Kelly: Vendoret, me rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit

0
60


Ambasadori i SHBA-së në OSBE: 8 maji, çelësi i zgjidhjes politike

Fatjona Mejdini, 19.03.2011

Në vigjilje të fushatës zgjedhore për lokalet e 8 majit, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në selinë qendrore të OSBE-së në Vjenë jep mesazhin se këto zgjedhje janë mënyra e vetme për të arritur në ndryshimin politik. Përmes një deklarate, ambasadori Ian Kelly i ftoi dje palët politike në Shqipëri t’i shikonin zgjedhjet lokale me një rëndësi të veçantë si një forum për të diskutuar dhe, nga ana tjetër, si të vetmen mënyrë për të arritur rotacionin politik.

“Zgjedhjet lokale të 8 majit janë forum legjitim për të diskutuar dhe për të ndikuar në ndryshimin politik”, thekson në mënyrë të qartë ambasadori i SHBA-së në OSBE. Në këtë kuadër, Kelly përshëndeti edhe faktin se partitë politike u regjistruan brenda afatit ligjor për të marrë pjesë në këto zgjedhje.

“Të gjitha partitë duhet të marrin pjesë në këto zgjedhje, bazuar në besimin e mirë, zgjedhje këto që janë të një rëndësie të veçantë për të ardhmen e Shqipërisë”, thekson në mesazhin e tij Kelly. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i SHBA-së në OSBE premton në deklaratën e tij një mbështetje të madhe të vendit që ai përfaqëson si në vëzhgues ashtu edhe në suport teknik. “Ne përshëndesim ftesën që Shqipëria i ka bërë ODIHR-it për t’i vëzhguar këto zgjedhje të rëndësishme lokale, po kështu edhe përgjigjen që ka dhënë ODIHR-i.

OSBE/ODIHR po përgatit qindra vëzhgues zgjedhjesh, duke përfshirë vëzhgues edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po kështu ne jemi të vendosur për ta mbështetur Shqipërinë me ndihmë teknike dhe konsulenca për sa u përket zgjedhjeve lokale”, angazhohet Kelly në deklaratë. Kelly e vendos theksin edhe te vëzhgimi i hollësishëm që, sipas tij, SHBA-ja po u bënë përgatitjeve për procesin zgjedhor në vendin tonë. Një mesazh të veçantë ambasadori i SHBA-së e jep edhe për zgjedhësit shqiptarë.

“Njerëzit duhet të votojnë politikanët në bazë të asaj çfarë ata premtojnë se sigurojnë dhe po kështu çfarë ata prezantojnë”, këshillon ai. Një vend të rëndësishëm në deklaratë zë edhe ngjarja e 21 janarit, e cila ka thelluar edhe më shumë ndasitë mes dy partive politike në vend. Në mesazhet e tij përmendet shpesh Prokuroria e Përgjithshme dhe këshillohen partitë politike t’i “rrinë larg” asaj për këtë çështje të rëndësishme të drejtësisë.

“Të dyja krahët e politikës kanë bërë akuza politike mbi Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo është e padobishme dhe dëmton. Ne na vjen keq për çdo përpjekje që dëmton këtë institucion. Ne kemi bërë thirrje që qeveria shqiptare dhe Partia Socialiste të shfaqin mbështetje publike për institucionin dhe autoritetin e Prokurorit të Përgjithshëm, në mënyrë që ky investigim të kryhet në mënyrë të pavarur”, del në konkluzion ambasadori i SHBA-së, Kelly.

Përfaqësuesi i SHBA-së në OSBE thekson faktin se vendi që ai përfaqëson i ka dhënë ndihmë teknike zyrës së prokurorisë për të përballuar kështu edhe investigimin për këtë çështje. Prokurorisë i kërkohet që hetimi për ngjarjet që ndodhën atë të ditë të jetë i plotë dhe i besueshëm. Po kështu në deklaratën e tij në prag të zgjedhjeve, Kelly jep edhe mesazhet e radhës për klasën tonë politike, duke i kërkuar që retorika politike të mos acarohet, në mënyrë që procesi zgjedhor të mos dëmtohet, nisur edhe nga koha e vështirë në të cilën ai po ndodh.

“Pas ngjarjeve të 21 janarit, komuniteti ndërkombëtar ka punuar intensivisht me të dyja palët për të rivendosur një ambient normal, i cili sjell dialog polik. Provokacionet duke përfshirë edhe retorikën e fortë nuk u shërbejnë interesave të shqiptarëve”, kujton ambasadori Kelly. Sipas tij, Shqipëria nuk duhet ta ndalë rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.