Këmbana bie për kë ka veshë

0
53

Xhovalin Delia, 16.12.2009

Besimi në Demokraci është po aq i rëndësishëm sa në Zot. E nëse Zoti abuzon, rrënon besimin, e mungesa e këtij të fundit sjell kaos.

Edvin, largo taborë!
Se nuk do të lë dhëmbë në gojë,
Në Bjeshkë do të laj me borë
Sali Berisha më thonë!
Doktor, mos i prek darët me dorë!
Se të pikturojë me bojë,
Edi Rama më thonë!

Në Kongresin e partive popullore evropiane, në Bon, dy lider qan hallet e shtëpive të tyre: Berluskoni u ankua se e “Majta gjyqtare italiane po gjykon si mafioz”, ndërsa i dyti u zotua se “do ta dënonte të majtën mafioze shqiptare me tolerance zero”, i pari i akuzuar, i dyti akuzues, Berluskoni viktimë, Berisha hero, por që të dy të duartrokitur, (përkatësisht sipas RAI uno e TVKlan).

Realiteti jonë është krejt ndryshe nga ai italian. Ajo çka të dy shoqëritë kanë të përbashkët është; polarizimi politik, i cili bëhet evident pas luftës së II° botërore për të dy vendet.

I referohem bipolarizmit të tensionuar politik Italian, si shembull negativ politik, pasi shpesh “çapkënët” tanë politik, justifikojnë mbrapshtitë e tyre, duke treguar me gisht vendet “e kulturuara” evropiane: “ndodh edhe në Itali, Francë etj.” Ndodhin edhe këtu, bile ndonjëherë edhe më keq, por kjo nuk justifikon mbrapshtinë shqiptare, e nuk do të thotë që ne të imitojmë si majmun shembujt e këqij të botës së përparuar demokratike.

Mbrëmë, teksa shikoja imazhet barbare, në një shtet të konsoliduar demokratik Perëndimor, madje, një ndër gurët themeltar të këtij qytetërimi, kundra një lideri demokratik, për nga natyra liberal, paçka se i krahasuar me Musolinin, bash atje ku kanë varur këtë të fundit, në Milano, një qytet tradicional e modern, madje avangardë e kulturës moderne e postmoderne italiane, reflektova për vendin tim të vockël, të varfër, me pak kështjella të rrënuara, pa, muzeume, me një natyrë të mrekullueshme, me pyje të prera e të djegura, me qytete të shëmtuara e rrugë të pista, me njerëz të veshur keq e të pa edukuar, të pa ngopur e të pazhvilluar, me një sistem postdiktatorial, me një demokraci të brishtë e me politikanë të sertë.

Shija e hidhur që më la fytyra e përgjakur e Liderit italian, dhe tensini i lartë midis dy lidëve të vendit tim, më bën të ulem t’iu shkruaj dy llafe zotërinjve të lartë politikë, e miqve te mi artist e intelektual, jo për të dhënë mend por për të komunikuar e këmbyer mendime dhe opinione mbi “lirinë e fjalës” “fyerjen e lirë; debatin fiziologjike politike; si normale në një shoqëri demokratike, ashtu edhe për luftën barbare politke, si trashëgimi e një vendi të pa zhvilluar, postotalitar, e të një shoqërie kinse tradicionale.

Ajo çka kam theksuar në shkrimet e mëparshme, dhe që do të doja ta nënvizoja edhe këtu është një princip themelor i politikes demokratike konstruktive; debati fiziologjik dialektik, çka do të thotë debat idesh, kompeticion programesh politike, si të ndryshëm dhe jo si armiq, çka do të thotë jo luftë midis individëve fizik lider, qofshin këta shenjtër apo djaj, të majtë apo të djathtë, komunist apo demokrat, mafioz apo antimafioz. Këto tituj nderi e turpi nuk i jep lideri as qeveria. Në shoqëritë demokratike ka institucione të posaçme për këso punësh. Nuk janë liderit ata që bëjnë hetime. nuk janë liderit ata që veteshpallen heronj e as që damkosin kundërshtarët si kriminel, bos a mafioz.

