Shekulli, 28.04.2010
“Edhe ti si Trebicka do përfundosh o tellall. Paret që të ka dhënë Edi Rama do t’i marrësh me vete në varr, se ditët të numëruara i ke”.
Ky është vetëm një nga mesazhet që kolonel Myslym Pasha, profesori i hartografisë, i njohur si denoncues i Paktit Detar me Greqinë, ka marrë në adresën e tij në Facebook dhe në telefonin celular.
Mesazhet janë dorëzuar prej javësh në organet përkatëse, por deri më tani nuk ka asnjë ecje përpara me hetimet. Profesor Pasha ka preferuar të hesht për to, për të mos shqetësuar në veçanti familjarët e tij, megjithëse rrethi i ngushtë i miqve të kolonelit ka qenë në dijeni të tyre që në kohën që u dërguan.
Pas angazhimit publik në mbrojtje të intergritetit territorial të vendit, qeveria në detyrë e kryeministrit S.Berisha, zhvilloi një fushatë denigruese ndaj z.Pasha.
Gazeta e PD, “Rilindja Demokratike”, e quante Pashën “pensionist të lajthitur” dhe “folklorist”. Ajo botonte në faqe të parë foto ku hartografi i moshuar shfaqej duke kënduar me grupin polifonik të Mallakastrës.
Vetë S.Berisha, në një intervistë të dhënë për “Zërin e Amerikës” në ditët e fundit të vitit të kaluar e etiketoi profesor Pashën si “sharlatan”.