonjës Topalli javën e shkuar në Kuvend. Hakërrimi i saj ndaj opozitës, fjalori i varfër dhe steriotipet e zhurmuesit, që i ka adoptuar nga deputetët grindavecë që duan të prishin seanca, ishin të tepërta për zonjën që mban karriken kryesore të Kuvendit. Shija e hidhur që u lë shumë njerëzve përpjekja e zonjës Topalli për tu dukur “burrë”, nuk do të ishte asgjë e keqe, sikur ajo dhe shumë burra të tjerë në atë sallë të silleshin vërtet si burra. Mua personalisht edhe pse nuk më pëlqeu zonja Topalli i dhashë të drejtë me veten time, pasi mendova se ajo ishte duke i dalë zot një lëvizjeje politike që synonte të asgjësonte përpjekjet e opozitës për trasparencë.

Pamvarësisht mllefit me të cilin po e bënte, pamvarësisht zemërimit që ajo kishte me Komisionerin Fule, që kishte refuzura ato çaste takimin me të, dhe pamvarësisht poshtërimit që kishte ndjerë prej zotit Berisha, i cili kishte urdhëruar të hiqej karrikia speciale që ajo kishte bërë për veten e saj në Kuvend, ajo, duke i dalë zot publikisht një lëvizjeje politike kundër opozitës në pozicionin më radikal të mundshëm, mund të forconte profilin e saj të ëndërruar radikal. Lëvizje të tilla, edhe pse të papëlqyeshme nga shumica, janë pjesë e politikës. Problemi është se personazhet që inicojnë vetë lëvizje të tilla, u dalin zot deri në fund dhe i kthejnë në identitetin e tyre politik. Dhe zonja Topalli ka kohë që tenton pa sukses të formojë një identitet, që niset ti ngjajë “Skifterit” dhe përfundon në “Sorrë”, niset ti ngjaj “Tigrit” dhe përfundon në “Mace”.

Nëse Zonja Topalli do ta kishte sadopak të qart se ç’kërkonte vetë si politikane dhe si duhet të sillej me veten e saj, dje në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, duhet të rivazhdonte të mbronte Komisionin që ngriti, duhet ta kishte konstituar atë dhe duhet të bënte betejë qoftë dhe me të vetët apo zotin Berisha për të ruajtur individualitetin e saj. Por siç e thamë, zonja Topalli është një tigër prej letre që mjafton një shikim i vëngër i Berishës dhe squllet, duke u kthyer ne mace, që kauis me zë të ulur në karriken që ja kanë ndërruar po me urdhër. Por këtu nuk është problemi vetëm tek zonja Topalli.

Janë së paku disa dhjetëra deputetë të PD-së dhe shumicës parlamentare, që kanë një farë dinjiteti, të cilin përpiqen ta shpëtojnë dhe duke heshtur, të cilët u hodhën në betejë për një kauzë, që nuk e mbrojnë dot. Është e arsyeshme të besohet që kur Berishës i duhet të thojë gjëra pa sens, që s’ka ndërmend t’i bëjë, të përdorë për t’i artikuluar ato Bumcin, Alibeajn, apo Xhaferin, si njerëz që s’i merr njeri seriozisht. Por kur ai përdor një grup të tërë parlamentar për një shaka me qëllim që të ketë mundësi të mbetet në lojë për të folur me perëndimorët rreth krizës, kjo është një stekë e ulur shumë poshtë për dinjitetin e disa deputetëve të mbetur me pak personalitet në atë shumicë parlamentare.

Nuk di pse dje mu kujtua po ashtu Leonard Demi, një deputet korrekt, i matur dhe gjithmonë më viskozi, kur duhet të flitet për ligje, që kanë të bëjn me NATO apo SHBA. Biles është aq i kujdesëshëm në këtë pikë, sa është anektodik. Një javë më parë teksa e dëgjoja që mbronte ligjin qesharak të SHISH, dhe e quante atë, “sipas rekomandimeve të NATO dhe SHBA”, për një moment besova se Berisha ose i gënjen duke u lexuar ndryshe korespodencën me NATO, ose ua ka ndaluar të komunikojnë vetë me këto institucione.

24 orë më vonë, kur projektligji që u formulua me aq arrogancë duhet të kalonte në Kuvend, gjithçka ndryshoi. Berisha bëri të moderuarin dhe ligji nuk kaloi, por do të presë të marrë miratimin e NATO dhe SHBA. Në këtë moment më doli para sysh portreti i hutuar i Leonard Demit, i cili duhet të jetë çuditur shumë se si kishte mbrojtur një gjë, për të cilin NATO, e cila ka harxhuar për Leonard Demin më shumë pare se sa për gjysmën e oficerëve shqiptarë, paskësh mendim të kundërt.

Por pas kësaj sërisht asnjë zë. Zoti Demi dhe zotërinjtë e tjerë të Komisionit të Sigurisë, që kaluan ligjin, sillen si gra të bindura, edhe pse janë përdorur dhe poshtëruar publikisht, ashtu sikundër zonja Topalli sillet si burrë i zënë në faj, edhe pse hakërrimi i saj një javë më parë në Kuvend, ka humbur kuptimin dhe arsyet përse u shfaq.

Ky poshtërim publik, që po i bëhet kësaj shumice nga Berisha, vetëm për të testuar kufirin se deri ku perëndimi mund të mbështesë projektin e tij, është shumë regresiv, pasi shkreton dhe ato pak individalitete politike dhe kapacitetet intelektuale, që kanë mbetur brenda PD-së, duke i bërë qesharakë para opinionit publik. Këta burra si gra dhe këto gra gjasme burra, që na shfaqen përditë në ekrane, janë një akuzë e rëndë, jo se çfarë po i bën Berisha Shqipërisë, po çfarë po u bën tashmë atyre në dorë të të cilëve aksidentalisht ka mbetur Shqipëria.