Nga Tema
Katastrofa e ndodhur në Lezhë dhe Shkodër është përgjegjësi direkt e qeverisë së kryeministrit Berisha dhe ministrit të Energjisë, Dritan Prifti. Burime pranë gazetës thonë se këta të fundit kanë qenë në dijeni të situatës që prej fillimit të muajit dhjetor. Pavarësisht kësaj, ata jo vetëm që nuk kanë urdhëruar shkarkimin e ujërave nga Fierza, por kanë vazhduar që të importojnë energji. Gjë që do të thotë se miliona euro të taksapaguesve shqiptarë janë shpërdoruar me vetëdije, për të mos thënë vjedhur, nga ana e qeverisë shqiptare. Këto burime thonë se, në fillim të muajit dhjetor, Fierza ka qenë mbi 17 metër më shumë se se sa një vit më parë, shifër që paralajmëronte për një rrezik të qenësishëm për përmbytje.
Edhe pse në këto kuota të larta, KESH nuk ndërmori asnjë masë parandaluese. As nuk rriti prodhimin dhe as tentoi të bënte shkarkimet. Prodhimi në dhjetor ishte mesatarisht 18 deri në 20 milionë kë/orë në ditë, ose 8-10 milionë kë/orë më pak nga kapaciteti maksimal. Është i çuditshëm fakti që OSSH importonte mesatarisht 10 milionë kë/orë energji në ditë, energji që mund të ishte blerë në vend nga KESH-i. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Për pasojë në javën e fundit të dhjetorit situata doli jashtë kontrollit. Në 26 dhjetor Fierza arriti 289.3 metra dhe në datën 27 dhjetor kaloi nivelin e sigurisë së lejuar nga rregullorja e shkarkimit, duke arritur në mbi 290.3 metër.
Edhe pse tashmë të dhënat me gjasa të çonin drejt katastrofës së janarit, KESH importonte energji nga Kosova përgjatë shumicës dërrmuese të muajit dhjetor. Sipas të dhënave të konfirmuara nga Koorporata Energjetike e Kosovës, në dhjetor u importuan nga Kosova gati 20 milionë kë/orë, me vlerë mbi 1.2 milionë euro. Para këto të çuara dëm, pasi kaskada u hap, duke shkarkuar rezervat hidrike të tejmbushura. Kur përmbytja kishte nisur në Shkodër dhe Lezhë, qeveria u mundua të justifikohet me prurjet e larta të reshjeve.
Por, të dhënat tregojnë se prurjet në vitin 2009 kanë qenë më të ulëta se viti 2008. Specialistët thonë se prurjet e këtij viti janë më të ulëta se sa kur ndodhën përmbytjet në vitet 1995 dhe 1963. Përtej deklaratave qetësuese dhe kërkimit të dënimit të personave që thonë se situata është dramatike, kryeministri Berisha duhet të shprehet publikisht për dijeninë që ka pasur për situatën. Jo më kot ai paralajmëronte katastrofë disa ditë më parë. Ekspertë dhe specialistë ndërkohë thonë se prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet, për shkeljet flagrante të konstatuara. Një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë, pasi edhe pse ka më shumë se tetët ditë që kanë nisur përmbytjet në Lezhë dhe Shkodër, prokuroria nuk ka marrë asnjë veprim hetimor.