Lutfi Dervishi, 11.08.2011
Një kryeredaktor që ndalohet nga policia, gazetarë që arrestohen. Pronarë mediash që mbyllin gazetën. Deputetë që thërrasin në seancë dëgjimore dhe gazetarë që mund të përfundojnë në burg! Publik i irrituar! Nuk është fjala për Bjellorusinë, apo Korenë e Veriut, as për vende të botës arabe apo vende me sistem një partiak. është fjala për vendin në Parlamentin e së cilit që në mesin e viteve 1700 është shënuar vërejtja e një deputeti që thekson se një qeveri nuk mund të qeverisë si duhet nëse nuk ka informacion se çfarë ndodh në vend dhe këtë mund ta arrijë vetëm përmes një media të lirë. Ky vend është Mbretëria e Bashkuar. Vendi ku liria e medias është e çimentuar dhe ku në skanerin e saj kalojnë gjithë pushtetet dhe gjithë të pushtetshmmit.
Po çfarë ndodhi që Rupert Murdok, cari i medias, tmerri i gjithë kryeministrave të Anglisë së 30 viteve të fundit merret në pyetje publikisht dhe këtë ditë ta cilësojë si “dita më e përunjur” e tij. Si është e mundur që kryeredaktorja që thërriste për darkë kryeministrat dha dorëheqjen dhe sot i nënshtrohet hetimit në qendër të të cilit është skandali i përgjimit të telefonave?!
Perandoria mediatike e Murdoch ishte aq e fuqishme sa mbështetja politike që ka dhënë gjatë dekadave ka paracaktuar fituesin e zgjedhjeve në Britani. Kur mbështeste konservatorët humbnin laburistët dhe anasjelltas. Në zgjedhjet e vitit 1992, kur “shumica” prisnin fitoren e laburistëve pas një dekade në pushtet të konservatorëve, ngjau e kundërta. Shumë komentatorë dhe vëzhgues fitoren e papritur të konservatorëve ja atribuan faqes së parë të gazetës tabloide “the Sun” (me tirazh ne atë kohë 5 milionë kopje). Në mëngjesin e ditës së votimeve, gazeta e famshme vendosi në faqen e parë foton e kryetarit të partisë Laburiste, Neili Kinnock dhe poshtë saj diciturën: “Nëse ky njeri fiton sot, nesër i fundit që do të largohet nga Britania të mos harrojë të fikë dritat”.
Me kalimin e viteve, perandoria mediatike e z. Murdoch njihte vetëm rritje. Por si me të gjithë perandoritë vjen një moment shpërbërje. Dhe ky moment vjen kur ke arritur të kesh në zotërim më shumë territor sa ç’mund të kontrollosh. Në seancën dëgjimore në Parlamentin Britanik, cari Murdoch pranoi se në kushtet kur kishte 54 mijë punonjës dhe dhjetëra biznese për të mbikqyrur, nuk arriti të mbante nën kontroll si duhet median dhe se njerëzit, që i ishte besuar pushteti kishin abuzuar. Një zinxhir piramidal abuzimesh.
Një fuqi në rritje kërkon ekuilibër kërkon përgjegjshmëri më të madhe. Skandali i fundit i gazetës “News of the World” pati në qendër të saj përgjimin e telefonatave të personaliteteve, të anëtarëve të familjes mbretërore, korruptimin e oficerëve të policisë. Megjithë miqësinë e njohur me kryeministrin dhe establishmentin politik, megjithë traditën e heshtjes së parlamentarëve për të mos zemëruar “carin”, kupa e mbushur disa herë nga media nuk mund të pihej më!
Nën peshën e opinionit publik, veprimin e parë të fortë e ndërmorri vetë Murdoch duke mbyllur gazetën dhe duke kërkuar ndjesë publike. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme. Në valën e zemëratës, Murdoch iu kërkua publikisht të hiqte dorë nga marrja kontrollit të aksioneve të televizionit satelitor shumë fitim prurës BskyB. Skandali që pati fillesat që në vitin 2005 nuk shpjegohet thjesht me konkurrencën e egër për të fituar në një treg që po humb terren për shkak të internetit, nuk mund të shpjegohet as me epitetin “tabloid”, as me tolerancën e njohur në Britani ndaj medias së lirë. Skandali shpjegohet më së mirë me rritjen e arrogancës së medias. Arrogancë për shkak të pushtetit gjithnjë e në rritje, pushtetit pa fre dhe pushtetit të pakontrolluar.
