Kapja e Tregut

0
56

Rudina Seseri

Erjon Braçe

Rudina Seseri, Erjon Braçe, 26.06.2010

Njëri prej institucioneve kushtetuese, më të rëndësishëm e më profesional në Shqipëri, Shërbimi Informativ Shtetëror, tre ditë më parë, në një raportim serioz e të përgjegjshëm para deputetëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit të Republikës, konkludoi kështu: (Po mundohem të lexoj shënimet e mbajtura në mënyrën më korrekte të mundur.)

Ekonomia shqiptare është në krizë dhe nën agresion kriminal, por edhe politik strategjik me qëllim diktimin e ndryshimit të linjës politike strategjike të pozicionimit dhe zhvillimit të vendit.

Për fat të keq, vendimmarrja e Qeverisë së Kryeministrit Sali Berisha po krijon lehtësira të qëllimshme për realizimin e këtyre objektivave kriminale, politike e strategjike.

Prodhimi, transmetimi dhe shpërndarja energjisë elektrike vazhdon të mbetet monopol i fortë.

Të treja kompanitë KESH, OST, OSSH, kanë vijuar të abuzojnë dukshëm me pozitën e tyre monopol, kur kanë kërkuar dhe përfituar rritje maksimale të çmimeve të shërbimit dhe tregtimit të energjisë elektrike.

Për shkak të kushteve të jashtëzakonshme hidrike, pozita dominuese në import e disa kompanive serbe, veçanërisht e EFT dhe RUDNAP, ka ndryshuar kahje për nga eksporti: KESH mbi 50% të eksportit të energjisë e ka determinuar tek këto dy kompani.

Aktiviteti i kërkimit të naftës vijon të mbetet monopol i fortë dhe tejet abuziv.

Aktiviteti i nxjerrjes, prodhimit të naftës mbetet një oligopol i fortë.

Shqipëria ka një pasuri që vlerësohet në 7.5 mld fuçi naftë në rezerva.

Vlera totale e rezervave të naftës dhe gazit në zonat e lartpërmendura vlerësohet në 3.3 mld usd.

Të tre kompanitë janë të listuara në bursën e Torontos (Toronto Stock Exchange) ku aksionet e tyre shiten e blihen çdo ditë.

Aktiviteti i vetëm dhe kryesor i këtyre kompanive është nxjerrja e naftës nga pronat koncesionare shqiptare.

Siç pranojnë dhe vetë kompanitë e lartpërmendura, termat koncesionare janë “shumë favorizuese”:

– 25 vite kontroll të pasurisë + të drejtën rinovim kontratë për 5 vite

– 0% kontroll nga qeveria të aksioneve të kompanisë

– Asnjë kontratë për bashkëndarje me shtetin shqiptar nga prodhimi i naftës

– 0$ për shtetin për sa kohë firma nuk rekuperon 100% të kostos së saj

– Vetëm 11% ndarje të fitimit për nxjerrjet e reja të naftës, e cila ulet gjithmonë e më shumë me kalimin e kohës

– 50% taks mbi fitimin (shihni tabelën krahasuese në vijim)

– Të drejtën për të shitur 100% të naftës jashtë Shqipërisë, pa qenë të detyruar të ofrojnë asnjë litër në tregun shqiptar.

Deri më sot shteti shqiptar nga këto kontrata në këtë zë ka marrë 0$.

Rasti “Bankers Petroleum”:

– Nga koha kur kompania morri kontratën e Patos-Marinëz, vlera e çdo aksioni të kompanisë është rritur 14 herë.

– Falë kontratës koncesionare nga qeveria dhe pasurive të shqiptarëve, vlera totale e Bankers Petroleum SOT është 1,727 Miliard USD!!!

Rasti “Strem Oil”:

– Nga koha kur kompania morri kontratën për 4 vendburimet Balsh, Cakran, Gorisht, Delvinë, vlera e kompanisë në bursë ka arritur në 31milion usd.

– Përfaqësuesi shqiptar, T. A është një nga dy pronarët e mëdhenj të kompanisë, ai ka deri tani 3.1 mln us dose 6 mln aksione të kësaj kompanie.

