Nga Mero Baze, 12 Qershor 2012
Dy muaj më parë, në fund të muajit mars, në gazetën Tema kemi shkruar se Sali Berisha ka një plan për të bërë president të Republikës Bujar Nishanin. Në atë kohë burimet tona ishin nga biseda direkte të Berishës me drejtues të rrethit të tij të ngushtë të PD-së. Edhe pse e kemi shkruar dhe botuar këtë informacion, edhe pse e kemi parë zotin Nishani si një person të përshtatshëm për të qenë presidenti i Berishës, thellë- thellë nuk e kemi besuar. Shëndeti i tij i përkeqësuar, mungesa e transparencës dhe e një raporti shëndetësor publik për sëmundjen e tij, profili i ulët kulturor dhe politik dhe hallakatjet e tij nga enverist në demokrat, na bënin të besonim se ai do të lihej në paqen e vet. Por me sa duket Sali Berishës i duhej jo vetëm një gjysmë president, por dhe një gjysmë njeriu.
Por ndërsa të gjithë po merren me festën e Nishanit në PD dhe zinë që ka rënë në Bruksel për të, dy ish- kandidatët që i hapën rrugën zgjedhjes së tij ndjehen tani më të keqpërdorur se kurrë, bile dhe të linçuar. Sali Berisha duket se ka pasur të qartë në kokë një plan për të shkuar drejt Nishanit me një blof shumë të llogaritur. Të parin e kandidatëve, Xhezair Zaganjorin, ai e përzgjodhi si kandidat për president konsensual, por që opozita të tërbohej dhe të mos e pranonte fare bisedën për të, e bëri fakt të kryer dhe ia imponoi asaj si kandidat të vetëm. Nga ana tjetër duket se dhe në marrëveshjen e tij me Zaganjorin ka qenë e fiksuar se ai do të qëndronte në garë deri në raundin e tretë, pavarësisht se Berisha bënte sikur ai dëshironte të vazhdonte gara. Zaganjori tentoi të zgjeronte konsensusin, por nuk ia arriti. Pas tij Berisha u takua me Ramën dhe e bëri të sigurt eliminimin e tij.
Kështu, pas dorëheqjes së Zaganjorit iu hap rruga Artan Hoxhës. Sipas vetë Hoxhës, Berisha e ka thirrur atë në takimin e parë të premten e shkuar, ende pa u eliminuar Zaganjori, çka do të thotë se Berisha e kishte llogaritur të ikur Zaganjorin. Hoxha nuk ka pranuar, por pas një takimi të dytë pas eliminimit të Zaganjorit, dhe i vendosur në një kontur emrash jokredibël, ka pranuar pasi e ka parë veten kandidat me shanse. Hoxha këmbëngul se Berisha dhe Meta i kanë siguruar mbështetje deri në fund dhe ai ka pranuar. Për dy vitet e fundit Hoxha ka qenë një skifter i Berishës në opinionin publik dhe një orientues i avokatisë publike të Berishës edhe për gjëra të pambrojtshme siç janë vrasjet e 21 Janarit apo zgjedhjet e 8 Majit. Kandidimi i tij prej Berishës dukej një përzgjedhje inteligjente për të luajtur me maskën e shoqërisë civile dhe nga ana tjetër për të vënë “një militar” të Berishës në krye të shtetit.
Por çfarë ndodhi? Në momentet finale të votimit për të, ka dalë në skenë një histori e shëmtuar, që e përflet Artan Hoxhën për të kaluarën e tij si adoleshent. Unë nuk e besoj atë histori. Unë nuk kisha dëshirë të kisha Artan Hoxhën president, por nuk kam dëshirë që një njeri të linçohet për një histori të shpikur nga Sali Berisha kur Artan Hoxha ishte kundërshtar i tij. Në vitin 1993 ai e ka larguar atë nga ministër dhe ka përfolur në rrethin e tij këtë histori. Atëherë nuk kishte ligj për dosjet e Sigurimit të Shtetit dhe nuk dihej pse Berisha ishte dashur të shfletonte ato dhe të gjente pikërisht diçka të keqe për ish ministrin e tij 27 vjeçar, të cilin një vit më vonë e linçoi dhe për korrupsion.
