Nga Mero Baze
Përpara se të niste protesta e djeshme e opozitës, një djalë i ri rreth të 20-tave, nipi i Ziverit, një prej të vrarëve nga Gjirokastra, po fliste për Koha TV nga bulevardi dhe u zu ngushtë kur gazetari e pyeti se si do të shkojë e ardhmja e këtyre protestave. U hutua pakëz dhe tha pak a shumë se po dëgjonte që duhet të ulen në bisedime, por nuk e kuptoj, tha, se çfarë bisedimesh duhen bërë pa u vendosur drejtësia për jetën e marrë të xhaxhait tim. E tha dhe po shikonte në sy reporterin se mos ai mendonte ndryshe.
Dëgjova dje dhe zojën Topalli t’i krekosej një të deleguari të Partive Popullore Evropiane se pa çuar para drejtësisë autorët që organizuan 21 Janarin, nuk do të ketë asnjë shans për bisedime me opozitën. Nuk qeshi siç qesh zakonisht kur flet për të vrarët e 21 Janarit, por as nuk pati fuqi të skërmiste dhëmbët, siç bën zakonisht, kur do të imitojë Berishën që flet për kundërshtarët. E tha sikur nuk e kishte mendjen, sikur i rrëshqiti, si ata njerëzit që duket se urinojnë në mënyrë të pavullnetshme.
I shkëputa këto dy pasazhe nga dita e 18 Shkurtit, për të kuptuar sa larg janë palët dhe sa pak shanse ka që kjo krizë politike të zgjidhet, dhe sa shumë shanse ka të vazhdojë kështu, duke marrë zvarrë gjithçka. Është pikërisht ky hendek i madh mosbesimi në shoqëri, ai që po rrit një zemërimm jo vetëm institucional, por dhe personal ndaj njerëzve të pushtetit për atë që ka ndodhur. Po dëgjohen përditë e më shumë zëra nga familjarët e viktimave që flasin për vetëgjyqësi dhe shënjestrojnë emra konkretë të mazhorancës që kanë përdhosur kujtimin e tyre.
Kam lexuar një intervistë mbresëlënëse të xhaxhait të Aleks Nikaj, që dukej qartë që i ishte turbulluar mendja keqas, jo vetëm nga të qeshurat e Jozefinës dhe fyerjet e Lul Bashës dhe Olldashit, por dhe nga cinizmi i Sali Berishës që flet për rrezikun që i kanoset fëmijëve të tij, ndërkohë që ka vrarë fëmijët e të tjerëve. Pashë dje në protestë familjarët e viktimave që dridheshin duke derdhur lot në bulevard me një heshtje që të trembte, ashtu sikundër pashë shokun e Hekuran Dedës që betohej për të vënë në vend drejtësinë ndaj vdekjes së njeriut që i vdiq në duar. Nëse kjo situatë vazhdon kështu, hapësira për të vepruar ligji dhe drejtësia do të ngushtohen gjithnjë e më pak dhe përbetime të tilla të frikshme do të shtohen përditë e më shumë.
Ajo që është shqetësuese në këtë fazë ku ka hyrë debati politik është se Berisha po përdor si mburoja të gjalla për krimet e veta, jo gjithë PD-në, por disa elementë të saj, të cilëve ndoshta u premton pozita sunduese në PD, por që nuk justifikojnë në një farë mënyre me keqpërdorimin e tyre, që të bëhen kamikazë të kësaj historie. Nëse i hedh një sy emrave që po përdoren në këtë fushatë, e cila po ndjell urrejtje dhe po nxit ekstremet në Shqipëri, brenda PD po përdoren njerëz, të cilët nuk është se janë “mamuthët” e korrupsionit që të mbrojnë paret e tyre me këtë keqpërdorim.
Po të përjashtoj zonjën Topalli që nuk para di se ç’bën, të tjerët nuk janë profile të larta dhe as profile të spikatura korruptive brenda PD-së. Edi Paloka, i cili u bë së fundmi viktimë e një sherri brutal në Kuvend, pavarësisht se keqpërdoret si i fortë, nuk është se e bën atë për të mbrojtur ndonjë histori të tij, pasi ai është një ushtar i thjeshtë në radhët e pushtetit, që zor s’e ka fituar ndonjë gjë më shumë se dietat në Lezhë apo ndonjë dhuratë për ditëlindje. E di që shumë njerëz acarohen kur tenton të justifikosh atë, por e vërteta është se ai po viktimizohet pa qenë një hajdut.