Në 1887, Lordi Acton në një letër që i dërgoi një peshkopi (Mandell Creighton) shkruante: “Pushteti ka tendencë të korruptojë, por pushteti absolut të korrupton në mënyrë absolute. Njerëzit e mëdhenj, janë pothuaj gjithmonë njerëz të këqinj”.
Media nuk është më ajo që ka qenë dhe nuk do të jetë më ajo që është. Në pyetje është pushteti i saj, metodat e punës, distanca me politikën dhe politikanët dhe vetë misioni i saj.
Nëse sot me të drejtë media kërkon më shumë transparencë, më shumë informacion dhe një skaner të hollësishëm të pushteteve të tjera dhe personaliteteve politikë, është koha që të njëjtin standart që u kërkon të tjerëve – ta aplikojë për veten. Të mos shohë me lupë qimen në syrin e tjetrit dhe të harrojë traun që ka në syrin e vet. Koha “bëni siç them unë, por mos bëni siç bëj unë” po mbaron.
Ne jetojmë në kohën kur pushteti medias njeh vetëm rritje, jemi dëshmitarë që media nuk ngurron që jo vetëm ruajë e të kontrollojë pushtetet e tjera, por edhe t’i diktojë qeverisë se si qeveriset më mirë, t’i tregojë Parlamentit se çfarë ligjesh duhen miratuar dhe t’i thotë gjykatës se çfarë vendimesh duhen marrë. Pushteti i katërt që kishte si detyrë të kontrollonte tre pushtet e tjera, po kthehet në një pushtet suprem që i pret shpata sa majtas aq edhe djathtas.
“Qeni roje” është kthyer në “bishë” dhe politika ka mësuar që është më mirë të ushqejë “bishën” sesa të shqyhet prej saj. Flirtet e medias me politikës kanë prodhuar një marrëdhënie bazuar në dashuri/urrejtje. Kur të dua, ti je më i mirë. Kur nuk më do, t’i je më i keqi i të këqinjve. Por litari këputet duke u tërhequr dhe zullumi duke u trashur. Ky është rasti i Britanisë me skandalin e përgjimeve. Dhe ndoshta jemi në kohë për të nxjerrë mësime në Shqipëri. Një pushtet në rritje, një fuqi e madhe duhet të ketë në proporcion përgjegjshmërinë. Pushteti pa kontroll tërhiqet më lehtë ndaj magnetit abuzim.
Nëse thuhet se para ligjit të gjithë janë të barabartë, nuk ka përse “njëri” të jetë më i barabartë se të tjerët.
A duhet të kthehet media tek misioni fillestar për të informuar, zbavitur dhe edukuar publikun? Në kushtet e reja, kur çdo gjë po ndryshon me shpejtësi kur mjetete e përcjelljes së informacionit janë revolucionarizuar, kur vetë lexuesit bëhen në të njëjtën kohë konsumatorë dhe prodhues të informacionit, do të mbesë mbi ujë vetëm media që ka besueshmëri te publiku. Kërkimi i së vërtetës është më i komplikuar për shkak se ka cunam informacioni! Historia ka dëshmuar se besimi i publikut tek media rritet shumë atëherë kur media përmes gazetarisë investigative nxjerr në pah abuzimin e pushtetit. Sot kjo nuk mjafton! Pyetja është: po abuzimin e medias kush do ta nxjerr në pah?! Çakalli nuk i nxjerr sytë çakallit!
Një dekadë më parë, në qershor të vitit 2000, Papa Gjon Pali i II e vinte theksin tek detyra e shenjtë e medias.
“Me ndikimin e gjerë dhe të drejtpërdrejtë mbi opinionin publik,- thoshte Shenjtëria e tij – gazetaria nuk mund të udhëhiqet vetëm nga shtysat ekonomike, nga përfitimet dhe interesat e palëve. Në njëfarë mënyre ajo duhet të shihet si një detyrë e shenjtë, që kryhet me vetëdijen se mjetet e fuqishme të komunikimit u besohen për të mirën e përgjithshme”
Perandoria mediatike e Rupert Murdoch ka nisur të tronditet. Historia tregon se perandoritë ishin në kulmin e fuqisë së tyre jo falë forcën e “shpatës” ata lulëzuan se fituan zemrat dhe mendjet e njerëzve. U shkatërruan kur nuk mundën të ndalnin oreksin në rritje dhe kur nisën abuzimin me pushtetin e madh që kishin!
* Botuar ne revisten AKT, korrik 2011







