Kavafisi – zoti i kohës

0
74

Arjan Th. Kallço

Përsëri poeti i madh Kavafis rishfaqet me vargjet e tij të bukura këto ditë dimri që duket se ndjenjat janë mpirë dhe vargjet nuk godasin shpirtin. Është një iluzion që e provon gjithkush në këtë kohë, por jo ata që i shkruajnë ato, poetët, njerëzit që i falin vargjet edhe në acar. E si për çudi, nuk ka vlerë kjo kur e do me gjithë shpirt një poet, vargjet e tij, gjithë universin e tij poetik, është poeti që nuk të ndahet.

Do ta takosh diku në ndonjë libër, në ndonjë mendin apo në ndonjë faqe interneti që të të kujtojë se miku yt i madh është aty, sa herë që e kërkon dhe sa herë që e mendon. Ky është fati yt i parashkaruar apo do të më pëlqente më shumë ta quaja, kur udhëton në të njëjtat lartësi me të, telepatia e shpirtit. Edhe kur isha në Athinë ai ishte me mua, tek ballkoni tek meditoja dhe e thërrisja që të zbriste atë agim aty me mua.

Kavafis, Ungareti, Marineti tre poetë që në jetë nuk provuan vetëm një atdhedashuri, pasi lindën larg atdheut të tyre, por nuk e harruan atë. Të tre poetë të mëdhenj që koha nuk i harron, sepse ishin vetë ata që nuk e harruan kohën, por e fiksuan në vargje, në zemrat e miliona njerëzve, në përjetësinë e ndritur të kulturës. Kavafisi është përkthyer 27 herë qysh nga koha kur jetoi në një gjuhë dhe vazhdon të përkthehet edhe sot në shumë gjuhë të tjera, pasi është gjuha e thjeshtë popullore, por e veshur me fjalët e magjishme klasike. Është poeti që ka një finesë të madhe shprehëse, joshës në variante dhe pasuri në dialekte, por është një poet jo shumë prodhimtar dhe për këtë flet edhe koha që nevojitet për të lexuar veprën e tij. 10800 = 3 orë, për të lexuar trashëgiminë poetike të Kostantino Kavafisit.

154 krijime të njohura prej tij si pasardhës legjitim me një shumë prej 2700 vargje. Poeti ka në krijimtarinë e vet një përmbledhje të madhe harmonike dhe me të drejtë është quajtur mjeshtër i tingullit. Poeti e përpunon fjalën si argjendari me dylbinë e vet punon me gurët dhe perlat që synon t’i vendosë në zbukurimet që krijon. Është e njëta punë e sikletshme, lodhëse që të krijosh diçka të re, të bukur, estetike që askush tjetër nuk e mban rekordin. Ky është synimi i Kavafisit që kur i zgjedh gurët e çmuar, i skarton më të errëtit, i rivendos, duke ua ndryshuar vendin, që të nxjerrin shkëlqime me dritë të re.

E fut fragmentin në ambrën e praruar të asaj greqishteje hipnoitke, të formuar ad hoc. Saktësi, transparencë të kristaltë, lexueshmëri magjike. Asnjë nevojë për nota shpjeguese që pengojnë shijimin. Është sekreti i fatit planetar të Kavafisit – shprehet një kritik italian me rastin e botimit të përmbledhjes në kolanën 100 vjet poezi. As më shumë e as më pak, por tre orë poezi. Në pamje të parë mund të duket një periudhë e vogël, por është e tejet e pafund dhe vlen sa një jetë e tërë. Një hark kohor tepër konçiz, nga ora 9.00, kur është vetëm në shtëpinë e tij në Aleksandri dhe ku riti fillon me ndezjen e dritës, por nuk ka llampa elektrike, për këtë ankohej edhe futuristi italian dhe themeluesi i saj Marinetti, edhe ai aleksandriot si poeti Kavafis dhe një admirues i tij i veçantë.

Në imagjinatë shfaqet portreti i trupit të tij të ri tek i kujton kënaqësitë e shpirtit, dhomat e mbyllura me aromën e dashurisë klandestine të një çasti fatlum, rrugët e qytetit, kafetë e rufitura, teatrot e ditëve të kaluara. Më pas si besimtari në lutje, zbërthen gjerdanin me lutje të kujtimeve të trishta, të zive, dhimbjeve shpirtërore. Troket më pas ora 12.30 dhe në skenë shfaqet largimi. Sa shpejt fluturoi koha e ditëve të jetës së tij si pa e kuptuar. Bashkë me të ikën edhe vitet e krejt një jete që sa hap e mbyll sytë i drejtohet fundit. Por Kavafisi është zoti i kohës. Kur themi kohë, nënkuptojmë veten tonë. Pjesa më e madhe e abstraksioneve janë vetëm pseudonimet tona, nëse citojmë Ruskinin.

Është e tepërt të thuhet Koha nuk ka drapër, as dhëmbë. E dimë. Koha jemi ne. Profesioni Poet, kështu është shkruar në pasaportën e fundit të poetit Kavafis. Dikush në kohët moderne do ta kishte zili që të mbante një cilësim të tillë në dokument, pasi nuk e shohin më si një profesion, por si një titull që i shoqëruar edhe me atë të dokumentit do të ishte shkalla më e lartë e lavdisë së një poeti me të tilla dimensione. Cilësimi tjetër, ai real, i imponuar edhe nga rënia ekonomike e familjes së origjinës, dikur pati qënë në lulëzim, nuk i shkonte shumë përshtat poetit.

