Katastrofa po rrezikon sigurinë kombëtare

0
53

Nga Ing. Sadedin Çeliku

Situata në veri të vendit, e shkaktuar nga gabime të qarta njerëzore dhe jo nga fatkeqësi natyrore, ka rënduar situatën e sigurisë kombëtare dhe mosveprimi i mëtejshëm i Presidentit dhe Prokurores së Republikës na vënë para përgjegjësisë së shkeljes së Kushtetutës. E vendosur dhe në kontekstin e një krize që kishte nisur më parë, katastrofa në veri të vendit rëndon situatën e sigurisë kombëtare, që është një koncept shumë më i gjerë sesa rreziqet që vijnë nga luftërat apo agresionet ushtarake.

Institucioni i Presidentit dhe ai i Prokurorisë duhet të jenë të ndjeshëm për mënyrën se si zbatohet koncepti i sigurisë kombëtare në kushtet e sotme. Pesë janë arsyet pse shteti duhet të zbatojë politikat e sigurisë kombëtare të mëshiruara në Kushtetutë.

– Të trajtojë dhe sigurojë qytetarët nga të gjitha rreziqet në mënyrë gjithëpërfshirëse.

– Të rrisë efektivitetin e sektorëve të sigurisë duke bërë efektivë kontributet e të gjithë aktorëve të sigurisë.

– Të drejtojë zbatimin e politikave të sigurisë.

– Të ndërtojë konsensusin e brendshëm të vendit.

– Të rrisë besimin dhe bashkëpunimin kombëtar e ndërkombëtar.

Pra, për të ndjekur dhe zbatuar politikat e sigurisë kombëtare kërkohen instrumente, struktura, organe vëzhgimi, transparencë, ndërgjegjësim i publikut për përballimin e sfidave që burojnë nga zbatimi i sigurisë kombëtare.

Po t’i referohemi Strategjisë të Sigurisë Kombëtare, të miratuar me ligj nr. 9322, datë 25.11.2004, rezulton se shteti, krahas të tjerave, duhet të mbrojë jetën dhe pasurinë e njerëzve si pjesë përbërëse të pasurisë kombëtare, paqen e sigurinë në vend, konsolidimin e shoqërisë demokratike dhe të drejtave të njeriut, konsolidimin e institucioneve dhe të instrumenteve të sigurimit etj.

Pyetja shtrohet thjesht: A cenohet siguria kombëtare nga kjo situatë e vendosur në kontekstin e një krize që kishte nisur? Në kontekstin që po e diskutojmë, po. Kryeministri kohët e fundit zgjodhi rrugën më të vështirë për mbajtjen e pushtetit dhe zgjidhjen e krizës. Ai preferojë ta dobësojë kundërshtarin e opozitës me akuza të rënda, që seriozisht cenojnë sigurinë kombëtare. Akuzat u bënë publike nga tribuna e parlamentit si “kapo i krimit të organizuar”, “fondamentalist”; “padrino i mafies” etj.

Të njëjtat akuza u bënë dhe për biznesin, i cili mban gjallë me taksa shtetin dhe zbut mjaft plagë që qeveria nuk tregohet e aftë t’i zgjidhë. Pra, jo vetëm që u cenua siguria kombëtare, por dhe kodi i vlerave, që është themelor për një komb. Këto u bënë shkak për t’u rritur vjedhjet, shpërdorimet, krimi i organizuar dhe shqiptarët humbën shpresën se ne mund të bëhemi vërtet shtet ligjor. Kryeministri do të bënte mirë që t’i drejtohej prokurorisë.

Duke iu referuar sa sipër, dalim me konkluzionin se përmbytjet e Lezhës dhe Shkodrës nuk janë thjesht shkaqe natyrore, por gabime të rënda për arsye aftësish. Qeveria nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë plan për raste të tilla dhe shqiptaret i ka ruajtur Zoti, se qeveria, siç shikojmë, nuk është e zonja të përballojë asgjë. Vajtja në vendndodhje e kryeministrit, kryetares së parlamentit dhe aty-këtu e ministrit të Brendshëm dhe atij të Energjitikës të krijon përshtypjen sikur shkojnë në spektakle me lugë në brez.

Portat duheshin hapur me kohë, rregullorja, thonë ekspertët, nuk është zbatuar, pra nuk kemi të bëjmë me një gabim njerëzor, por me një krim, ndaj prokuroria duhet të veprojë dhe të thyejë heshtjen e gjatë që e ka pllakosur.

Duke pasur parasysh pronat e mijëra njerëzve, të cilat janë dëmtuar, arrijmë në përfundimin se siguria kombëtare është cenuar rëndë. E parë nga ky këndshikim, më së paku përballë kësaj situate ministri i Brendshëm dhe ai i Energjitikës duhet të japin dorëheqjen ose kryeministri duhet t’i shkarkojë menjëherë.

Përballë kësaj situate ata janë direkt përgjegjës. Ndërsa Presidenti i Republikës do të bënte më mirë të mblidhte Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe të analizonte situatën se sa të shkonte në vendngjarje, kur realisht nuk ka ndonjë funksion ekzekutiv.

Zbatimi i detyrimeve kushtetuese për Presidentin dhe Prokuroren e Përgjithshme në këto momente është vendimtar, pasi, nëse do të ndodhë më e keqja nesër, analizat dhe ngritja e zërit do të jetë e tepërt. Koha për të bërë detyrën e tyre kushtetuese në funksion të sigurisë kombëtare është tani.

* Ish-zëvendësministër i Transportit dhe Punëve Publike