Ke merita? Punë e madhe! Duhen miq.

0
42


Mustafa Nano

Kjo po, që është garëPo e nis me një përvojë personale. Para disa muajsh, një kushërira ime rreth të 25-tave, e diplomuar prej tri-katër vitesh me rezultate shumë të mira (kështu themi ne për ata që shkëlqejnë gjatë studimeve universitare), u fut në konkurs për një vend pune në administratën publike (për konkursin ishte informuar krejt rastësisht, në stilin vesh-më-vesh, e jo nëpërmjet mass-media-s). Me të mbaruar, më mori në telefon, dhe më tha se kish dalë mirë, por “do ishte mirë të ndërhyja, pasi në këto punë nuk hyn zotësia”. Kjo shprehja e fundit nuk është se del veç nga goja e saj. Të gjithë ata që futen në një konkurs, në kokë kanë idenë, se krahas zotësive, duhet të fusin dhe një mik. “Nuk shoh arsye të bëhesh merak”, i thashë, “nëse ke dalë mirë, ata s’kanë nga ia mbajnë; e nëse s’ke dalë mirë, unë nuk të shpëtoj dot”.

Ca ditë më pas e njoftuan se kish dalë e para. “Dëgjo, përpiqu të flasësh me X-in (titullarin e institucionit), pasi prapëseprapë nuk ka asnjë garanci”. “Po pse s’ke besim?”, e pyeta. “Sepse në ligjin e rekrutimeve thuhet, që titullari, apo dikush i ngarkuar prej tij, ka të drejtë të zgjedhë një nga tre vendet e para të konkursit”, më tha.

Nuk e dija këtë gjë. Por ishte vërtet kështu. Unë nuk ndërhyra, dhe kushërirën time nuk e morën në punë. Ndërhyra si kofini pas të vjelit, jo për të ndihmuar kushërirën (vendimi ishte marrë, tanimë), por për të marrë vesh, se ç’kuptim kish që titullarit t’i njihej e drejta për të zgjedhur mes tre të parëve. “Se ç’kuptim ka, unë nuk e di, por ligji ky është; dhe ligji nuk është shkelur”, më tha titullari. “Po mund ta di pse zgjodhe vendin e tretë, e jo vendin e parë?”, e pyeta. “Unë nuk merrem fare me këtë punë; e kam deleguar tek vartësit, dhe janë ata që e kanë bërë zgjedhjen; por nuk kam ç’t’iu them pasi kanë vepruar mbi bazën e ligjit”.

Morët vesh gjë nga kjo histori? Unë vetë mora vesh këto gjëra. Së pari, ligji vërtet nuk ishte shkelur, dhe unë mbeta vuv përballë titullarit. Kushërira ime, apo dhe unë vetë, mund të ngrinim zërin lidhur me faktin, që ish preferuar vendi i tretë e jo vendi i parë, por krerët e institucionit kishin gjithë të drejtën të na hidhnin fytyrës fletoren zyrtare, ku është publikuar ligji mbi rekrutimet në administratën publike.

Së dyti, ligji është krejt absurd. Pse e kanë bërë? E kanë bërë me qëllim që titullarit të mos i hiqet mundësia për të bërë ndere. E dini çfarë ndodh rëndom në terma konkretë? Me t’u krijuar një vend i lirë pune, shpallet konkursi në një a dy të përditshme. Emri i atij që do ta zërë këtë vendin e punës është gjetur, por konkursi shpallet e organizohet “për të qënë në rregull me rregullat”. Personi që do merret në punë duhet të futet se s’bën në konkurs, dhe komisioni porositet që ta nxjerrë të paktën të tretin. Dhe pas kësaj, titullari e ka të lehtë që, në përputhje me ligjin, të marrë në punë “beniaminin” e tij. Punë e mbaruar, hesap i qëruar. Dhe kështu, ligji nuk është dhe aq absurd. Apo jo?

Së treti më bëri përshtypje kushërira ime e pangushëllueshme (e si mund ta ngushëlloja?), tek e cila unë pashë të projektuar fatin dhe dëshpërimin e mijra të rinjve shqiptarë, të cilët jetojnë në këtë vend me idenë, se e vetmja gjë që ka rëndësi është miku që ndërhyn. Ajo kish bërë çdo gjë “që i takonte” në këtë botë, kish studjuar, kish dalë e para në shkollë, kish hyrë në një konkurs punësimi, kish dalë prapë e para, dhe ish shpërblyer me shpërfillje; në vend të saj ish parapëlqyer një vajzë tjetër, që ish më pak e zonja, por që kish mik.

Hë, çfarë mund t’i thoja? T’i thoja “mos u mërzit, se këto janë gjëra që ndodhin?” Në fakt, s’ishte ky rasti. Ajo, dhe gjithë të rinjtë shqiptarë, e dinë (dhe e dinë mirë), se nuk është se “këto janë gjëra që ndodhin”; përkundrazi, e dinë mirë, se “vetëm gjëra të tilla ndodhin”, e dinë mirë, se në këtë këtë vend gjërat (dhe ligjet, siç e pamë) janë kopsitur në mënyrë të tillë, që të aftët e të zotët, nëse s’kanë krahë, të humbasin çdo garë në kuadrin e emulacionit, të promovimit apo të fitimit (kur është fjala për biznes).

M’u kujtua kjo ngjarje, teksa kam vërejtur jehonën on-line e off-line të dy shkrimeve të mijat mbi nepotizmin në diplomaci. Sa më sipër (tok me rrethana të tjera) e shpjegon këtë nepotizëm; e shpjegon, po pikërisht ky lloj shpjegimi e bën gjendjen të patolerueshme.

P.S. “Institucioni”, ku donte të punonte kushërira ime, e ku nuk e preferuan, ngaqë doli e para, ishte Bashkia e Tiranës. E me këtë, ua hoqa kureshtjen e mbetur.