Nga John Feffer, “Foreign Policy In Focus”
Jo, nuk është një shaka. Shqiptarët e vlerësojnë aq shumë George W. Bush, sa t’i vendosin një kafeneje emrin e tij. Madje ka dhe një rrugë me emrin e tij në kryeqytetin, Tiranë, edhe pse është e shkurtër dhe e spërdredhur.
Bush u prit ngrohtësisht, kur u bë i pari president amerikan që vizitonte vendin në vitin 2007.
Mbështetja e administratës për hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe pavarësinë e Kosovës fqinje kontribuuan që Shqipëria të bëhet një nga vendet më të vendosura pro-amerikane në Evropë.
Aq entuziaste është Shqipëria për NATO-n, sa praktikisht ka dyfishuar kontingjentin e saj në Afganistan këtë korrik, edhe pse vendet e tjera evropiane po bëjnë llogari si të tërheqin trupat e tyre. Në rregull, kjo rritje e çon numrin vetëm në 262 ushtarë, por, meqë Shqipëria sa për emër njihet si vend me shumicë myslimane – feja në fakt nuk luan ndonjë rol aty – pjesëmarrja në Afganistan është një mënyrë e mirë për Uashingtonin për të bërë marrëdhënie me publikun.
Entuziazmi i shtuar për NATO-n duket se ka zbehur pak shijen e keqe që la zbulimi i faktit se një kontraktor 22-vjeçar i Pentagonit në Florida, po përdorte Shqipërinë si kanal për të dërguar municion të vjetër e të ndaluar kinez për trupat në Afganistan.
Një kafene, një rrugë: Nuk janë aq sa duhet për themelet e një kulti të personalitetit. Në Prishtinën fqinje, për shembull, Bill Clinton ia ka kaluar lehtësisht pasardhësit të tij. Ai jo vetëm që ka një bulevard me emrin e tij, por këtë muaj qeveria kosovare zbuloi një statujë të praruar disa metra të gjatë të Bill Clinton, duke mbajtur në dorë dokumentet që kanë të stampuar datën kur NATO nisi të bombardojë Serbinë në vitin 1999.
Nuk duket se ka gjasa që Iraku apo Afganistani të ndërtojnë ndonjë monument për George W. Bush. Por në Tiranë duket se ka një vend perfekt për statujën e Bushit. Mu në mes të qytetit, në një platformë prej guri, afër statujës kalorësiake të heroit kombëtar, Skënderbe, ndodhet vendi ku dikur qëndronte monumenti prej tetë tonësh bronz, i ish-diktatorit Enver Hoxha.
Përveç disa periudhave kohore të shkurtra, kur autoritetet bashkiake vendosin aty një pemë Krishtlindjesh, vendi është bosh.
Ngritja e një statuje të Bushit në gjurmët e Hoxhës do të ishte në fakt nderimi i përshtatshëm për presidentin e 43-të.
*John Feffer është bashkë-drejtor i projektit Politikat e Huaja në Fokus (Foreign Policy In Focus) një think-tank me qendër në Uashington