Kemi shpëtuar nga një luftë civile, por jo nga autorët

0
36

Nga Mero Baze, 19 Korrik 2013

Shqipëria duket se i ka shpëtuar paq një lufte civile, që mund të vinte nga një rezultat me diferencë jo shumë të madhe mes ish- opozitës dhe Sali Berishës. Të gjitha paralajmërimet e sondazheve për një rezultat të mundshëm mes 75 deri 76 mandate për ish- opozitën, duket se kanë përgatitur regjimin të bëjë skemën e përmbysjes së rezultatit. Edhe pse të gjithë besonim se Sali Berisha do t’i fuste duart për të përmbysur deri në katër mandate, ishte e papërfytyrueshme pas 23 qershorit se ai nuk do të hiqte dorë nga kjo skemë. Por ja gjithçka po ndodh para syve tanë.

Pa ankesë të asnjë subjekti elektoral, por me vullnet të katër anëtarëve të KQZ-së së mbetur të Sali Berishës, dy qarqet e veriut po shkojnë në rinumërim, pasi kutitë janë mbajtur në një regjim sigurie familjare nga Sali Berisha. Njësoj si në vitin 2011, kur Lulëzim Basha u shpall humbës në Tiranë dhe Sali Berisha gjeti vota në kuti të numëruara më parë, edhe këtë herë ai po përsërit të njëjtin skenar. Ajo që po na shpëton në këtë rast nuk është vullneti i Sali Berishës për të pranuar humbjen, por diferenca tepër e lartë me të cilën shqiptarët ndëshkuan regjimin dhe bënë të mundur që sot ne ta shikojmë me nervozizëm, por të pashqetësuar përpjekjen e fundit të këtij dinosauri për të helmuar të ardhmen e Shqipërisë.

Asgjë nuk mund të bëjë as me votat e shtuara dhe as me klonimin e kutive prej njerëzve të tij. Ai nuk ka humbur një apo dy mandate, por ka shkuar nga 68 në 42 mandate dhe nuk e shpëton dot askush nga disfata. Ajo nga e cila na kanë shpëtuar gjithë shqiptarët është lufta civile, e cila mund të niste sot pas këtij akti të papërgjegjshëm nëse diferenca nuk do të ishte kaq e madhe. Për këtë duhet t’i falënderojmë shqiptarët që me intuitë i mbyllën këtij dinosauri çdo shteg për të dalë nga shpella e historisë famëkeqe ku do të mbyllet pas shtatorit.

Por nëse paqen në Shqipëri e shpëtoi diferenca e thellë e rezultatit, zgjedhjet u arritën të njollosen dhe në fakt të bastardohen nga regjimi. Këto janë ndër zgjedhjet më të këqija që ka zhvilluar Shqipëria. Fushata parazgjedhore ishte një luftë e vërtetë dhe e pabarabartë me milionave të regjimit për të blerë pushtetin që po i ikte nga duart dhe një opozitë që kish tetë vite në protesta dhe rrugë për të drejtat e saj politike. Qeveria përdori çdo arsenal të saj, pasuritë publike, mjetet shtetërore, paratë e shqiptarëve, mediat e regjimit dhe gjithçka tjetër për të bërë një garë të pabarabartë.

Ajo përdori dhunën fizike dhe psikologjike për të mposhtur opozitën dhe propagandën gëbelsiane televizive për të dekurajuar fituesit. Kulmi u arrit ditën e zgjedhjeve në Lezhë, kur një kandidat i Berishës mori pjesë në përleshjen me armë nga ku ngeli i vrarë një aktivist i opozitës. Në fund humbi dhe shumë thellë. Efektet e manipulimit paraelektoral të zgjedhjeve kanë dhënë frytet e tyre, pasi ndoshta sot mund të kishim dhe 90 mandate për ish- opozitën. Partia Demokratike ka realisht ato 42 mandate që ka dhe gjithçka tjetër ka qenë votë kundër tyre, edhe pse u është dhënë aleatëve të tyre.

Por sot që diferenca e thellë na ka shpëtuar nga lufta, autorët e përgatitur për manipulimin e zgjedhjeve po vazhdojnë detyrën e tyre. Katër anëtarët e KQZ, njerëzit e Berishës që ruajnë kutitë në Lundër, dhe gjithë infrastruktura e përgatitur e manipulimit të zgjedhjeve, meriton jo vetëm një gjykim penal shembullor, por dhe një leksion dënimi që askush në këtë vend të mos guxojë më të prekë vullnetin e shqiptarëve, qofshin këta dhe njerëzit e shumicës së re të dalë nga këto zgjedhje.

Sali Berisha, i cili u ka mohuar kundërshtarëve të vet katër vite më parë hetimin e kutive, bile dhe të materialeve të votimit, edhe pse kishte hapësirë të plotë ligjore, ai që akuzonte Edi Ramën se po fyente komisionerët e vet duke u thënë se kanë shitur votat, ai që këmbënguli deri në Strasburg dhe Bruksel se hapja e kutive do fuste Shqipërinë në luftë, ai që u tall në mënyrë cinike bile duke i djegur kutitë e votimit, sot po e rikthen filmin nga vetvetja, duke akuzuar të vetët se kanë shitur votat, duke hapur kutitë pa i kërkuar askush, dhe natyrisht duke i manipuluar ato në magazinat e Familjes së vet. Ai po ikën nga historia duke rrëzuar çdo argument për të cilën luftoi të qëndronte në pushtet.

Erdhi si hero antikorrupsion dhe po ikën si lideri më i korruptuar i historisë së këtij vendi, erdhi si një lider demokrat dhe po ikën si një vrasës politik i provuar, erdhi si një njeri që donte votën e lirë dhe po ikën si i vetmi manipulues zgjedhjesh në liri në këtë vend, mbajti pushtetin duke demonizuar opozitën pse kërkon hetim zgjedhjesh dhe përpiqet të ikë duke destabilizuar zgjedhjet që humbi, u përpoq të mbajë pushtetin duke rekrutuar e blerë mandate deputetësh dhe po ikën duke ndëshkuar partinë e tij ta lërë në dorë të batakçinjve që i rekrutoi.

Ai po ikën si një udhëheqës që nuk i ngjiti asgjë në këtë vend, asnjë ide politike, asnjë shembull i qeverisjes, asnjë bilanc zgjedhjesh, dhe mbi të gjitha asnjë fitore. Përveç 22 marsit të 1992 kur shqiptarët rrëzuan diktaturën, ai nuk arriti dot asnjë fitore në krye të partisë së tij, por e shtyu 22 vjet duke mbijetuar me aleanca fluide, vjedhje, blerje dhe qërim hesapesh me kundërshtarët e vet.

Tani i ka ardhur koha të mos ketë më asnjë mundësi të mbijetojë. Shqiptarët e kanë zhytur në llumin e historisë me 1 milion vota kundër dhe ai po përpëlitet të tërheqë sa mundet në atë llum, ata që e ndëshkuan. E ka kot. I duket vetja ende i fortë se është në zyrë. Pas javës së parë të shtatorit do të jetë një njeri me të cilin do të ketë punë vetëm drejtësia. Dhe në e kurseftë Edi Rama, nuk kanë për ta kursyer shqiptarët. Sidomos viktimat e regjimit të tij!