Nga Enver Robelli
– Një leksion nga Kroacia: Si të korruptoheni dhe të shpëtoni pa asnjë ferrë në këmbë
Para pak ditësh në zyrën e Artur Kosanoviçit në Radiotelevizionin e Kroacisë (HRT) u shfaqën auditorët. Qëllimi i vizitës së papritur ishte një kontroll rutinor i kontabilitetit. Kosanoviç, një zyrtar për financa në HRT, i priti auditorët me përzemërsi. Pasi shkëmbyen disa fjalë mirësjelljeje, auditorët i kërkuan Kosanoviçit të gjitha fletëdëshmitë për honorarët e paguar. Zyrtari i televizionit filloi të belbëzojë dhe, në fund, tha se fletëdëshmitë i kishte të ruajtura në një zyrë tjetër, prandaj i luti auditorët të presin pak derisa t’i sjellë dokumentet. Kosanoviç doli nga zyra dhe auditorët pritën 10 minuta, 20 minuta, 30 minuta, një orë. Kontabilisti i televizionit humbi pa gjurmë. Dikur ai u lajmërua përmes telefonit. Tha se ndodhej në Bosnjë, në vendin fqinj, ku kishte ikur me veturën e tij të shpejtë. Menjëherë u mor vesh se diçka s’ishte në rregull me librat e kontabilitetit në HRT. Tani policia është duke hetuar rastin.
Dyshohet se Kosanoviç ka nënshkruar fletëdëshmi fiktive për pagesën e honorarëve të përkthyesve të televizionit kroat. Bëhet fjalë për 200 mijë euro të vjedhura. Me gjasë Kosanoviç një kohë të gjatë nuk do të ballafaqohet me drejtësinë. Si shumë zyrtarë kroatë, të cilët janë korruptuar, edhe Kosanoviç, përveç pasaportës kroate, ka marrë një pasaportë të Bosnjës. Duke qenë shtetas i këtij vendi, ai nuk mund të ekstradohet. Këtë nuk e lejon ligji i Bosnjës. Kështu veprojnë edhe kroatët e Bosnjës, të dyshuar për korrupsion apo delikte të tjera. Ata posedojnë pasaporta të Kroacisë, dhe kur shpallen në kërkim nga policia e Bosnjës, atëherë ikin në Zagreb ose Split. Edhe ligji i Kroacisë për shtetësi ndalon ekstradimin e shtetasve në një vend tjetër. Mes Bosnjës dhe Kroacisë është duke u zhvilluar prej vitesh një turizëm i kriminelëve.
Leksion për Kosovën
Çfarë mund të mësojnë disa politikanë të korruptuar të Kosovës nga ky rast në Kroaci? Mënyra më efikase për t’i ikur përndjekjes ligjore, nëse një gjë e tillë do të ndodhë ndonjëherë në Kosovë, është që të korruptuarit kosovarë të marrin pasaporta të Shqipërisë. Nëse i shpëtojnë arrestimit dhe ikin në “shtetin amë”, atëherë qeveria e Shqipërisë nuk ka të drejtë t’i ekstradojë. Sepse asnjë shtet nuk i ekstradon shtetasit e tij në një vend tjetër, kjo është praktikë ndërkombëtare. Ikja në Shqipëri ka disa përparësi për kosovarët e dyshuar për korrupsion: atje ata do ta kenë detin afër, klima është e butë, duke filluar nga muaji prill mund të lahen në Adriatik ose Jon, kontaktin me opinionin në Kosovë mund ta mbajnë përmes televizioneve të Tiranës, disa prej të cilave kanë mirëkuptim të madh për korrupsionin dhe të korruptuarit, sepse udhëhiqen nga disa banditë oborrtarë që thonë se janë gazetarë. Shikuar nga ky prizëm, Shqipëria mund të jetë një strehë e ngrohtë për kosovarët e korruptuar.
Jo vetëm për këta të politikës. Edhe mjekët e korruptuar të Kosovës mund të ikin në Shqipëri. Si shembull mund të marrin kirurgun e zemrës Ognjen Simiç, i cili nga Gjykata e qarkut në Rijekë vitin e kaluar u dënua me 9 vjet burg, pasi u dëshmua se kishte marrë ryshfet nga pacientët (në gjithsej 18 raste). Simiç e kishte pasuruar buxhetin familjar për 33 mijë euro. Gjykata po ashtu kishte vendosur që Simiçit t’ia ndalonte ushtrimin e profesionit për pesë vjet. Në arsyetimin e dënimit gjykatësi kishte thënë se mjeku Simiç në mënyrë të paturpshme kishte shfrytëzuar gjendjen e rëndë të pacientëve për t’u pasuruar. Përkundër dënimit Simiç nuk ndodhet në burg. Ai ka ikur në Bosnjë. Meqë është shtetas i këtij vendi, ai nuk është ekstraduar. Nga Sarajeva ai tallet me drejtësinë kroate.
Acidi i Osijekut
Në Bosnjë ka gjetur strehim edhe Branimir Glavash. Gjatë agresionit të forcave serbe kundër Kroacisë në gjysmën e parë të viteve ‘90 ai ka qenë shef i mbrojtjes së qytetit të Osijekut në lindje të Kroacisë. Pas luftës ai u bë njëri prej figurave më të fuqishme të rajonit të Sllavonisë. Një patriot me vulë të shtetit. Por, me kalimin e viteve, në biografinë e Glavashit u zbuluan disa njolla. Ai u akuzua për krime lufte kundër qytetarëve serbë të Osijekut. Me urdhër të tij ishin ekzekutuar tetë civilë serbë dhe ishin hedhur në lumin Drava. Në një rast tjetër ushtarët e Glavashit kishin detyruar disa serbë të pinë acid nga akumulatorët e veturave. Komandanti i Osijekut i kishte hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe as që mund ta merrte me mend se shteti i tij tani po e dënonte si kriminel lufte.
Një gjykatë në Zagreb e ka dënuar Glavashin me 10 vite burg. Dënimi atij iu shpall në mungesë, sepse edhe Glavash ndërkohë kishte siguruar një pasaportë të Bosnjës. Autoritetet e këtij vendi e kanë hedhur poshtë kërkesën e Kroacisë për ekstradim. Por, ky turizëm i kriminelëve mund të marrë fund një ditë. Nën presionin e Bashkimit Evropian, Kroacia është duke negociuar me Bosnjën për ndryshimin e ligjit të dyshtetësisë. Ministri i Drejtësisë i Republikës së Kroacisë, Ivan Shimonoviç, njëri prej juristëve më të njohur të vendit, është i vendosur që të krijojë rend në sistemin gjyqësor. Shimonoviç është zgjedhur ministër vitin e kaluar si kandidat i pavarur. Më herët ai e ka përfaqësuar vendin e tij si ambasador në selinë e OKB në Nju-Jork dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.