Shpesh, e pothuaj gjithmonë, në Shqipëri, për të mbuluar “diellin me shosh”, i referohen demokracive Perëndimore si “shembull i demokracisë së kulluar”, jo rrallë e bëjnë edhe italianët duke iu referuar Demokracisë amerikane si “shembull absolut”. Asnjëra e as tjetra nuk janë të përkryera por janë të matura, nuk shkojnë përtej limiteve që kërcënojnë demokracinë dhe mbi të gjitha besimin në institucionet. Pasi besimi në Demokraci është po aq i rëndësishëm sa në Zot. E nëse Zoti abuzon, rrënon besimin, e mungesa e këtij të fundit sjell kaos.

Pa hyrë në hollësi, ju kujtoj fitoren e “dyshimtë” të Bush kundrejt Gor. Pas shpalljes zyrtare të fituesit, Gori humbës, jo vetëm e njohu fitoren e kundërshtarit por qe i pari që e përgëzoi. Pse? Sepse ata, ndonëse njerëz me arsye, por të kufizuara si gjithë të tjerët, kanë mësuar, diçka më shumë se të tjerët: dinë që rregullat luajale politike nuk duhet të preken, pasi do të cenonin një gjë më shtrenjtë se ambiciet e një individi të një grupi a të një partie, dhe mbi të gjitha do të vinin në dyshim besimi në institucionet demokratike, e për rrjedhojë minojnë Demokracinë.

Atentati ndaj kryeministrit italian, me konsensus më të lart në historinë e Italisë Repubikane, nuk është një “incident” as rast “i izoluar”, përkundrazi, efekt i energjisë negative i një periudhe të gjatë “antibeluskoniste”, kthyer tashme në urrejtje patologjike, sidomos pas fitores së tij të fundit të jashtëzakonshme, nga njëra anë, dhe krizës së thellë të së Majtës, nga ana tjetër. Kjo e fundit duke mos qenë në gjendje për të propozuar një alternativë politike, ka rënë preh e një lufte direkt kundra Berluskonit si individ njeri, “miliardar”, “qejfli” etj. për të rrënuar moralisht e deri edhe fizikisht.

Sqaroj, atentati nuk është vepër direkt të majtës dhe as i të djathtës”, por rezultat klimës së rëndë imorale, tejet të polarizuar politike dhe i panikut të krizës ekonomike. Ky presion i lart, i vazhdueshëm, e kudo, në radio, gazeta, tv, në rruge, kafene, restorante, e shtëpi, krijon në mënyrë automatike një energji negative që mund të shpërtheje edhe për një sebep banal, në formë e vend të papritur. Efektet janë të paparashikueshme. Ne shqiptarët kemi pasur disa raste të tilla, madje shumë më të rënda, e jemi në prag të një mynxyre, nëse prijësit tanë nuk do të heqin dorë nga konflikti i pashoq, imoral e destruktiv. Problemi nuk është thjesht midis dy individëve, Berisha – Rama, por ndërmjet dy “skuadrave”, shqiptarëve Blu e Rozë. Loja e ndershme luajale politike, nuk duhet të njohë emra individësh, por ide dhe programe politike. Prandaj nëse janë vërtetë lider nuk kanë pse të flasin në vetën e parë, e as pse ti bien gjoksit me grushta; “as largo taborë, as të skuq me bojë e as X, Y -oni më thonë”!