Por ana diabolike e kësaj stisje është se ky njeri që mbushi gjithë rrethin e tij të afërt për të kaluarën e Hoxhës në vitin 1993, në vitin 2012, pra 19 vjet më vonë, i jep atij siguri se do ta mbështesë deri në fund për president. Tani ose Berisha e ka sajuar atëherë atë histori dhe tani është i sinqertë se Artan Hoxha është i pastër, ose ai e ka kandiduar atë për ta djegur deri në minutën e fundit dhe për t’i hapur rrugë kandidatit që kishte piketuar muaj më parë për president dhe që e lakonte zyrtarisht me bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Në të dyja rastet linçimi që i bëhet një njeriu, i cili ishte në punë e vet dhe sot bëhet papritur një figurë e linçuar vetëm për t’i hapur rrugën një “gjysmë njeriu” për president, flet qartë për një makiavelist të ndyrë në krye të vendit, të cilit nuk i dhimbset askush, as shërbëtorët e heshtur e të sëmurë dhe as skifterët që kanë fituar urrejtje popullore vetëm pse mbrojnë krimet dhe vjedhjet e tij. Kam vënë re qindra komente negative në blog-un e gazetës Tema për Artan Hoxhën a thua se ai është problemi i Shqipërisë.
Unë vetë jam përlarë disa herë me të, në debate publike në TV kur bën sofistin për gjëra krejt të qarta që flasin për krime shtetërore të Familjes Berisha në Shqipëri. Kam pasur gati kacafytje me të për 21 Janarin, video-skandalin Meta, 8 Majin apo Gërdecin, por kjo nuk është arsye që ai të linçohet për një gjë për të cilën nuk kemi asnjë fakt. Nuk është koha të urrehet Artan Hoxha dhe as të linçohet ai. Ai më shumë se nga kushdo tjetër është linçuar dhe keqpërdorur në këtë histori nga Sali Berisha, duke përzgjedhur një histori të shëmtuar adoleshence që unë besoj se është e sajuar. Unë kam qenë për 5 vite në një kurs dhe në një fakultet me Artan Hoxhën në fund të viteve tetëdhjetë dhe ai ishte thjesht një student i shkëlqyer, i parë me sy të keq nga regjimi.
Nëse Artan Hoxha do ishte njeri i regjimit, mua nuk do më ndalonin të shkruaja qoftë dhe një portret pozitiv për të në gazetën Studenti, siç më ka ndodhur në vitin 1988. Nëse referenca tek fjalia e Berishës se ai ka shkëmbyer informacion me një oficer sigurimi kur ishte adoleshent është e vërtetë, atëherë këtu kemi të bëjmë me një lojë të ndyrë të Berishës që është gati të përdorë dhe linçimin psikologjik të një njeriu, që i ka shërbyer më shumë se ai i ka shërbyer vetes, për t’i hapur rrugën një eunuku qesharak, fotografia e të cilit dhe puthjet e zjarrta me Berishën na kujtojnë skenën kur Erdogan bëri president zotin Gyl.
Së fundmi, meqë kjo ndodhi, u bëj thirrje kolegëve të mi që janë të lirë të shkruajnë dhe mendojnë vetë, t’i kërkojnë Presidentit të zgjedhur të bëjë publike sëmundjen e tij dhe kartelën mjekësore. Nuk është etike që një kryeministër, i cili urren të ketë vendi një president dinjitoz, të zgjedhë në atë post një president të sëmurë që nuk komandon dot veten, por meqë këtë skandal e bëri, ne duhet të dimë nga se vuan presidenti i zgjedhur dhe sa e rrezikon ajo sëmundje aftësinë e tij për të drejtuar Shqipërinë. Duhet t’i kujtojmë Sali Berishës se mjeku i presidentit Miteran është ndjekur penalisht pse fshehu tumorin e Miteranit me qëllim që të rizgjidhej dhe se Xhorxh Bush i Vjetër u ndëshkua nga votuesit vetëm për një gjendje kllapie në takimin në Japoni në vitin 1991.
Detyrimi që publiku të jetë i informuar për gjendjen shëndetësore të Presidentit buron nga detyrimi kushtetues që duhet të përmbushë presidenti për të qenë në detyrë. Një prej arsyeve kur ai shkarkohet është dhe kur është i paaftë fizikisht të kryejë detyrën. Ne na duhet një raport zyrtar për këtë. Jo nga Doktor Berisha. Nga mjeku suedez ku Bujar Nishani shkon për operacione. Ndoshta na kushton më lirë t’i paguajmë një honorar special dhe të mjekohet me paret e shtetit se të lërë shtetin në dorë të Sali Berishës duke bllokuar karrigen e kreut të parë të vendit.