KAPITULLIMI I PERËNDIMIT PERBALLË KOMUNISTËVE OLIGARKË

0
33

Dhimiter Muslia, Tirana

Oligarkia financiare është bërë rreziku kryesorë në një serë vendesh në zhvillim për deformimin, nëpërkëmbjen e demokracisë dhe gjenerimin e revolucioneve për shkak të pakënaqësisë popullore gjithnjë në rritje. Pak a shumë ky ishte alarmi që lëshoi Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry vetëm pak kohë më parë në Samitin e Mynihut. Kjo qasje u citua në mënyrë eksplicide edhe për Ballkanin. Po të bëjmë një retrospektivë se si u arrit deri në këtë pikë, kjo kambanë duket pak e vonuar.

Pas përfundimit të luftës së ftohtë, kapitullimit të lindjes komuniste, klikat në fuqi të këtyre vendeve në një përpjekje për të mos e dorëzuar pushtetin nxituan të konvertoheshin në demokratë, ose më saktë të kishin nën kontroll dhe të udhëhiqnin proceset demokratike. Për t’iu hedhur hi syve perëndimit dhe për të qetësuar situatën e brendshme në krye nxorën njerëzit më të besuar, që pavarësisht statusit civil në dukje, dikur kishin qenë funksionarë të lartë apo bashkëpunëtorë të zellshëm të policisë sekrete. Jo se perëndimit i shpëtoi ky fakt, por duket se u kënaq, u deh me fitoren spektakolare dhe besoi verbërisht se gjithçka do precipitonte me kalimin e kohës.

Mundet dhe ata ishin të papërgatitur për një fitore të këtyre përmasave dhe ngurruan të bënin lëvizjen e fundit. E çuan kundërshtarin deri në lëvizjen e fundit por pa i dhënë matin fatal. Kishin harxhuar mjaft kohë dhe para për t’ia mbërritur kësaj dite. Tani që i kishin duart e lira duhet t’i ktheheshin problemeve të tyre të brendshme dhe përgjegjësinë e demokratizimit ja lanë në dorë popujve, elitave të tyre deri dje të shtypura. Grekët i mashtruan Trojanët me kalin e drunjtë si dhuratë, kurse lindorët i mashtruan perëndimorët me Katovicën. Gradualisht dhe ditë pas dite ish-hierarkët e regjimeve totalitare bën katarsisin e problemeve me të shkuarën me gjyqe farsë, pasi më parë kishin zhdukur gjithë dosjet kompromentuese dhe zaptuan hapësirat ekonomike.

Ata ishin biznesmenët e parë që e krijuan pasurinë fillestare nëpërmjet grabitjes së arkës së shtetit, të rezervave, aseteve të ndryshme, të asaj që cilësohej “pasuria e përbashkët” nëpërmjet privatizimeve me letra me vlerë, dhe të lidhjeve brenda dhe jashtë që ndihmuan në transferimin, fshehjen e kapitaleve dhe riciklimin në burim si para e pastër. Ata nga plateja lëviznin fijet e bufonëve politikë që buzëqeshnin para turmave të ekzaltuara dhe bashkë me premtimet boshe për një jetë ndryshe, për demokraci liberale e lyenin litarin e lidhur nyje përreth qafës me një lëndë të yndyrshme, të rrëshqitshme që do të shuante çdo shpresë për shpëtim.

Ata krijuan ligje por nuk i zbatuan vetë asnjëherë, krijuan institucione por pa i bërë kurrë funksionale, folën për reforma të thella në të gjithë sektorët dhe fushat, por ato qenë gjysmake, për një ekonomi të tregut të lirë, ku konkureca e ndershme u zëvendësua me rivalitetin vrasës, me monopolet që gjeneroheshin nga politika dhe i përkisnin po asaj. Ata emëruan dhe po emërojnë me lista drejtuesit e partive, sindikatave, mediave, OJQ-ve, shoqërisë civile në përgjithësi; diktojnë të quajturin rotacion, qarkullim të elitave.