Mbase do na duhet të nisemi nga një e vërtetë e hidhur të cilën, jo vetëm që nuk po e çrrënjosim dot, por as nuk po e pranojmë se konflikti i sotëm është trashëgimia e konfliktit të përgjakshëm “klasor”, përkundrazi, po e ripërtërimë, në emër të demokracisë e të purifikimit të shoqërisë, në fakt për një qëllim të vetëm e të vogël, për të marr e mbajtur pushtetin, ky qellim justifikon “armët” më primitive si fyerjet e akuzat dhe siç ka nisur nuk do të kursej as prangat, e këto të fundit mund të ndezin edhe gjakrat. Ky lloj konflikti i dhunshëm politik nuk na garanton një të ardhme të ndritur dhe nuk zgjidh asnjë problem të shoqërisë, përkundrazi, hap plagë te reja e më të komplikuara. Në fakt jemi kthyer mbrapa, me një ndryshim: sot nuk janë “bllokmenët” që tregojnë me gisht “armikun e klasës”, por ky i fundit që po kërcënon “bllokmenët”.

Natyrisht që korrupsioni është evident, madje një ndër fatkeqësitë më të renda e më dëmprurëse që shqiptarët po rrisin bashkë me mirëqenien e mjerimin e tyre. Si i tillë do luftuar pa mëshirë, “toleranca zero”, kudo e kundra kujtdo e pandërprere, apo edhe lufta kudër korrupsionit është si lufta e klasave, “zig – zag, herë ndizet e herë shuhet”?

Ndonëse korrupsioni moral e politik është burimi kryesor i konfliktit të sotëm, të atjeshëm e të këtushëm, konflikti në vetvete është natyral, ka qenë e do të jetë, por le të jemi më të moderuar, më të arsyeshëm, e më pragmatik të dy palët. Tashmë të dy prijësit tanë në fjalë janë me eksperience, kanë nga njëzet vjet në politikë. Njëzet vjet në politikë nuk janë shumë për të bërë mrekullia, por nuk janë pak për të bërë marrëzira. Nëse prijësit tanë nuk kanë mësuar deri tani, nuk e di a do të jenë në gjendje të na prinë tani e tutje.

Liderit popullor e shpirtëror, për sa kohë e kanë këtë mandat, nuk kanë të drejtë morale të gjykojnë e të përgojojnë jo vetëm të tjerët por as veten e tyre, sepse ata nuk i përkasin vetëm vetvetes, e familjeve të tyre, ata janë mishërim i një mase njerëzish që kanë investuar sentimente, emocione, dashuri, përkushtim e besim. Janë moralistët ata që gjykojnë nderin e imoralitetin e tyre, janë hetuesit që hetojnë bëmat e tyre, janë gjykatësit që gjykojnë dëmet e krimet e kryera prej tyre.

Shembull i një abuzimi të tillë është Italia e këtyre ditëve, ku lideri i djathtë, më i votuari nga italianët e njëkohësisht kryeministër, i vendit, zgjedhur me votën e lirë e me një konsensus të gjerë, përbaltet pa fakte, e jo vetëm nga mediat e masmediat por edhe nga lider opozitar. Edhe pse deri me sot nuk është provuar zyrtarisht se Silivio Berluskoni është “mafioz”, madje sentenca e ditëve të fundit të procesit në vazhdim provoi të kundërt, ndonjë lider opozitar “guximtar” nuk ka munguar të etiketoje “Krye mafioz”. Zaten bash tek shpërdorimi i demokracisë, tejkalimi i kufjeve te saj, dhe zëvendësimi i “lirisë së falës” me “Fyerjen e lirë” po e sëmur Demokracinë Italiane, dhe atë shqiptare nuk po e lë të rritet, madje do thosha demokracia jonë si “postkomuniste” ka lindur me “defekt në zemër” , të cilën nuk po e shërojnë dot doktorët e as profesorët, edhe pse Lideri jonë demokrat, është bash kardiolog.

Konflikti në vetvete, nuk është gjithmonë i dëmshëm përkundrazi, ndonjëherë është i nevojshëm dhe i dobishëm, në njëfarë mënyre është shprehje e bash sentimenteve njerëzore. Dhe po njerëzit, natyrisht të mençurit, dinë ta mbajnë nën kontroll marrëzinë e tyre. Po si ia dali këta njerëz të mençur? “Duke koncentruar të gjitha forcat drejt një paqeje më praktike, më të arritshme e më të qëndrueshme, bazuar, jo në një përmbysje të menjëhershme të natyrës njerëzore, por bazuar në një evolucion gradual të institucioneve njerëzore”, -këshillon Kennedy.

