Shekulli Online, 19.01.2010
UPDATE – Këshilli i Europës i bën apel qeverisë dhe opozitës të nisin dialogun për zgjidhjen e krizës politike, kthimin e opozitës në Kuvend dhe kërkon ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.
Mesazhi jepet në raportin e fundit që Komisioni për Respektimin e detyrimeve dhe angazhimeve nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës ka publikuar për funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri.
Raporti pritet të diskutohet më 28 janar ora 15.00 në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Evropës në Strasburg, ndërkohë që pjesë e këtij komisioni raportuesish janë Jako Laakso nga Finlanda, Grupi i majtë i evropianëve të Bashkuar, dhe David Wilshire nga Mbretëria e Bashkuar, Grupi Demokratik Evropian.
Sipas raportit, opozita duhet të kthehet në Kuvend dhe të marrë përgjegjësitë e saj për zhvillimin e reformave në vend.
KE i drejtohet me një apel edhe kreut të shtetit, Bamir Topi, duke theksuar se ai duhet të ndërmjetësojë për zgjidhjen e krizës politike.
Draft rezoluta
Në pikën e parë të Draft Rezolutës disaprovohet kriza politike dhe institucionale që është në vend, ku PS ka bojkotuar Parlamentin dhe konteston legjitimitetin e qeverisë së drejtuar nga Partia Demokratike. “Në një Parlament ku mazhoranca qeverisëse nuk ka 3/5 (tre të pestat) e votave të duhura për të kaluar reformat kryesore kushtetuese, ky bojkot bën që reformat më shumë të nevojshme të jenë të pamundura. Kjo situatë dëmton popullin shqiptar dhe ambiciet e tyre të integrimit evropian”- thuhet në rezolutë.
Sipas saj, mungesa e dialogut parlamentar dhe rekursi tek bojkoti, në mënyrë të veçantë pas rezultateve të zgjedhjeve, përbën një problem të ripërsëritur në Shqipëri, që seriozisht pengon funksionimin e institucioneve demokratike të shtetit.
Në kushtet e mungesës së dialogut, Asambleja konstaton se kjo situatë mund të destabilizojë vendin.
Duke u ndalur në aplikimin për statusin e vendit kandidat, Asambleja vlerëson se në situatën aktuale, progresi i vendit drejt integrimit evropian është bllokuar. “Është domethënëse që Shqipëria, jo si tre vendet e saj fqinje, nuk është kualifikuar ende në liberalizimin e vizave nga Këshilli i Bashkimit Europian”- thuhet në të. .
Asambleja shpreh gatishmërinë e saj për të ofruar një ndihmë për të arritur zgjidhjen në Shqipëri dhe të punojnë në bashkëpunim të ngushtë me organizata të tjera ndërkombëtare, në kërkim të një zgjidhjeje të krizës politike. Për këtë, ajo mbështet gjitha përpjekjet, përfshirë ato të ndërmarra nga Presidenti shqiptar Bamir Topi, për të mbledhur së bashku partitë politike evropiane. Në këtë këndvështrim, konsideron se një tavolinë e rrumbullakët, ku të marrin pjesë të gjitha partitë politike për të vendosur bazat për të rivendosur dialogun parlamentar.
“Asambleja i kërkon qeverisë shqiptare dhe opozitës t’i japin fund krizës aktuale politike në vend dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të procedojnë me reformat jetike dhe shumë të nevojshme dhe të shënojnë progres në drejtim të integrimit evropian, një qëllim i përbashkët për të gjithë. Në mënyrë të veçantë, kërkon që qeveria të ngre,pas vonesë, një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, si dhe në të njëjtën kohë i kërkon opozitës të kthehet në Parlament dhe të marrë pjesë tërësisht në punimet parlamentare”- thuhet në draft rezolutë.