ARMO ka sot një borxh kolosal, gati 60 mln usd kompanisë Albpetrol dhe miliona të tjera tek OSSH. Praktikisht, sot, 80% e naftës bruto të prodhuar në vend nuk përpunohet më këtu por eksportohet.

Aneksi i Investime, sipas të cilit deri në fund të vitit të dytë pas blerjes, duhej të investohej 90 mln usd.

Autoriteti ka zbuluar se ARMO ka 80,75% të tregut dhe se ka një integrim vertikal të ARMO në tregun e tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve, duke kapur pozitë dominuese në këtë treg.

Pontili tjetër, ai i vendosur në Porto Romano ka lajmëruar vështirësi të mëdha financiare dhe ndodhet nën agresionin e ofertave ngulmuese nga kompani serbe e ruse.

Në tregun e shërbimit të telefonisë fikse mbetet i fortë monopoli i ALBTELEKOM. Kompania zotëron sot mbi 80% të abonentëve dhe të thirrjeve dalëse, për pasojë dhe 90% të të ardhurave në këtë treg.

Në tregun e telefonisë celulare konkurrenca ende nuk është efektive dhe kjo bën që tarifat për këtë shërbim, megjithë një ulje të lehtë mbeten më të larta se tarifat mesatare në vendet fqinjë apo dhe në vendet e Evropës.

Kompania e krijuar politikisht, e cila disponoi përmes një vendimi antiligjor të Qeverisë dhe pa konkurrencë, licensën e katërt të telefonisë celulare, mbetet me 7 muaj vonesë dhe ende nuk ka dalë në treg. Gjatë gjithë kësaj periudhe është vërejtur mungesa e kapaciteteve teknike dhe financiare për këtë kompani. Ndërkohë që brenda kësaj periudhe janë të faktuara operacione të shumta të tregtimit të kuotave të aksioneve fillestare dhe shtim të kapitalit që ka ndikuar në kuotat e aksioneve të ortakeve. Këta të fundit janë shtuar përsëri nga radha e bizneseve pa eksperiencë e kapacitete në këtë fushë.

Tregu i punëve publike-kontratat qeveritare, konfirmohet si treg shumë i përqendruar dhe në të cilin marrëveshjet e ndaluara dominojnë tregun.

Ndërtimi përtej afateve i rrugës Rrëshen-Kalimash-Kukës-Morinë, zuri për vitin 2009, 40% të tregut të punëve publike dhe morri 60% te punëve publike me financim të brendshëm.

Në 15.07.2009, Qeveria nxori Vendimin nr. 835, sipas të cilit, Qeveria autorizon entet prokuruese dhe APP të skualifikojnë nga garat për kontratat qeveritare të punëve publike të gjitha kompanitë të cilat kishin të paktën një kontratë të mëparshme si kontraktorë apo nënkontraktorë të pa realizuar deri në nivelin 70%.

Vendimi i Qeverisë drejtoi për herë të tretë kompanitë të merrnin borxh nga bankat për të përmbushur këtë detyrim.

Qeveria me këtë vendim kufizoi edhe më konkurrencën në këtë treg shumë fitimprurës dhe hapi një mundësi të re për kompanitë kliente të Qeverisë, të njohura, të cilat janë paguar rregullisht për punët e kryera në përmbushje të kontratave; Qeveria i krijoi një mundësi më shumë aktiviteteve kriminale për të injektuar në këtë treg paratë e krimit duke përdorur tregun e kontratave qeveritare për pastrim të parave të krimit.

Në 8 tregje të tjera, me xhiro vjetore 655 mln eu, mbeten të forta pozita monopol dhe oligopol.

Qeveria ka miratuar gjatë dy viteve të fundit 98 kontrata koncesioni, të gjitha në tregun e energjisë.

Sipas kontratave duhet të ndërtohen 264 hidrocentrale, me fuqi të instaluar 1055 MË dhe prodhim mesatar vjetor 4.5 mld këh energji.

Sa më shumë heton në këtë proces, aq më shumë shtohen rastet kur përfitues të këtyre kontratave koncesionare rezultojnë politikanë, deputetë, familjare të tyre apo grupe të rëndesishme financiare kliente politike tek Qeveria vendimmarrëse. Në krye të listës së përfituesve qëndrojnë dy gra deputete të PD, B.L dhe V.A, secila me nga dy kontrata koncesionare në energji.