Dalja nga rrethi vicioz ku kemi ngecur, pra evitimi i konflikti të dhunshëm pozitë – opozitë, përveçse do të bënte të mundur një dialog të frytshëm, do të garantonte edhe një komunikim mbi të drejta të ekuilibruara e mbi dinjitetin e çdo individi,(lider, anëtar i thjeshtë apo qytetar i lirë), çka do të garantonte një prosperitet politik dhe ekonomik të qëndrueshëm.

E thënë shkurt dhe thjeshtë, dy politikanë të vërtetë në duel politik kanë vetëm një armë; debatin fiziologjik konstruktiv politik. Ç’farë do arme tjetër nuk do të ishte dinjitoze e as legjitime, e aq më pak e moralshme e aspak e dobishme. Një duel i fituar me hile mund të shpëtojë jetën, mund të jap edhe pushtetin e shumë para, por nuk është jetëgjatë e aspak dinjitoz, për individin e aspak për vendin e popullin qe e mbanë mbi shpatulla. E për më tepër në Shqipëri, në vendin e mjerimit e të varfërisë, në vendin burrave e të burrërisë, që sa vjen e po bjerr.

Atentati brutal e barbar, në një shoqëri civile si Italia, vatër e qytetërimit botëror, ku janë krijuar e ruhen 70% të vlerave artistike e kulturore të qytetërimit Perëndimor, ndonëse kryer nga një “i ç’ekuilibruar” është një kambanë e fortë për ata që kanë veshë. Jo për të pasur frikë por për të reflektuar, pasi ne shqiptarët jemi shurdh por jo memece.

Në një krizë të tillë të acaruar politike dhe ekonomike që ka mbërthyer vendin, mjafton një shkëndijë për ta ndezur. Të nderuar zotëri opozitar, e Ju shumë të nderuar qeveritarë: mos i fryni zjarrit! Nuk është dita për të treguar trimëri, por maturi e mençuri. Uluni e kuvendoni si burrat me burra, e nëse jeni të tillë jam i sigurt që do ta gjeni një zgjidhje dhe të qëndrueshme.

Doktor, ti nuk je dentist por jam bindur që e di se “dara” është mjeti i fundit. Dhëmbi hiqet kur nuk mund të shërohet e jo sepse dhemb. Edhe këtë e kemi mësuar vonë, pasi mendonim se shpëtimi ishte duke e heq, dhe shpesh me darë kuajsh. Kaq dinim e kaq bënim, “nga padija zotni doktor”? Por tani që kemi hem doktor, hem profesor? Lum si ne!

Ndonëse tashmë e dimë që natyra njerëzore nuk është e përsosur, prapë se prapë besojmë se kushtet njerëzore mund të perfeksionohen gjithnjë e më shumë, dhe jam i bindur se njeriu shqiptar nuk bën përjashtim nga ky rregull universal,(edhe pse historia ka bërë shaka të hidhura me Shqipërinë e shqiptarët!).

“Jo violenca, e praktikuar nga Gandi e Martin Luther King, mbase nuk është e praktikueshme dhe nuk është e mundur në të gjitha rrethanat, por dashuria që ata kanë predikuar dhe besimi i tyre në progresin njerëzor, duhet të jetë gjithmonë ylli polar që të na orientoj në udhëtimin tonë. Nëse e humbasim këtë besim, nëse e anashkalojmë atë, si budallallëk o naivitet, nëse e ndajmë nga vendimet që marrim si për luftën edhe për paqen, kemi humbur atë çka është më e mira e njerëzimit, kemi humbur kuptimin e mundësisë tonë, kemi humbur busullën morale”. – këshillon B. Obama.