Nga Mero Baze, 6 Korrik 2012
E lexova intervistën e ambasadorit Jensen dhe më bëri shumë përshtypje jo sensi kritik për qeverinë shqiptare i diplomatit, por koncepti me të cilin një perëndimor e shikon si antivlerë kombëtare mos reagimin e shoqërisë ndaj regjimeve. Shumë shqiptarë, për të mos thënë fryma e përgjithshme e shoqërisë shqiptare, i shikon fatkeqësitë e veta si një rast për të cilën të huajt duhet të ndjejnë keqardhje, ndërsa perëndimorët dhe njerëzit e lirë, i shikojnë ato si mungesë vlerash dhe dinjiteti. Ky keqkuptim i madh i shqiptarëve me detyrat e tyre dhe rolin e Perëndimit në historinë e tyre, vazhdon të mbetet një paranojë që dëmton thelbin e dinjitetit të shoqërisë shqiptare.
Në intervistën e tij të fundit si ambasador për revistën Java, ai thotë se “jam habitur nga ngurrimi i popullit shqiptar për t’u ngritur për të drejtat dhe interesat e tij. Nuk mendoj se ndonjë popull tjetër evropian do të kishte reaguar ndaj ngjarjeve të 21 Janarit, ashtu siç reaguan shqiptarët. Nuk mendoj se shumica e evropianëve do të pranonin nivelet e korrupsionit dhe padrejtësinë që ju shikoni në Shqipëri, pa reaguar. Nuk besoj se ndonjë popull tjetër evropian do të pranonte në heshtje që mjedisi i tij të shkatërrohej për shkak të përfitimit dhe lakmisë personale…”.
Sapo një përmbledhje e intervistës u fut online në gazetën Tema, shumica e komentuesve, përveç falënderimeve për ambasadorin, ngrenë gjithmonë problemin, se qëndrimi i diplomatëve perëndimorë me dy standarde ndaj regjimit në Shqipëri ka dëmtuar reagimin e shoqërisë ndaj tyre.
A është ky një justifikim?
E them që në fillim se nuk është aspak justifikim. Problemi që unë shikoj tek shumë komentues apo qytetarë të Shqipërisë është se ata kanë më shumë dëshirë të duken viktima të diplomacisë perëndimore se sa njerëz të pafuqishëm dhe pa kurajë siç në të vërtetë janë. Problemi real që ne kemi në komunikimin me diplomatët është se ata në punën e tyre rutinë duhet të përballojnë marrëdhëniet me qeverinë shqiptare dhe jo me shoqërinë shqiptare. Fakti që shoqëria shqiptare, ose fryma e përgjithshme e debatit në shoqërinë shqiptare, orientohet tek fakti nëse na mbështesin apo jo diplomatët, është e pakuptueshme për ta. Duke qenë të tillë, dhe duke qenë se vetë Berisha u hap boll punë, ata në një farë mënyre menaxhojnë problemet që u hap Berisha, apo rrethi i tij. Ata nuk janë këtu as për të na nxitur dhe as për të na frenuar ne, në vendimet tona për të mbrojtur vlerat perëndimore.
Ajo çfarë ambasadori danez thotë për 21 Janarin nuk ka të bëjë as me 22 janarin as me 23 janarin, as me përpjekjet e Berishës për ta shpallur puç shteti, por reagimin e derisotëm të shoqërisë shqiptare ndaj asaj që ka ndodhur. Ne atë ditë e kemi fyer çdo ditë me mos reagimin tonë, me faktin që Ministri i Brendshëm që vrau dhe la fëmijë jetimë u lejua të hyjë në Bashki, me faktin që kur ekspertiza amerikane provoi se vrasjet i ka bërë krahu i djathtë i Berishës, e lejojmë atë të rrijë i lirë në shtëpi, dhe mbi të gjitha me faktin që e quajmë vrasje të frymës së protestës atë që ndodhi më 21 Janar.
Ajo që ndodhi më 21 Janar është arsye krenare për të qenë protestues në këtë vend dhe nuk është arsye për të hequr dorë nga protesta. Përballë shqiptarëve nuk gjendet një qeveri demokratike, e cila me pak presion popullor reflekton. Përballë shqiptarëve është një kryeministër që ka vrarë dhe mburret me atë që ka bërë, pasi ka gjunjëzuar shqiptarët dhe kjo është ajo që perëndimorët nuk e kuptojnë dot. Është e logjikshme që të ketë ambasadorë që mbështesin Berishën, qofshin këta inteligjentë apo si ambasadori i OSBE. Është normale që të ketë diplomatë të qartë kundër tij ose neutralë siç dhe ka. Por askush prej tyre nuk ka ndonjë axhendë për të frenuar popullin shqiptar të reagojë kundër regjimit. Dhe nëse e ka, duhen injoruar dhe atyre nuk u ngelet qejfi në këtë pikë.