Po ashtu e di që shumë njerëz kanë alergji, por as Aldo Bumçi, as Eduard Halimi, as Gent Strazimiri, bile as Mesila Doda, nuk kanë ngjyer ndonjë çap bukë në kazanin e pareve të pista, që vlon përditë në atë pushtet. Arsyeja është se ata janë thirrur aty si shërbëtorë dhe jo si palë në pushtet. Nuk vë dot dorën në zjarr për Olldashin dhe Imamin se kanë shumë para nëpër duar, por ata dhe betejën publike e kanë më pak qesharake se këta të fundit. Ndaj ajo që është shqetësuese në këtë krizë, është se Berishën po e braktisin balozët e korrupsionit në PD dhe ai po përdor ushtarë të thjeshtë pa asnjë përgjegjësi.
Siç e keni parë as Genc Ruli, as Genc Pollo, as Ferdinand Xhaferi, as disa emra të rëndësishëm të PD-së së vjetër nuk po flasin. Heshtja e tyre nuk është aspak më dinjitoze se zhurma e këtyre, që po përdoren në këtë beteje, por megjithatë ajo tregon se Berisha po operon me kamikazë në një betejë ku ka hyrë në mes gjaku. Unë nuk e di se si Jemin Gjana mund të besojë se një personazh i kasetës së Ilir Metës nuk është hajdut, ndërkohë që ai e ka çuar në Gjykatë, nuk e di si mund të besojë Leonard Demi se shefi i SHIK ishte pjesë e puçit, kur ka votuar kundër shkarkimit të tij, apo si mund të besojë Ridvan Bode që ministrat e LSI e kanë ndihmuar buxhetin e shtetit dhe kanë rritur të ardhurat për qytetarët shqiptarë.
Në këto kushte detyrë e opozitës nuk është vetëm artikulimi i problemeve të para 21 Janarit, por dhe shmangia e dëshpërimit fatal të të afërmve të këtyre viktimave nga poshtërimi që po u bëhet nga njerëzit e pushtetit. Ajo që Edi Rama artikuloi dje duke e përkufizuar opozitën si shpresën e fundit në këtë vend, nuk ka të bëjë aq shumë me një rilindje të re të këtij vendi, se sa me ndaljen e një spirale të rrezikshme, ku mund ta fusë vendin dëshpërimi nga arroganca dhe pamundësia për drejtësi. Adresimi i qartë i zemërimit popullor duhet të jetë Sali Berisha dhe jo figurinat që ai përdor me shpresë që të duket se nuk ka ngelur vetëm.
Nëse opozita është vërtet shpresa e fundit që ka mbetur në këtë vend, për betejën kundër korrupsionit dhe vrasjeve politike, këto figurina nuk duhen marrë seriozisht si shpresa e fundit e Sali Berishës, pasi ato nuk e shpëtojnë dot nga asgjë. Unë i njoh ata njerëz dhe ju ftoj të mos zemëroheni me ta, pa e tepruar tu kërkoj të keni respekt. Por mos harroni se ata që kanë vrarë për të vjedhur brenda PD-së po heshtin, ashtu siç po heshtin ata që janë sakrifikuar. Të gjithë duhet të kuptojmë se pas disa kohësh meraku i Jozefinës për “organizatorët” e 21 Janarit nuk do të jetë më temë e publikut shqiptar, por gjaku i katër të vrarëve do të jetë temë e përditshme.
Ai gjak u derdh për të ndalur zemërimin popullor, i cili shpërtheu mes të tjerash nga fakti që një zëvendëskryeministër doli para shqiptarëve me zë dhe figurë duke vjedhur. Katër vetë u vranë pas protestave që shpërthyen nga një histori korrupsioni dhe është fatale, që zemërimi i familjarëve të vrarë të spostohet nga ata që vërtet po vjedhin në këtë pushtet, tek disa kamikazë inferiorë që shpresojnë që Berisha tua dijë për nder që i dolën zot hajdutëve të tij në këto kohë të këqija.