Nga Mero Baze, 13 Tetor 2012
Greva e urisë tashmë po administrohet me forcë nga Sali Berisha. Dy gardhe të forta policësh kanë rrethuar tendën ku mbahet greva e urisë dhe kanë kufizuar çdo të drejtë të grevistëve, qoftë për tu takuar me qytetarë, qoftë dhe për të marrë ujë apo cigare si mjete mbijetese. Në një mënyrë të pazakontë, disa policë u kanë hequr liritë dhe të drejtat qytetare një grupi grevistësh, ende pa i ridënuar me gjykatë apo pa bërë ndonjë krim në flagrancë. Situata është tërësisht absurde. Policët kanë marrë kontrollin mbi administrimin e grevës, se ku duhet të bëhet ajo, kë duhet të takojnë grevistët, a duhet të pinë ujë apo cigare, a duhet të shkojnë në tualet apo të vdesin aty në shtrat. Të vetmit që janë lejuar në 24 orët e fundit të takohen me grevistët janë disa diplomatë perëndimorë, të cilët tentuan të hapin një kanal dialogu me Bujar Nishanin, i cili u prish ende pa u hapur. Të tjerët nuk lejohen të kontaktojnë me ta.
Në këtë heqje të dhunshme të lirisë së tyre për të protestuar, ata po tentojnë të japin sinjalin e alarmit duke shpallur atë që quhet greva e vdekjes, duke refuzuar ilaçet, ujin dhe serumet. Edhe ky vendim nuk i ka tërhequr policët nga vendimi për të administruar grevën.
Në këto kushte, përveç protestës politike, dikush duhet të ndërmarrë hapa ligjorë kundër tyre. Në rastin konkret, Avokati i Popullit duhet të ishte përballë policëve, jo për të negociuar kërkesat e grevistëve, por për të ndalur administrimin e dhunshëm të grevës prej Sali Berishës. Marrja e kontrollit mbi grevën nga policia, dhe biles nga disa segmente fanatike dhe të dhunshëm të policisë, që funksionojnë si xhandarmëri politike e Sali Berishës, është një shkelje flagrante e skajshme e lirisë së tyre për të protestuar. Ky kontroll deformon tërësisht qëllimin e grevës dhe zhduk nga prioriteti kërkesat e grevistëve duke konsumuar kohë dhe energji me të drejtën për të protestuar. Është kjo arsyeja që Avokati i Popullit duhet të bëhet në këtë rast mbartësi i iniciativës për të paditur Policinë e Shtetit, e cila po përdhunon grevistët duke marrë me dhunë administrimin e të drejtës së tyre për të bërë grevë.
Një tjetër gjë urgjente është që ndaj atyre segmenteve të policisë, që po demonstrojnë sjellje të dhunshme, duhet dhe një vëmendje më konkrete. Dikush nga shoqëria civile duhet të regjistrojë gjithë emrat dhe numrat e policëve që bëjnë rolin e xhandarit të zellshëm të Sali Berishës dhe t’i bëjmë publike. Kjo është një mënyrë që ata të mos thonë nesër pse më flakët nga radhët e Policisë së Shtetit dhe pse po më çoni para drejtësisë. E pashë një prej tyre dy ditë më parë që kërcënonte një reportere të gazetës Shekulli vetëm pse i bëri një fotografi. Është një tip recidiv në dhunën politike, nga kontingjentet e gardistëve të dikurshëm të Sali Berishës, që rrihnin gazetarë dhe politikanë në vitin 1996- 1997.
Dhe përpjekja e tij për të ushtruar presion mbi grevistët apo të afërmit e tyre dhe gazetarët, vazhdonte më tej dhe ndaj disa kolegëve të tij, që përpiqeshin të tregoheshin korrekt dhe të bënin vetëm detyrën e tyre si sigurues të mjediseve të grevës. Fjala vjen, nëse grevistët kërkojnë që dikush nga gazetarët të shkojë t’i takojë, apo dikush nga të afërmit të hyjë brenda, polici është i detyruar jo vetëm t’i lejojë, por t’i sigurojë që gjithçka të bëhet shpejt dhe pa asnjë problem. Përkundrazi, në këto mjedise kush polic guxon të bëjë këtë gjest, zëvendësohet menjëherë për t’i dëshmuar se është nën vëzhgimin e një gestapoje, që i raporton çdo gjest të tyre Sali Berishës. Ndaj evidentimi i këtyre policëve përmes mbajtjes shënim të numrave dhe mbiemrave të tyre, është një akt, i cili duhet të shërbejë për tu kujtuar atyre se shteti shqiptar do të jetë më jetëgjatë se pushteti i halabakëve të Sali Berishës.
Është ky mjedis i dhunshëm ndaj grevistëve dhe përdhunim i institucionit të grevës së urisë që ka detyruar gjithë reporterët e shtypit që ndjekin këtë grevë, të vendosin të dalin në një protestë të dielën në orën 12:00, para kryeministrisë. E kanë bërë këtë reporterë të thjeshtë, ata që fyhen dhe përplasen përditë me fodullë nga Tropoja, që flasin në emër të Sali Berishës dhe dhunojnë gazetarë e grevistë, që shtyjnë e përplasin në tokë familjarë të grevistëve dhe që ndalin çdo kontakt të tyre me qytetarët që shkojnë aty në mbështetje të tyre. Ata po dalin të protestojnë jo vetëm për shkeljen e të drejtës së informimit për ta, por si dëshmitarë të një terrori psikologjik, politik dhe policor, që pushteti po ushtron mbi grevën dhe grevistët. Është një iniciativë gazetarësh, jo pronarësh apo sindikalistësh. Është diçka që ka lindur nga revolta që ndjen çdo dëshmitar, që prek atë skenë të dhunshme krimi të shtetit mbi disa burra të fortë, por të pafuqi, që janë shtrirë përtokë nga përpjekja e pushtetit për t’i vrarë në heshtje.
Ajo që po ndodh është ridënimi i dytë i tyre, tashmë pa gjyq. Nëse ua morëm një jetë të tërë në burg për shkak të bindjeve të tyre, tani pushteti po u merr lirinë për të protestuar me dinjitet dhe për tu bërë shembull i kurajës qytetare. Ndryshimi i vetëm është se atëherë kishte një aparat të tërë dhune politike, që nga gjyqtari, hetuesi, prokurori e polici, ndërsa tani ka vetëm një polic, një gjyqtar, një hetues dhe një prokuror, që quhet Sali Berisha. Ai nuk duron dot që para syve të tij të lartësohet një institucion moral siç është protesta e atyre që po vetëflijohen kundër tij, duke e kthyer atë në kanibalin e kohëve modern të historisë sonë.