Pra, problemi është se ne duam të gjejmë shpesh një arsye tek diplomatët për faktin që bëhemi viktima të regjimeve. Për regjimin e Enver Hoxhës fajësuam anglo-amerikanët që nuk zbarkuan, për Sali Berishën gjejmë gjithnjë një ambasador apo lobist të tij amerikan, që e mbron dhe e themi si arsye. Këto në të vërtetë janë tipare të një shoqërie parademokratike, e cila siç thotë në një fjali ambasadori danez, nuk hyn në ato shoqëri që demokracinë e ka marrë me qumështin nga gjiri i nënës.
Për ta ilustruar keqkuptimin tonë të madh me detyrat tona dhe detyrat e diplomatëve perëndimorë në Shqipëri, dua ta ilustroj me 4 Korrikun e sivjetshëm në Tiranë. Një zëdhënëse e ambasadës së SHBA në Tiranë më telefonoi në datë 5 korrik dhe më sqaroi se citimi që ne kishim vënë në gojën e ambasadorit Arvizu për Fahri Balliun nuk ishin fjalë të ambasadorit, por citimi që ambasadori i kish bërë letrës së politikanit amerikan, që i falënderohej Balliut për botimin e librit të mikut të tij për Vietnamin. OK, unë u sqarova dhe në fakt nuk kisha shumë nevojë të sqarohesha, pasi e dija se ç’kishte hequr dhe sa kish paguar Balliu për të bërë atë estradë. Dija dhe kisha botuar po ashtu kabllogramet e ambasadës së SHBA për të.
Për të keqpërdorur 4 Korrikun, makineria propagandistike e Berishës ishte kujdesur për detaje: të gjente një libër të një politikani amerikan, që është hero i luftës në Vietnam, ta përkthente atë, ta promovonte më 4 Korrik, të paguante ca pare tek lobistët në SHBA, të shkonte aty ambasadori amerikan dhe të dukej sikur njeriu, të cilin qeveria amerikane e ka akuzuar se qëndron pas historisë së Gërdecit dhe mbylljes së procesit gjyqësor të Lulëzim Bashës, duke korruptuar gjyqtarët, ishte mik i qeverisë amerikane. Kjo është një industri e tërë manipulimi, në të cilat shpesh diplomatët janë viktima për shkak të detyrës, ose lidhjeve te tyre, por nuk janë fajtorë për keqkuptimin tonë. E mbani mend Lulëzim Bashën vjet pas 8 Majit që organizoi Javën Amerikane në Tiranë vetëm që të shfaqej në krah të SHBA, edhe pse duart i kishte ende me gjak nga 21 Janari dhe gishtat ende me karbonin e manipulimit të zgjedhjeve?
Ndaj ambasadori danez Jansen ndjehet i habitur me mënyrën se si shqiptarët heshtin ndaj regjimit dhe vlerave anti-perëndimore në këtë vend. Ne mendojmë se perëndimorëve u vjen keq për fatin tonë të keq, që kemi këtë regjim. Jo. Thjesht u vjen neveri që jemi të nënshtruar.
Kultura Perëndimore ka baza kristiane dhe si e tillë ka këto tipare që thekson edhe ambasadori danez. Ndërsa shqiptarët, kanë përgjithësisht kulturë orientale, me ndikim turk nga feja islame, dhe si të tillë, shqiptarët ankohen gjithmonë për padrejtësitë që u shkaktojnë të tjerët, ose që kujtojnë se u shkaktojnë të tjerët. Kjo i pengon shqiptarët që të bëhen zot të fatit të tyre, pasi u mungon vetëdija e duhur dhe presin që hallet t’ua zgjidhin të tjerët, jo vetvetja.
Si masë popullore, shqiptarët kanë njerëz që dinë të mendojnë, por përqindja më e madhe e shoqërisë tulatet para veprimit, nuk ndjek të diturin. Një shqiptar më parë vret një person, dhe dënohet për tërë jetën me burg, sesa kritikon hapur Sali Berishën, ta zëmë, edhe kur mendon se ka të drejtë, kur edhe dënimi i tij mund të mos jetë për të, i një niveli të burgosjes me burg të përjetshëm. Pra, shqiptarët nuk është se nuk kanë guxim dhe nuk dinë të rrezikojnë, por edhe kur rrezikojnë, ata nuk dinë të kenë sukses, se squllen pa e kryer procesin, siç u squllën me 21 janar 2011. Kjo ka të bëjë me kulturën e përgjithshme, që sundon këtë komb, ku feja islame ka ndikim themelor.
Një sirian në Danimarkë më thoshte një herë se më i madhi i fesë islame të tyre, kishte ardhur nga Siria në Evropë dhe kur ishte kthyer atje, u kishte thënë: “Atje në Evropë respektohet Kur’ani më shumë se në Siri!” Eja mendje, eja! Eja e kuptoje këtë nënshtrim që kanë kombet arabe para Evropës, një nënshtrim, që përmes pushtimit turk dhe fesë islame është përçuar edhe ndër shqiptarë e do breza të tërë e shkolla të qarta, me programe mësimore të argumentuara mirë psikologjikisht dhe nga pikëpamja sociale, e një ndikim minimal islamik mbi shoqërinë, që të ndryshojë kjo psikologji orientale që sundon shpirtin e kombit shqiptar. Por kush do ta aplikojë këtë se?!
Comments are closed.