TemA Online, 18 Korrik 2012
Pas kërkesës së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara për transparencë në projektin që po realizohet për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit, prerjen e pemëve dhe prishjen e murit rrethues të Pallatit të Brigadave, këshilltarët socialistë kanë këmbëngulur për transparencë nga Bashkia e Tiranës.
Kreu i grupit të këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi shprehet i shqetësuar për mosmbledhjen e Këshillit Bashkiak prej mëse dy muajsh, kur sipas tij janë rreth 400 banesa sociale të cilat duhet t’u jepen të pastrehëve sa më parë.
“Transparenca e Bashkisë së Tiranës vazhdon të jetë zero. Pse zoti Basha vazhdon të mbajë ende të pajetësuara vendime të rëndësishme, si rreth 400 banesat sociale në Tiranë? Përse nuk kaloi për miratim dhënien e truallit për përdorim për parkim nëntokësor në sheshin ‘Italia’? Për cilën arsye nuk paraqitet në interpelancë për një blerje pa interes të hidrocentralit të Lanabregasit nga Ujësjellësi i Tiranës? I kërkojmë publikisht kryetarit të Bashkisë t’i paraqesë Këshillit Bashkiak projektin e ndërhyrjes në Parkun Kombëtar dhe në cilat akte ligjore është mbështetur masakra mjedisore dhe përpjekja për goditjen e monumenteve shumë-vjeçare të kulturës”, deklaroi kreu i këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi.
Mbledhja e radhës e Këshilit Bashkiak zhvillohet në orën 19:00, por sipas Dalipit në rendin e ditës janë paraqitur vendime që nuk kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve.
“Rendi i ditës së sotme është një rend dite që deri tani është fare pa asnjë ndikim në jetën e qytetarëve. Janë vendime rutinë, bëhet fjalë për pagesa kuotash që Bashkia e Tiranës u bën organizatave ku merr pjesë. Për këtë ne jemi të interesuar se përse në Këshillin Bashkiak nuk vijnë vendime të rëndësishme? Pse nuk vijnë vendime që janë të gatshme që prej 2-3 vitesh? Ju them që në rastin e 400 banesave sociale, janë shumë kategori të cilat prisnin që të fillonte një projekt tjetër me këto banesa”, tha zoti Dalipi.
Dalipi kërkon që në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Kryetari Basha të japë sqarime që nga projekti ‘GIS’, banesat sociale, problemi me romët dhe karrotrecët e shfaqur nëpër rrugët e Tiranës që grumbullojnë makina pa praninë e Policisë Bashkiake apo asaj rrugore.
“Ngjarjet e fundit me komunitetin rom ku përfaqësues të tij u dhunuan verbalisht e fizikisht janë të patolerueshme. Ata ndodhen në kushte ekstreme të varfërisë dhe janë me mijëra. Si rrjedhojë, presioni dhe dhuna ndaj tyre, sekuestrimi i mjeteve të punës e kthen këtë kategori në një problem të rëndë social për kryeqytetin. Kemi kontaktuar me Avokatin e Popullit dhe kërkojmë që të vazhdojë mbledhja e fakteve dhe vënia përpara përgjegjësisë e kujtdo që ka tejkaluar të drejtat ligjore.
Një zyrtar i lartë me uniformë i bashkisë që ka qenë në krye të veprimeve antiligjore ndaj komunitetit rom ka arritur madje të kërcënojë me jetë një anëtar të këshillit bashkiak. Asnjë reagim nga kryetari i bashkisë. Por përsëri heshtje. Po ky zyrtar i zotit Basha është nën akuzë nga prokuroria e Përgjithshme për dhunë ndaj dy grave proces që po vazhdon në gjykatën penale por përsëri kryetari i bashkisë e sheh të udhës mos flasë por të mbrojë dhunën e fyerjen,” tha Dalipi.
“Këtu përfshihen edhe denoncimet e qytetarëve për marrjen peng të automjeteve, vend e pavend, nga një grup karroatrecash për qëllime haptazi përfitimi. Përndryshe nuk ka si shpjegohet një gjobitje pa faturë, pa paralajmërim, dhe pa detyrimin për të informuar qytetarin për çdo veprim me pronën e tij.
Së fundi, prej disa ditësh deputetë të parlamentit, kanë shprehur shqetësimin e tyre për një tender të një shërbimi publik, sistemit GIS, i cili është tenderuar më parë që në vitin 2004. Përveç detyrimeve ligjore që bashkia ka për t’u përgjigjur këtij problemi ne i kërkojmë sot publikisht Kontrollit të Larte të Shtetit të nisë procedurat ligjore për verifikimin e procesit të tenderimit të sistemit GIS. Nuk ka mundësi që një shërbim, i cili ka kushtuar në vlera minimale në vitin 2004 të kushtojë sot 500 mijë dollarë.”