Nga Redan Bushati, 1 Qershor 2013
Meqenëse biseda me kreun e PS-së, Edi Rama, ka rezultuar njëfarësoj pozitive, në suazën e një komunikimi më së tepërmi qytetar-lider opozite, kësaj here, në pamundësi për t’ia përçuar direkt gjykimin për çështjen e mëposhtme, ngaqë është periudhë fushate dhe dyshoj se ai ka kohë të lexojë morinë e mesazheve të përditshme, përmes gazetës “TemA” zgjodha t’i analizoj një nga cenet e fushatës së socialistëve në Shkodër, që po përsëritet në mënyrë periodike.
Kjo e metë e fushatës ka të bëjë me keqmenaxhimin e saj dhe servirjen e cungët që i bëhet programit, formës dhe përmbajtjes në tanësinë e vet përballë elektoratit të qarkut të Shkodrës. Dihet se ky qark (ka 11 mandate) përpos zonës së qytetit, që edhe kjo është e ndarë në 5 rajone, secili me specifikat e veta, kemi edhe zonat e NënShkodrës, Malësisë së Madhe dhe Pukës. Secili asish ka problematikat e veta dhe përbërjen shoqërore të caktuar, që në fund të fundit nevojitet njëlloj përshtatjeje.
Ja ta zëmë, një rast hipotetik, nëse vjen cilido prej anëtarëve të sotëm të kryesisë së PD-së për të kandiduar në Shkodër përballë kryeparlamentares Topalli e ka të sigurt humbjen, si buka që hahet. Kjo nuk vjen vetëm për faktin se Topalli është nga Shkodra, aq sesa prej vitesh ajo ka krijuar dhe shtruar terrenin politik në kryeqendrën e Veriut. Mu për këtë Edi Rama më së pari, pastaj këshilltarët e tij personal e menaxhuesit në qendër të fushatës duhet ta kenë parasysh një fakt të tillë, të patolerueshëm e panegociueshëm assesi.
Në 2007-n kur garonte Namik Kopliku për kreun e bashkisë Shkodër, gjatë fillimit të fushatës, ngase ka një natyrë të qetë, të butë dhe tolerante, lejonte që ta shoqëronin të gjithë pa përjashtim, deri kur një mik i tij intelektual e këshilloi që në zonat ku të shkonte duhej të përshtaste edhe bashkëshoqëruesit e tij. P.sh. nëse shkonte në Perash, Parrucë a Gjuhadol duhej të shoqërohej nga familjet e vjetra shkodrane; e kundërta duhej të ndodhte në Fermentim ta zëmë, ku duhej të shoqërohej nga të ardhurit rishtaz në PS-në e qytetit, pas uljes në Shkodër. Këtë gjë e përmirësoi më vonë, dhe dha efekt.
Natyrisht, secila prej partive synon maksimalizimin e votave, ani mënyrës së arritjes së tyre. Dhe duke kërkuar me çdo kusht rritjen e votave ndaj subjektit që përfaqësojnë, shpesh marrin përgjegjësi që s’iu takojnë, në vend që t’i ndajnë në punën në grup. Nëse në PD kryesisht një gjë e tillë respektohet, ndonëse edhe aty ka filluar prej ca vitesh të mbytet fryma qytetare nga këta, e kam thënë edhe më herët, që vijnë me mendësi “nga zbret lopa dhe gjithë dhi, me frena dore nëpër malore”, në PS një gjë e tillë s’po merret aspak në konsideratë. Deri diku pozicionimi i Zef Çunit është i duhur, por të shikosh Namik Koplikun dhe Mimoza Hafizin, që qëndrojnë si statujë dhe “prijësin” në zonat e qytetit e merr dikush tjetër, kjo përbën një shqetësim real.
Rama vetë duhet ta kuptojë, që p.sh. Sterkaj bën punë në Malësinë e Madhe, dhe aty duhet të përqendrojë gjithë fuqinë e tij; Tom Doshi maksimalizon votat në zonat e NënShkodrës dhe në dy rajone të qytetit (lagjet periferike, pjesërisht në rajonin 5 dhe 2); Namik Kopliku, Mimoza Hafizi dhe Zef Çuni “thithin” në pjesën e elitës së ngritur qytetare, tek “kokat e rënda”. Pikërisht këtu terreni është shterpë. Nevojiten takime të herëpashershme me letrarë, pedagogë, drejtues të jetës arsimore, artistë, sipërmarrës etj. Sakaq, p.sh. Megi Ajtyresa, duke i shtrirë dorën e ndihmës Keti Bazhdarit, të dyja së toku duhet t’i “turren” gjithë hapësirës së të rinjve, demokratë a socialistë, pa parti a me partinë e mekanikut qofshin. Nuk ka ç’bën Ajtyresa në Malësinë e Madhe!
Thjesht është humbje kohe, ku gjatë fushatës orët të duken gjithnjë e më të mangëta. Nga ana tjetër, Rama ndonëse gaboi me Bazhdarin (nuk e përfshiu në listë), sërish ka kohë të lëvizë gurët, në mënyrë që ajo të jetë superaktive hem me target-grupin e të rinjve, hem me një pjesë të persekutuarve. Po ashtu, Sait Fishta duhet të përqendrohet në maksimalizimin e votave veçanërisht në rajonin 1 dhe 3. Në të njëjtën kohë, nga zonat e Kirasit, Dudasit, Tepes, por edhe të Zogajt, Shirokës, Anës së Malit, Bërdicës etj. të synoj elektoratin e përkatësisë fetare myslimane. Po kështu duhet të veprojnë kandidatët e tjerë me Pukën dhe zonat nga ata vijnë, ku kanë investuar politikisht. Kjo është fushatë efikase.
Një gjë vihet re qartas, organizimi i PS-së në Shkodër është kuturu. Ndonëse përpiqet më së shumti përmes Doshit, kjo është mjaft e pakët. Nevojitet një forcë e alternuar dhe e bashkuar, ku secili ndan e merr përgjegjësi në shërbim të maksimalizimit të votave, përndryshe mandatin e pestë, që nuk e kanë më shumë se 3300 vota larg (krahasuar me 2009-n), ta shikojnë në ëndërr…