Katër dështimet e mëdha dhe agresiviteti i maxhorancës

0
48

Arben Malaj

Arben Malaj, 3 dhjetor 2009

1. Zgjedhjet parlamentare
Dështimi më i madh janë standardet evropiane të zgjedhjeve parlamentare. Standardet evropiane të zgjedhjeve nuk duhet të ishin një bast personal i Kryeministrit, por një detyrim jetik i qeverisë dhe i politikës shqiptare. Sot, kur ambienti politik po mbingarkohet negativisht, dallohen më qartë humbjet nga mosarritja e këtyre standardeve. Rezultati i zgjedhjeve do të ishte i menjëhershëm dhe i pakundërshtueshëm, siç ndodh në çdo vend me demokraci të konsoliduar. Çdo fitues, nga një garë me standarde, do të kishte legjitimitet maksimal dhe të respektueshëm. Çdo qeveri do të krijohej shpejt dhe do të kishte kredibilitetin e domosdoshëm. Çdo opozitë do të kishte humbur çdo alibi, për të mos njohur dhe respektuar rezultatin. Çdo opozitë do të riorganizohej menjëherë për t’u bërë e efektshme. Ndoshta këto janë disa prej përfitimeve reale që ka çdo vend nga standardet evropiane të funksionimit të demokracisë, ku zgjedhjet janë testi më i qartë dhe më i plotë.

2. Vizat
Vizat janë dështimi i dytë. Së pari, sepse qeveria e përdori kohën në të cilën shqiptarët do të përfitonin vizat si test të suksesit të saj; së dyti, sepse mospërfitimi i heqjes së vizave nuk pengohet veçse për arsye teknike dhe këtu përgjegjësia është e drejtpërdrejtë për qeverinë; së treti, sepse jo vetëm nuk përfituam lëvizjen pa viza për në EU, por do të kemi vështirësi lëvizje me vendet fqinje. Arsyeja e fundit, sepse ambienti mbështetës nga BE është pozitiv dhe suportiv për vendet tona. Të dështosh, kur ke në favor vendimin politik të 27 vendeve të BE-së, është qartësisht dështim vetëm i qeverisë. Qeveria ka dështuar në kushtet kur ka qenë e stimuluar dhe e mirëpritur për të përfituar heqjen e vizave.

3. Korrupsioni
Dështimi i tretë i qeverisë është korrupsioni. Shqipëria zbriti dhjetë vende më poshtë. Problemi bëhet më i mprehtë, kur analizon rënien në dhjetë vende më poshtë se viti i kaluar. Ka dy mundësi të biesh në një renditje të indeksit të korrupsionit: njëra është kur vendet e tjera ecin me shpejtë se vendi yt; në këtë rast ke humbur një garë. Rasti tjetër është kur vendi zbret dhjetë nivele më poshtë, për shkak të përkeqësimit të treguesve të korrupsionit në raport me vetveten; ky është dështim. Një vëmendje të veçantë merr edhe fakti që ky përkeqësim ndodh në një vit elektoral. Kjo do të thotë se politika i keqpërdor financat publike dhe administratën publike, se administrata publike është joprofesionale, se lufta kundër korrupsionit më shumë keqpërdoret politikisht sesa është parë si një sfide prioritare.

4. Buxheti
Dështimi i katërt është buxheti i vendit. Së pari, mungesë totale transparence dhe në kushtet kur opozita nuk është prezent. Qeveria ka detyrim ligjor t`i prezantojë Kuvendit dhe publikut të dhëna 5-vjeçare të buxhetit, duke ndihmuar të qartësohet çdo risk potencial, për të hartuar politikat përkatëse që e reduktojnë atë. Së dyti, dështimet 2009 u prezantuan si suksese të buxhetit 2010. Mosrealizimet për rreth 300 milionë dollarë u prezantuan si rritje të buxhetit 2010. Duke mbajtur parasysh mosrealizimet e 2009-s dhe risqet e vitit 2010, situata mund të vazhdojë të jetë e vështirë edhe në vitin e ardhshëm.

Së treti, buxheti i vitit 2010 zbuloi dështimet e qeverise për të mbështetur faktorët thelbësorë të një rritje ekonomike të qëndrueshme afatgjatë, siç janë arsimi dhe shëndetësia. Mbështetja buxhetore për arsimin dhe shëndetësinë është shumë larg objektivave që qeveria premtoi më 2005-n. Çdo demagogji qeveritare dështon përballë problemeve në rritje, që konstatohen në arsim dhe shëndetësi. Së katërti, buxheti i vitit 2010 nuk kishte një paketë financiare, edhe pse vendi duket se do të ketë vështirësi për të ruajtur stabilitetin buxhetor. Qeveria i ndryshon taksat, tatimet dhe buxhetin në mes të vitit, ku mungon fokusi, transparenca dhe debati publik.

Së pesti, dështim në buxhet është rritja e shpejtë e kostos së borxhit. Vetëm për dy vjet 1.1 miliardë dollarë borxh i ri. Vetëm për dy vjet, 280 milionë dollarë më shumë kosto e borxhit për kreditë me interesa të rënda tregtare. Këto dështime konkrete në prioritete jetike do të ishin një barrë e rëndë për çdo qeveri. Një ditë edhe ne do të kemi zgjedhje të standardeve evropiane, por ne mbetemi sërish të fundit në Evropë. Një ditë ne do të udhëtojmë pa viza, por sërish do të përfitojmë të fundit në Evropë. Ja pse qeveria nuk mund të vetëdeklarohet e suksesshme dhe, aq më pak të jetë gjeneruese e agresivitetit politik. Ja pse qeveritaret tanë duhet të lodhen, për të shmangur kostot e këtyre dështimeve. Ja pse ministrat nuk duhet të lodhen në garën partiake, për te qenë sa më agresivë ndaj opozitës. Ndoshta Kryeministri i vlerëson dhe i shpërblen ata si militantë dhe besnikë të partisë së tij, dhe jo si shërbëtorë të vendit të tyre.