Dukagjin Alimusaj, 07.07.2011
Thuhet se kur Zoti vendos me ja thye qafën dikujt, atëherë veprimi i parë që bënë është marrja e mendjes së njeriut apo njerëzve të venë në shënjestër nga Ai. Këto fjalë po me kujtohen saherë që po shoh shfaqjen e tensioneve tepër të larta në debatin fetar të shqiptarëve. Kam përshtypjen se ky debat është i motivuar kryesisht nga dëshira e disa individëve dhe grupeve radikale për lëndimin verbal të atyre që mendojnë ndryshe dhe për arritjen me çdo kusht të synimeve të tyre për dominim mbi shoqërinë tonë.
Këto grrithje virtuale të ekstremistëve fetar nuk do i shkaktonin askujt më shumë dhimbje sesa kafshimi i një mize të tredhur n’prapanicen e kalit të Skënderbeut, sikur të mos kishim përfshirjen e shtresave më të gjera të popullsisë në vallen e tyre të rrezikshme – çka përbën një arsye të mjaftueshme për të pyetur se a mos jemi duke shkuar drejt thyerjes së qafës?! Ndoshta përgjigjen e duhur në ketë pyetje mund ta japin konservatorët dhe të moderuarit nga të gjitha bashkësitë tona fetare, të cilët janë njerëz të vetëdishëm e të arsyeshëm dhe të cilët mund të artikulojnë më së miri kërkesat dhe nevojat e bashkësive të tyre, pa shkaktuar rritje të panevojshme të tensionit në shoqëri.
Ato që nuk janë në gjendje që të japin përgjigje në këtë pyetje sigursht se janë disa mendje të mplakura nga radhët e veteranëve të kazanit ballkanik, të cilat shkojnë aq larg në lajthitjen e tyre sa të bëjnë barazpeshimin e institucioneve tona fetare me kishën ortodokse serbe. Kuptohet se është gabim ta barazpeshosh promovimin e paqes dhe tolerancës shoqërore që bëhet nga shumica dërrmuese e përfaqësuesve tanë fetar me nxitjen e terrorizmit dhe urrejtjes shoqërore që bëhet nga pothuajse të gjithë përfaqësuesit e kishës serbe, tuj përfshi edhe kryepeshkopin e saj, i cili vetëm para disa ditësh mbajti një fjalim luftënxitës në zemër të vendit tonë.
Gabim është edhe krahasimi i katedrales sonë të re, vendimi për ndërtimin e së cilës është marrë nga bartësit e institucioneve legjitime, me një këpurdhë helmuese të mbjellur me dhunë nga pushtuesit serbë në bahçen universitare. Nuk mund të bëhen barazpeshime të tilla përderisa të mos kemi kërkimfaljen e kishës serbe për krimet e kryera ndaj shqiptarëve, njohjen e pavarësisë dhe autoritetit të shtetit tonë, aplikimin e rregullave të njëjta për të gjitha institucionet fetare, dorëheqjen nga nxitja e terrorizmit dhe urrejtjes shoqërore, dhe zhvendosjen e këpurdhës helmuese prej bahçes universitare.
Sa i përket debatit fetar duhet thënë se ai është i domosdoshëm dhe shumë i dobishëm, nëse zhvillohet me qëllimin e përmirësimit të marrëdhënieve mes bashkësive të ndryshme fetare dhe në shërbim të gjetjes së zgjidhjeve sa më optimale për kërkesat dhe nevojat e pjesëtarëve të këtyre bashkësive. Natyrisht se nuk është aspak e lehtë që të shkohet në ketë drejtim, për shkak të mosmarrëveshjeve që mund të kemi me ekstremistët e kësaj apo asaj bashkësie fetare, saherë që atyre të mos u pëlqej mënyra e argumentimit tonë apo pasqyrimi i gjendjes së tyre.
Një ndihmesë e madhe në shmangjen e ngritjes së tepruar të tensionit vjen nga mbështetja në formulën pashkovasiane, qëllimi i vërtetë i së cilës nuk ka qenë asnjëherë për ta ngulfatur jetën shpirtërore të askujt por për të shërbyer për të gjithë si mburojë mbrojtëse ndaj ekstremizmit fetar të të gjitha ngjyrave. Nisja nga kjo formulë por edhe nga parimet dhe vlerat universale të njerëzimit na ndihmonë në gjetjen e zgjidhjeve për çështjet që janë vendos në qendër të debatit fetar, siç është ajo e Katedrales së Prishtinës, e cila mund të zgjidhet shumë lehtë, nësë mendojmë me gjakftohtësi dhe përqendrohemi në thelbin e funksionit të saj.