Nuk ishte veç një nëpunës në Ramleh, një lagje e Aleksandrisë, qyteti ku kishte lindur në vitin 1983 dhe ku vdiq, pas vuajtjesh me kancer në fyt, pikërisht në 60 vjetorin e datëlindjes. A ishte një rastësi e sajuar, apo për t’i dhënë më shumë madhështi fati preferoi që ta përjetësonte në ditën e lindjes? Në fillimet e tij të punës punoi si kopist kaligrafish. Më vonë u largua si zv.drejtor i një seksioni, por ai ishte një si poliglot i vërtetë. Korrigjonte letërkëmbimin e jashtëm të ndërmarrjes dhe i detyronte disa daktilografistë ta çonin në përsosmëri punën, pasi Kavafisi ishte një maniak i detajeve.

Shpesh i dërgonte vartësit në zyrat pranë për të hequr dhe shtuar edhe një presje të vetme. Zoti kavafis, Ju po penelopizoni punën time – i tha një herë një nëpunës i vogël. Futja e cohës mitologjike në rutinën e tij ndoshta i ka shkëputur një buzëqeshje asaj fytyre që e portretizojnë të ngrirë, një krem me trishtim dhe me depresion- thotë kritiku. Por poezia hynte edhe në zyrë. Kujtojmë disa ekstaza të çastit, krahët që ngrihen lart, grushtat që godasin ajrin : triumfi i poetit grabitqar që gjen sulmin e duhur, mbylljen e përsosur, formulën e frymëzuar.

Kur mbaroi poezia e Kavafisit? Kur dilte nga lidhja, dhomë prapa hyrjes së tij, vishte pardesynë e zhubrosur dhe troksite tek tipografi. I dorëzonte fletën me rimat e kthyera duke thirrur : Merreni, më djeg dora si një qymyr i ndezur. Ishte zjarr i përkohshëm. Rrëmonte në hirin e ftohur në vite, duke kërkuar feniksin e vet, vargun ideal. Si të gjithë poetët i pëlqente që t’ua shpërndante vetë kopjet dhe fashikujt e poezive të veta, miqve më të besuar apo ndonjë reviste.

As që i shkonte në mendje dhe as bëhej fjalë për t’i shitur ato. Kur kujtohej apo kur mendonte se vargjet edhe mund të përmirësoheshin, është fakt se pena e tij nuk ndalej edhe pas botimit të librit, shpesh ia kërkonte faqen kujt ia kishte dërguar. Ndërkaq tregonte histori. Një tjetër anë që e magjeps atë qe i lexon. Nuk dihet – vazhdon kritiku – nëse vepronte si Stefen Kingu që lutej çdo ditë : Më dhuro një histori të bukur sot, o zot. Sigurisht zoti, tek ai që besonte në këtë art, i ndihu Kavafisit.

Autori i vargjeve të qiririt, Naimi ynë do të ishte isoja e duhur e saj, i ambienton poezitë e tij “historike” tek helenizmi, korteun përrallor të shekujve që ndoqi bëmat dhe vdekjen e Aleksandrit, me mbretëritë krenare, të fuqishme apo kukulla të diadokëve të vet në Maqedoni, Siri, Aleksandri “caput mundi” i kohëve, derisa froni i kaloi Romës. Për këtë epokë dhe për të mëpasmen bizantine, Kavafisi ndihej i mbijetuar dhe profet. Tek Mbretër aleksandirinë djali i mirë Cezarione shkëlqente nën një mantel prej mëndafshi rozë.

Një anakronizëm? Jo, Kina ishte larg, por grekja Chio e prodhonte pëlhurën shekuj më parë sesa murgjit ta importonin krimbin. Tek Mjeshtërat e kratereve, një artizan argjendar gdhend në vazo shenjat e djalit që do, këmba e tij që luan në ujë. Kishte rënë në betejë, shumë vite më parë. Skulptori thërret kujtesën që t’i japë përsëri imazhin e fytyrës, të trupit të adhuruar. Magjia përmbushet. Shekujt asgjesohen. Në gjoksin e artistit të lashtë është murosur zemra e Kavafisit – thekson kritiku.

ITAKA
Kur do të fillojë udhëtimi yt drejt Itakës,
lutu që rruga të jetë e gjatë,
plot me aventura, plot me njohje.
Lestrigonët dhe Ciklopët
Poseidonin e furishëm- mos i ki frikë:
nuk do t’i takosh kurrë në udhën tënde,
nëse mendimet e tua do të mbeten lart, nëse një emocion
i këndshëm do të ta përkdhelë shpirtin dhe trupin tënd…

NGA SIRTARI
Desha ta varja në një mur të dhomës
Por lagështia e sirtarit e prishi.
Nuk do ta vendos në kornizë këtë fotografi
Duhej ta ruaja me më kujdes…

QYTETI
The : nëpër vende të tjera do të shkoj, në det tjetër.
Tjetër qytet, më të dashur se ky, ku
Çdo përpjekja ime drejtohet tek dështimi,
Ku zemra ime si një i vdekur i kallur
Prapë do të rrahë. Deri sa të nisem, pse kjo inercia ime?…

SA MË SHUMË
Ta krijosh jetën nuk mundesh,
siç do të deshe? Të paktën këtë provo
sa më shumë të mundësh : mos e zhvlerëso shumë
në kontaktet ngulmuese të njerëzve,
në jetën ngulmuese dhe në pallavra…

DUKE PRITUR BARBARËT
Çfarë po presim të mbledhur në shesh?
Po mbërrijnë Barbarët sot.
Përse një zhezhitje e tillë në Senat?
Përse Senatorët rrinë e s’nxjerrin ligje?
Barbarët do të mbërrijnë sot.
Çfarë ligje do të votonin Senatorët?
Kur të mbërrijnë, Barbarët do t’i bëjnë ligjet…