Rrethi tani është i mbyllur dhe droja ka kaluar. Ndarja e shtresave, diferencimi që duhej të ndodhte në mënyrë të natyrshme, si rezultat i nisjes nga i njëjti start në varësi të performancës dhe talentit, pothuaj ka përfunduar dhe pasuritë duhen legalizuar. Ata që e kanë statusin e ri të “parallinjëve” mund t’i futen edhe politikës, të sigurojnë benefite dhe vetmbrojtje, imunitet. Nga ky çast nuk ka vend për idealistët dhe intelektualët e vërtetë shndërrohen në mbijetonjsa, në njerëz pa identitet, një shtresë vulnerabël, që pak ose aspak dallohet nga vlugu i të vobegtëve që ecejaket rrugëve e shesheve me frikën dhe pasigurinë e së nesërmes.

Nëse kemi shtresën e të pasurve dhe të varfërve, shtresa e mesme sipas meje mungon tërësisht dhe kjo është fatkeqësia e këtyre 23 viteve. Kriza ekonomike është shndërruar në krizë besimi, çka përkthehet në krizë vlerash dhe të vetë sistemit. Përpjekja e perëndimorëve për t’i dalë përpara së keqes është në kundrakohë dhe e kushtëzuar nga zhvillimet gjeopolitike në pjesë të ndryshme të globit. Mozaiku i problemeve dhe sfidave është i larmishëm dhe zëvendësimi i nja autokrati, i një regjimi totalitar po shndërrohet në një anarshi dhe kaos total, duke e agravuar më shumë situatën. Revolucionet e “pranverës arabe”, apo “portokalli”, po krijojnë premisa të shndërrohen në revolucione me baza ideologjish me një kosto të lartë ushtarake dhe financiare.

Lufta e ftohtë e dikurshme po shfaqet nën një petk të ri, ku palët e sulmojnë njëra tjetrën nga e njëjta llogore, me të njëjtat referenca, me akuzat për terrorizëm shtetëror dhe për sjellje me dy standarde. “Ariu Rus” u zgjua nga gjumi dhe vendosi putrën e rëndë mbi Ukrainë, duke i dhënë një provë force perëndimit dhe në një tentativë për të inkurajuar të gjithë autokratët, protektorët oligarkë të ish vendeve komuniste, për t’u krijuar mbrojtje, një vend në çadrën e tij përballë çdo shantazhi dhe presioni të krahut tjetër. Ose në rast të kundërt të heshtin dhe t’i pranojnë kështu siç janë pa kushte. Centralizmi i dikurshëm tani kryhet nëpërmjet shtresës së oligarkisë, nëpërmjet ligjesh, referendumesh, kushtetutash në dukje moderne, jo nëpërmjet propogandimit të ideve por të pamundësisë për t’i artikuluar ato. Rrofshin popujt, rroftë demokracia!…

Krahas të tjerave, shtimi i axhendës, i sfidave globale ekonomike, që lidhen me tregjet dhe kapitalin, me varfërinë në rritje në vendet e botës së tretë, me luftrat civile, me kushtet shëndetësore dhe ato mjedisore e kanë bërë perëndimin të duket tepër i largët, si një mollë e ndaluar dhe e rrejtshme për shumë njerëz. Jemi në një pikë të vdekur, pas së cilës askush nuk është në gjendje të thotë dhe të parashikojë se ç’mund të ndodhë. Për t’u kthyer tek argumenti, tek fillimi i shkrimit, aprovimi i heshtur i perëndimit ndaj gjynahqarëve të djeshëm të konvertuar në demokratë, sot po shndërrohet në bumerang të rrezikshëm, në atë “shurrën” e bërë në det që të kthehet një ditë të bukur si kripë në tavolinë.

Dergoi për gazetën “Fjala e Lirë”, Gjin Musa