Për shkak të këtij procesi korruptiv e politik të përzgjedhjes së koncesionareve, 80% e kontratave koncesionare nuk janë zbatuar dhe tashmë janë jashtë termave ligjore të kontratave të miratuara.

Në datën 16.06.2010, me Vendim Nr. Qeveria ka vendosur ti japë të drejtën Ministrit të Ekonomisë të rivendosë në afat secilën prej këtyre kontratave.

Qëllimi korruptiv rezultoi dhënia e këtyre kontratave tek Familja politike, klientët politikë të Qeverisë dhe tregtimi i këtyre kontratave.

Rivendosja në afat e këtyre kontratave është një mundësi e re që i krijohet Familjes politike të Kryeministrit për të përfituar me çdo kusht nga tregtimi i këtyre kontratave.

TREGU I PRIMAR DHE SEKONDAR I BONOVE TË THESARIT

Tregu Primar dhe Sekondar i Bonove të Thesarit është tregu kryesor i huamarrjes së Qeverisë.

Ky treg është rregulluar në vijimësi përmes marrëveshjeve mes Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë.

Ky treg është thellësisht i përqendruar. Dy rregullatorët e këtij tregu, MF dhe BSH, me veprime e mosveprime kanë lejuar që njëra Bankë të ketë pozitë dominuese dhe të abuzojë me pozitën e saj në këtë treg.

Banka zotëron prej vitit 2005, 40-64% të tregut të Bonove të Thesarit. Për këtë shkak sjellja e Bankës ka përcaktuar në shkallë të lartë yeldin e Bonove.

BSH ndryshoi në vjeshtë ’05 politikën e saj të hapjes për publikun të këtij tregu, duke mbyllur sportelet në BSH dhe degët e saj, adresimin e individëve në sportelet e bankave të nivelit të dytë për këtë transaksion. Pikërisht kjo politikë dhe kufiri për shumën minimale të pjesëmarrjes për individët në ankand, rezultojnë si barriera për hyrjen në këtë treg dhe rritjen e kostove të operimit po në këtë treg.

Konkurrenca është relativisht e dobët pasi konkurrenti më i afërt i Bankës ka gati gjysmën e tregut të saj.

Fuqia financiare e Bankës është e madhe, ajo ka rreth 40% të fitimit të sistemit bankar, 37% të depozitave, 31% të aktiveve dhe ka 101 degë në të gjithë vendin.

Fuqia kundërvepruese e MF ka qenë e dobët për shkak të kërkesës shumë të lartë të Qeverisë për likuiditet, të cilin, në masë të konsiderueshme e ka Banka.

Është e provuar se Banka ka abuzuar me pozitën dominuese në tregun e Bonove të Thesarit:

– Ka vendosur në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë çmime të padrejta të blerjes dhe shitjes së Bonove të Thesarit;

– Në tregun primar, Banka ka kërkuar dhe përfituar yield të tepruar krahasuar me interesat e depozitave dhe normën bazë të interesit; diferenca mes tyre arrin në të njëjtën periudhe ne 3%; kjo ka bërë që Banka të vendosë çmime të padrejta në treg dhe të shtrenjtojë borxhin e Qeverisë;

– Për këtë shkak ka siguruar deri 26% fitime më shumë se një treg realisht konkurrues;

– Banka edhe pse mbajtësi i parë dhe më i madh i borxhit të Qeverisë, ka refuzuar pjesëmarrjen në disa ankande, me qëllim rritjen e yieldit të bonove në ankandet pasardhëse; rezulton e provuar se kështu ka ndodhur kur yieldi është rritur menjëherë mbi 2 pikë përqindje;

– Banka, për shkak të politikës së re të BSH, ka aplikuar komisione shumë të larta për transaksionet nga sportelet e saj në tregun e bonove të thesarit, 1.2% për çdo transaksion kur bankat e tjera arrinin deri në 0.2%.

*DEGRADIMI I BANKËS SË SHQIPËRISE DHE RASTI “SHITJA-BLERJA E HOTEL DAJTIT”

Banka e Shqipërisë, për shkak të nevojës së drejtuesit të saj per të rinovuar mandatin në mbarim dhe nevojës politike e ekonomike të Qeverisë për mbijetesë, po degradon dukshëm nga një institucion kushtetues, i pavarur, përgjegjës për sistemin financiar kombëtar në një institucion nën varësi dhe i përdorur nga Qeveria.