Katedralja e Prishtinës është një objekt fetar, ndërtimi i së cilit është një e drejtë e patjetërsueshme e të krishterëve shqiptarë. Funksioni parësor i kësaj kishe është plotësimi i kërkesave dhe nevojave praktike të pjesëtarëve të bashkësisë së krishterë. Ajo do u shërbej atyre si tempull për mbajtjen e meshave dhe ceremonive tjera fetare, si dhe do jetë adresa kryesore e kishës sonë katolike. Njëkohësisht, ndërtimi i saj i legjitimon edhe më shumë kërkesat e myslimanëve shqiptarë për ndërtimin e një tempulli të ngjashëm që do u shërbente për plotësimin e nevojave të tyre praktike – sepse kështu vihet ne pah mungesa e logjikës kur një bashkësie fetare i ofrohet hapesirë e mjaftueshme për ushtrimin e aktiviteteve të saja kurse pjesëtarët e bashkësisë tjetër detyrohen që t’i kryejnë ritet e tyre fetare në rrugë për shkak të mungesës së hapesirës së nevojshme.
Natyrisht se dhënia fund e padrejtësive ndaj myslimanëve nuk do u pëlqejë ekstremistëve kristian pasiqë ata thjesht janë të vendosur që të mbesin të ngujuar në skutat e errëta mesjetare, mirëpo konservatorët dhe të moderuarit e bashkësisë së krishterë e kuptojnë shumë mirë se porosia e atij zdrukthëtarit nazaretas për njerëzimin që ’të shprehim dashninë tonë ndaj atyre që kemi më së afërmi’ në gjuhën shqipe do të thotë shfaqje e respektit dhe përkrahjes për vëllëzërit e tyre myslimanë dhe jo përqafim i rrymave radikale që fryjnë herë nga Vatikani e herë nga Teksasi drejt tokave shqiptare.
Katedralja e Prishtinës është një lapidar përmes së cilit shqiptarët janë duke i kujtuar tri figura të rëndësishme historike: Karol Vojtilen, Gonxhe Bojaxhiun dhe Ibrahim Rugoven. Këta tre njerëz kanë lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në historinë e popullit shqiptar por edhe në kujtesën kolektive të njerëzimit. Papa Gjon Pali II nuk do harrohet për përkrahjen e tij morale ndaj shqiptarëve në kohën e robërisë së tyre dhe për kontributin e tij në rrëzimin e sistemit komunist. Ndërsa Nana Tereze është një personalitet që ka ndihmuar shumë në vetëdisimin e botës për vuajtjet e shqiptarëve dhe anasjelltas.
Kurse Ibrahim Rugova ka dhënë kontribut të madh në rindërtimin e urave lidhëse të shqiptarëve me botën e krishterë. Emnuesi i përbashkët i veprimtarisë së këtyre tri personaliteteve është përhapja e frymës së tyre përmes rrugës paqësore. Dhe është kjo frymë që e ka nxitë ngjizjen e këtij lapidari, prandaj edhe ndërtimi i tij është një kontribut ndaj paqes dhe një kujtim i përhershëm për figurat e lartëpërmendura.
Katedralja e Prishtinës simbolizon nderimin e trashëgimisë sonë të krishterë. Përmes përkrahjes së ndërtimit të saj, myslimanët shqiptarë jo vetëm që e përkujtojnë të kaluarën e tyre të krishterë por në ketë mënyrë dëshmojnë edhe aftësi mbrojtëse ndaj ndërhyrjeve të ekstremistëve islamik, të cilët duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë se konservatorët dhe të moderuarit e bashkësisë myslimane nuk i shesin vëllëzërit e tyre të krishterë për myslimanët e huaj. Natyrisht se ata kanë të drejtë që të përmallohen për Bjeshkët e Hindukushit, ama gabojnë shumë nëse mendojnë se do kenë sukses në përpjekjet e tyre për importimin e mënyrës së jetesës dhe mendësisë së asaj ane të botës drejt tokave shqiptare.
Katedralja e Prishtinës është një kishë që i nderon të gjithë shqiptarët. Ajo është e jona. Pikë.