Nga Mero Baze, 9 Qershor 2012
Një nga vlerat që pati largimi i papritur i Zaganjorit nga gara ishte se ai e mori vendimin një orë pasi Kuvendi kishte vendosur ditën e hënë si raund i katërt i zgjedhjes së presidentit. Vendimi, i cili u mor pa u konsultuar me Zaganjorin, bëri që palët të vihen nën presionin e kohës, pra për 48 orë të gjejnë një president. Kjo e ka bërë vendimmarrjen të vështirë, pasi palëve brenda shumicës do t’u duhet tolerancë maksimale për të pranuar çdo emër që vjen që të mos i dorëzohen raundit të pestë, i cili i fut të gjithë në makthin e zgjedhjeve të parakohshme.
Për të pajtuar palët dhe për të vazhduar traditën e tij me përfytyrimin për presidentin, Berisha e ka më të lehtë të ulet me Ilir Metën dhe aleatët dhe të gjejë një figurë mediokre nga llumi i gjykatave shqiptare, të cilët i kanë katapultuar vetë aty ku janë dhe ta mbyllin makthin e tyre. Ky është për ta presidenti ideal i së hënës, një gjykatës, oficer, a diplomat, që nuk ia gjen dot as emrin në Google, dhe që pasohet nga një lavdërim historik i Berishës si njeriu më i madh i gjithë kohëve.
Presidenti i dytë paksa më i vështirë është presidenti politik i PD-së. Nëse Berisha tashmë bën provën e forcës dhe emëron Topallin kandidate, do t’i duhet të futet në makthin e përçarjes së shumicës dhe në frikën se vota e fshehtë mund ta rrëzojë atë në Kuvend. I kapur ngushtë, ai nuk ka më as kurajë dhe as vullnet të bëjë një betejë për Topallin, edhe pse do të duhej të respektonte betimin e tij të parë që nuk do të tërhiqej nga një president i PD-së.
Presidenti tjetër, ai i shumicës në pushtet nga politika, do të ishte më i arsyeshmi. Në traditën e Greqisë apo Italisë, që e zgjedhin presidentin afërsisht si ne, votohet për president zakonisht një figurë politike në pension, pa aspirata të mëtejshme politike, i respektuar si figurë e ndonjë pakice të majtë apo të djathtë. Në Greqi Papandreu i vjetër ka pasë emëruar Karamanlisin (Xhaxhain e Karamanlisit junior kryeministër), më pas Simitis ka pas emëruar Stefanopulosin, një politikan i një partie të vogël të djathtë, ndërsa Karamanlisi i Nea Demokracisë ka votuar për ish- ministrin e Jashtëm legjendar të PASOK-ut, Papulias. Po kështu ka vepruar dhe Italia.
Kjo në të vërtetë është një rrugë më fisnike dhe më e denjë për vetë formulën që i kemi imponuar vendit në Kushtetutë. Nëse do të ecnim me këtë analogji, kriza mund të zgjidhej nëse Berisha emëronte fjala vjen Neritan Cekën, Dashamir Shehin, Aleksandër Meksin, Alfred Sereqin, Paskal Milon, Servet Pëllumbin, Skënder Gjinushin, Pëllumb Xhufin, apo dhe Eduard Selamin, të cilët ndajnë vlera personale në politikën shqiptare. Këta në fakt janë presidentët politikë që demonstrojnë kompromis me Berishën nëse i emëron, por janë më të sigurt se gjithë kategoritë e tjera të presidentëve që propozohen, pra të mos u bërë urë e askujt.
Arsyeja përse Berisha preferon kategorinë e parë të presidentëve, pra ca tipa pa emër, pa fytyrë dhe pa histori, është se ai beson ende se do ta gjejë dikë që nuk do ta tradhtojë pasi ta emërojë në një post të lartë. I ka ngelur merak se ka emëruar Alfred Mosiun dhe e ka bërë armik, e ka emëruar Bamir Topin dhe e ka bërë armik, e ka emëruar Dhori Sollakun kryeprokuror dhe e ka bërë armik, e ka emëruar Ina Ramën dhe e ka bërë armike. E vuan shumë këtë statistikë të rëndë të institucioneve kundër tij dhe si një bixhozxhi i paepur shpreson se një ditë do t’i buzëqeshë fati. E ka kot.
Nuk është faji i askujt që hyn në konflikt me të. Institucioni i Presidentit në thelb nuk pajtohet me Sali Berishën. Nuk është çështje emri, karakteri apo begraundi. Sali Berisha e di presidencën një pronë private, hipotekën e së cilës e mban ai dhe të tjerët e kanë në përdorim. Çdokush që të shkojë atje, do të hyjë në konflikt me të, pasi ai kërkon nga ai institucion atë që askush nuk mund t’ia japë. Kështu që është e sigurt se edhe nëse emëron shoferin e vet aty, sërish do të jetë me të në konflikt disa muaj më vonë. Me të vetmit njerëz që mund të jetë më pak në konflikt, janë ata që e njohin dhe që natyrisht dinë si ta mendojnë. Të hënën Berishës i duhet një president eunuk, që i zgjidh hallin e kohës, hallin e institucionit dhe hallin e koalicionit. Por të martën me të do t’i fillojnë problemet.
Do të ishte më mirë për të bënte betejë dhe të hynte në konflikt me politikanë që e njohin dhe që ia dinë huqet njëri- tjetrit, se sa ta shikonim të copëtohej duke sharë e mallkuar Vitore Tushën, Sandër Lleshin apo Petraq Milon, për të cilët do shpikë pastaj skema puçi dhe lidhje agjenturore. Ai është i dënuar të jetë në konflikt me institucionet e Presidentit apo kryeprokurorit, për vetë keqkuptimin që ka për mënyrën se si duhet t’i përdorë ato. Ai e ka aq të zhvilluar ndjenjën e paternalizmit mbi to, sa mendon që presidenti që emëron ai, apo kryeprokurori që emëron ai, ta dinë vetë se ç’duhet të bëjnë për të kënaqur shijet e tij. Është aq torturuese kjo gjë sa është e pamundur të mos prodhojë konflikt me Sali Berishën.
Presidenti që ai ëndërron nuk ekziston, dhe ai përpiqet kot të gjejë tek ata që nuk i njeh askush. Po hynë tek ajo zyrë, kanë hyrë në llogoren përballë Sali Berishës dhe do jenë në konflikt me të dhe në harmoni me çdo opozitë, me çdo diplomat perëndimor dhe çdo gjë tjetër normale në këtë vend. Do të ishte mirë që Berisha ta kuptonte më në fund këtë gjë dhe të qetësohej duke bërë xhentëlmenin me Presidentin. Jepjani këtë post një politikani me përvojë të majtë apo të djathtë, të besueshëm që nuk bëhet një kukull, dhe pa pritshmëri të madhe për të përmbysur historinë tone aspak krenare me këtë institucion.
Janë dy frikëra krejt të kundërta që duhet të pajtohen me njëra- tjetrën. Frika jonë dhe e Perëndimit për të hënën është një president kukull i Berishës, kurse makthi i Berishës është të gjejë dikë, i cili të përmbysë historinë e konflikteve të tij me çdo president të këtij vendi qysh nga 24 qershori i vitit 1997. Le të qetësohen të dy palët, duke ia dhënë këtë detyrë dikujt që vjen nga luftërat dhe paqet me Berishën dhe që nuk nxjerr të fituar dhe të humbur askënd nga kjo zgjedhje.