BSH është përfshirë në operacione jo transparente e të pa ligjshme të kreditimit direkt e në mënyrë të tërthortë të Qeverisë, me qëllim mbulimin e gropave të thella buxhetore krijuar nga keqqeverisja e korrupsioni.

Mjafton fakti se gjatë 2009, BSH u përfshi në operacione të injektimit të likuiditetit në bankat e nivelit të dytë, në vlerën e 40 mld lekëve të rinj, me qëllimin e justifikuar për të nxitur kreditimin; rritja e kreditimit nuk ndodhi dhe paratë u përdorën për financimin e huamarrjes marramendëse politike, elektorale të Qeverisë për bonove të thesarit.

Prirja e BSH për të përmbushur nevojën politike e ekonomike të Qeverisë për mbijetese, ka bërë që format e kreditimit direkt apo në mënyre të tërthortë të Qeverisë, të cënojnë rëndë rolin dhe pavarësinë kushtetuese të BSH dhe të shndërrojnë atë në disa raste turpësisht në agjensi imobiliare.

Rasti i Hotel DAJTIT është tipik:

– Blerja e Hotel Dajtit nga BSH u urdhërua e detyrua nga Qeveria; vendimi për shitjen e Hotel Dajtit tek BSH u morr nga qeveria në muajin Maj; vlera e blerjes së Hotel Dajtit nga BSH u përcaktua nga Qeveria në të njëjtin vendim po në muajin Maj;

– BSH pranoi vendimin e Qeverisë për të blerë Hotel Dajtin me çmimin e vendosur nga Qeveria në muajin Qershor;

– BSH hoqi dorë nga pavarësia e saj garantuar nga Kushtetuta e rregulluar nga ligji dhe rregullorët e funksionimit të pavarur të saj;

– BSH refuzoi transparencën për autoritete të tjera jashtë Qeverisë dhe publikun për këtë proces;

– BSH refuzoi të publikojë vendimin, procedurë, mbi të gjitha refuzoi të publikoje buxhetin e BSH për vitin 2010;

– BSH refuzoi të publikojë projektin për restaurimin e godinës aktuale të BSH, të godinës së Hotel Dajtit; mbi të gjitha BSH refuzoi të publikojë burimin e parave për blerjen e Hotel Dajtit.

Në emër të deputetëve socialistë në Kuvendin e Shqipërisë i kam kërkuar Guvernatorit të BSH të na vërë në dispozicion dokumentat e kësaj praktike, por edhe në këtë rast Guvernatori i BSH refuzon të përmbushë detyrën institucionale në përputhje me ligjet në fuqi.

Në tre tilla rrethana grupi i deputeteve socialistë për ti shkuar deri në fund detyrimit për transparencë, po përgatit procedurat për hetim parlamentar të veprimtarisë së BSH.

NË KOKLUZION TË SA MË SIPËR:

Tregu në Shqipëri, tregjet më të rëndësishme dhe më fitimprurëse, janë të kapura e të mbyllura.

Monopolet janë të forta, monopolet e transferuara nga shteti tek private, janë konsoliduar.

Monopolet po shtojnë gamën e përfitimeve duke hedhur barrën e kostos së rritur të shërbimeve e mallrave që ofrojnë mbi konsumatorin.

Përfituesit politik nga vendimmarrja klienteliste dhe e korruptuar e Qeverisë po rrisin fitimet e tyre aq sa sot mund ti klasifikosh si ndër më të pasurit në Ballkan.

Vendimmarrja klienteliste dhe e korruptuar e Qeverisë, po krijon kushte të mjaftueshme për zgjerimin e aktivitetit kriminal të pastrimit të parave të pista.

Vendimmarrja klienteliste dhe e korruptuar e Qeverisë, po krijon kushte të mjaftueshme për depërtimin në ekonominë e vendit dhe tregjet strategjike për vendin, të kapitalit pansllav në përmbushje të qëllimeve të tij për diktimin e politikës në të ardhmen, duke ndryshuar pozicionin dhe qëllimet strategjike të Shqipërisë.