Kanceri i plehrave dhe hipokrizia e Jozefinës

0
56

Nga Armela Imeraj, 11 Tetor 2011

E pashë zonjën e PD të sikletosur fort këtë herë çuditërisht në një nga ato aktivitetet ku ajo ka qejf të flasë me pathos e të bëjë sikur përlotet. Ishte e veshur e tëra me pink, por nuk ishte ngjyra pink a rozë ajo që e shqetësonte, por ky tubim i madh grash të administratës që duhet të parakalonin shpejt e shpejt aty para në bulevard dhe të mbaronte sa më parë ajo ceremoni pa sens dhe e rrëmujëorganizuar. Thirri dhe Majlindën në krah, sigurisht, jo nga dashuria.

Thirri dhe ato deputetet e PD-së, tiranase, shkodrane e korçare, duke bërë me duar e me kokë që ato edhe pse nuk kishin arsye u afruan të habitura nga dashuria e zonjës së parë të PD, e kryetares siç e thërrasin vetëm afër Kuvendit. E pashë zonjën Jozefinë që ndihej keq dhe pse aktiviteti bëhej përballë zyrës së saj me kurriz nga zyra e kryeministrit. Kërkonte me nerv që ajo ceremoni e stisur të mbaronte. Nuk e kishte nga ngjyra rozë që përfshiu bulevardin. Nuk e kishte as nga ai tubim me gra të nxjerra si gjithmonë me zor në mitingjet e saj, kjo gjë tashmë i është bërë normë dhe s’ka arsye ta bezdisë. Afroi Majlindën pranë podiumit, sa kjo e fundit u ndje e hutuar nga sensi i zbutur i protagonizmit të kryetares Xhozi.

Xhozi prishi gjithë protokollin e aktivitetit. Kishte një siklet të madh që u manifestua dhe u pa në çdo TV, atë ditë, që për t’i bërë qokën për këtë aktivitet i kishte lëshuar valët e tij gjatë e gjerë për zonjën Jozefinë.

Duhet një kurajo e fortë për të qenë kaq hipokrite, ndaj Jozefinës i duhej enturazh, për të thënë nuk jam e vetmja e tillë. Duhet kurajo e fortë për të bërë apel për t’u diagnostikuar dhe kuruar kur ti dhe të tutë me duart tuaja ngritët brenda javës gjithë kënaqësi kartonat për të sjellë gjithë kancerin e Napolit, por jo vetëm, të të gjithë Europës, për të sëmurur shqiptarët, pikërisht, nga kanceri.

Duhet kurajo e fortë t’u thuash atyre që e dinë se çfarë është kanceri se ju vetë një javë më parë u krekosët në parlament për importin e mbetjeve nga e gjithë Europa duke e shitur si një investim për të përmirësuar jetën e shqiptarëve. Ironi e madhe kjo! Ajo çka u miratua në sallën e Kuvendit me votat e mazhorancës në gjuhën e popullit kuptohet shkoqur: Mblidh plehrat sa andej këtej nëpër Europë dhe nisi me kamionë për në Shqipëri, për ta bërë këtë vend ËC. Nuk është aspak jo etike nëse e them me këtë emër, po në fakt të gjithë plehrat apo jashtënxjerrja e europianëve do vijë direkt e paketuar për ta thithur ne në mushkëritë tona, në ushqimin tonë, në ujin tonë dhe pastaj për të dëgjuar dhe pallavrat tuaja për diagnostikim në kohë.

Një ligj që nuk pastron aspak vendin, por që shton plehrat e mbetjet e rrezikshme në këtë vend. Një ligj që hartohet me kartonë vetëm e vetëm që nesër askush të mos mbajë përgjegjësinë, pasi ajo s’do ketë emër do jetë kolektive. Një ligj që i ka bërë entuziastë napoletanët që luftuan me qeverinë e tyre për plehrat stivë. Ky ligj i dha fund protestave në Napoli, tani plehrat do vërshojnë drejt Shqipërisë. Dhe në këtë vend do hyjë me kuç e me maç.

Jo se deri tani s’ ka hyrë në rrugë ilegale, por tani do orkestrohet nga shteti. Organet doganore në rastin më të mirë nuk kanë pajisje për të identifikuar nëse bashkë me mbetjet e tjera do vijnë dhe mbetje radioaktive. Pastaj në ligj vjen si interes i veçantë dhe industri e dioksidit të titanit. Një industri kjo që ka lënë pa gojë të gjithë njerëzit që janë marrë me industrinë e rëndë në këtë vend dhe janë konfuzë pse duhet një specifikë e tillë në një ligj shqiptar. Por çuditë nuk kanë të sosur.

Ajo që të bie në sy në nxitimin e mazhorancës nuk ka lidhje me iniciativa ligjore për të pastruar të paktën mbetjet e këtij vendi, e sidomos lumenjtë e detet tona. Se kështu nuk do linim nam, të paktën me fqinjët, duke ua bërë edhe atyre pis bregdetin në kohë përmbytjesh. Plehrat tona që lundruan në brigjet malazeze e kroate ishin turpi më i madh për shtëpinë e qelbur të shqiptarëve, që askush nuk mendon ta pastrojë. Impiantet me fuqi të frikshme, që ngrihen pa u bërë ligji, apo që ligji bëhet në funksion të një individi e një kompani dhe jo në funksion të shoqërisë, janë tregues i një harbutërie e arrogance të këtij pushteti familjar.

Meqë nuk ia doli dot me ndërtimin e një centrali bërthamor, sepse e gjithë Europa po shprehet kundër kësaj energjie, dhe se fqinjët u ndjenë të rrezikuar me marrinë e tij në këtë vend pas asnjë standard sigurie, Saliu mesa duket ka vendosur të sjellë mbetjet radioaktive në Shqipëri. Ndoshta me mentalitetin, pas meje të bëhet qameti. Pasi me këtë mentalitet po qeveriset sot edhe ekonomia e vendit.

Mbi të gjitha një ligj i pakonsultuar me askënd dhe që shoqatat ambientaliste kanë folur me zë ende të mekur kundër tij. Një ligj për të cilin shqiptarët janë të informuar pak ose shumë pak, dhe që përballë mbijetesës apo importit të plehrave, Saliu e di që ata do ngrenë zërin në rastin më të keq vetëm për bukën e gojës.

Të gjitha këto zonja Jozefinë i di, ndonëse nuk i thotë. Të gjitha këto zonja Jozefinë i ka dëgjuar ndonëse nuk i pohon.

Ndaj e mirëkuptova zonjën Jozefinë në lëvizjet e saj kaotike dhe në dashurinë e tepërt që po u dhuronte rivaleve politike brenda PD atë ditë. Nga xhestet e saj të pakuptimtë arrita të nënkuptoj se ajo vetë nuk fut një dyshkë në xhep nga gjithë kjo histori korruptive plehrash. Majlinda?? Ku i dihet. Liria, Liri Berisha?? Ndoshta… Por, Jozefina jo. Ndaj dhe hipokrizia e asaj dite e vinte në siklet, pasi në fund të fundit ajo nuk fitonte asgjë.