Këshillë Fluturës

0
58

Shega Ligori

Unë nuk e njoh nga afër Flutura Açkën. Di që jemi nga një qytet dhe që shkruan poezi, të cilat nuk kam pasur rastin t’i lexoj. Di gjithashtu që emri i saj iu bashkua listës së disa puthadorasve të pushtetit, që nënshkruan peticionin qeveritar kundër grevës së urisë majin e shkuar. Punë për të. Rasti e solli ta njihja pak më shumë, ngaqë e gjeta durimin për ta lexuar deri në fund shkrimin e saj të stërzgjatur ku, krejt pa sens e pa arsye, kërkonte të dinte se ku ndodhesha unë ditën e premte, më 21 janar 2011 (“Atdhe i tradhtuar”, gazeta “Shqip”, 27 janar 2011).

Nuk dëshiroj të komentoj gjerësisht mendimet e zonjës për gjëmën që ngjau më 21 janar, ndonëse më la një shije të keqe përkimi i mendimeve të saj me propagandën e shfrenuar fashistoide të pushtetit. Që kur s’i del argumenti për t’i mbushur mendjen gjindjes se Edi Rama ia paska tradhtuar atdheun, i turret pandershmërisht Ina Ramës, pa e kuptuar se ngjyra e flokëve dhe prerja e kostumit të kryeprokurores nuk ka asnjë lloj lidhjeje me detyrimet kushtetuese të prokurorisë dhe as me hetimet që kryejnë vartësit e saj për ngjarjen.

Idetë e zonjës Açka për politikën, shoqërinë dhe vlerat njerëzore nuk më interesojnë shumë; ajo ka të drejtë të besojë çfarë të dëshirojë. Por nuk mund ta fsheh se më duket një cinizëm i pashpirt që viktimat e pushtetit barbar t’i rivrasë metafora e shpifur e poetes, teksa Fluturës nuk i dridhet dora që gjakun e të ndjerëve që ranë nga plumbat e regjimit ta quajë “gjak cjepërish”.

Dhe tani, zonjë, më duhet t’jua heq kureshtjen se ku isha unë pasditen e 21 janarit. Isha së bashku me djalin tim student dhe me plot miq e shokë nga qyteti im i lindjes, nga qyteti juaj i lindjes, në mes të demonstruesve opozitarë. Isha aty, sepse besoj se ky vend, i zhytur përditë e më thellë në varfëri nga një pushtet i grabitur dhe i panginjur në vjedhje, meriton një të ardhme më të mirë.

Isha aty sepse mendoj dhe besoj se njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, të cenuar në dinjitetin e tyre nga bëmat dhe gjëmat e një pushteti të pashpirt, kanë të gjithë të drejtën e zotit të protestojnë për një jetë më të mirë, për vete dhe për fëmijët e tyre. Pashë me sytë e mi dhe ndjeva në shqisat e mbi trupin tim provokimin djallëzor të pushtetit, teksa përdori gazin lotsjellës dhe pompat e ujit kundër demonstruesve paqësorë, me qëllimin e qartë për të nxitur kundërveprimin e tyre. Isha aty dhe e dëgjova barbarinë e zbrazjes së plumbave mbi turmën e demonstruesve.

Mundet që e keni parë edhe ju, ndonëse nuk e keni guximin qytetar e intelektual që ta pranoni se popullin e tyre e vrasin juntat, kurrsesi qeveritë që vijnë nga populli dhe që punojnë për popullin. Më pas, pashë edhe shkelmat e shkopinjtë që përdorën falangat burracake të pushtetit, kundër njerëzve të pambrojtur, pasi demonstrata ishte mbyllur tragjikisht. Sot do të jem përsëri për t’u lutur për shpirtin e atyre që ikën pa bërë asnjë faj.

Në fund fare, meqë më cyte të rrëfehem ku kam qenë atë pasdite, do t’ju lutem ta dëgjonit këshillën e poetit:

“Flutur e vogël, e gjorë, e natës,

Kohën kot mos e vrit.
Mundohu të mësohesh me diellin,
Është m’e bukura drit’.”