(Tregim)
Nga Pierre-Pandeli Simsia
Ato ditë qyteti dukej i zbrazët; rrugët ishin pothuajse të shkreta. Shëtitjet e përnatshme të njerëzve në bulevardin kryesor të qytetit ishin më të shkurtra. Përpara televizorit, njerëzit prisnin të dëgjonin lajmet e reja. Ato lajme nuk ishin dëgjuar kurrë.
Kishte ditë që folësja e televizionit njoftonte për qarkullim zërash të rremë në hapjen e kufirit shtetëror me shtetin fqinj dhe se kalimi i kufirit nga qytetarët mund të sillte pasoja të rënda për jetën…
Ishte hera e parë në jetën e njerëzve që dëgjoheshin ato lajme tronditëse.
Ndryshe ishte realiteti i të ikurve; sapo mbërrinin në tokën e huaj, të larguarit lajmëronin familjarët për mbërritjen e tyre shëndoshë e mirë.
Ajo situatë e krijuar, izolimi i plotë i Shqipërisë me botën e jashtëme, varfëria e madhe që po kalonte populli, urrejtja ndaj sistemit pesëdhjetë vjeçar diktatorial, rrënia përtokë e ekonomisë, mungesa e theksuar e artikujve ushqimorë, shpresa e humbur për një të ardhme të mirë në vend, bëri, që njerëzit të largoheshin nga atdheu.
“Po unë, ç’pres, pse rri akoma këtu”? – mendoi Dimi, ndërsa rrinte i vetmuar në qendrën e qytetit të tij, atje ku mblidheshin zakonisht grupshokë mbrëmjeve.
Njerëzve që largoheshin çdo ditë në shtetin fqinj i ishin bashkuar pothuajse të gjithë shokët e tij. “Pse duhet të rri edhe unë akoma këtu”?
Mendime të shumta i kaluan menjëherë në mendje si për të aprovuar vendimin që donte të merrte. “Djalë beqar jam, pa preokupime familiare… Do iki…”
Mendoi edhe njëherë për të atin, i cili kishte disa vite që ishte burrë i ve, pastaj, mendimi tjetër e bindi: I ati do vazhdonte të jetonte me djalin tjetër, vëllanë e tij më të madh.
Por një mendim tjetër që e fshiku atë çast mendjen e tij, sikur ia sprapsi vendimin e porsa marrë; ishte një pengesë, sikur e mbante të shtrënguar për të mos vendosur të largohej nga atdheu, nga qyteti, nga shtëpia e tij qindravjeçare ku ishin lindur parardhësit e tij, trashëgimtar i të cilëve ishte edhe Ai vetë.
Përpara syve i doli e ëma, siç kishte qenë gjithë jetën e saj dhe para se të vdiste; e gjatë dhe e shëndetshme, ashtu, siç e kishte parë për të fundit herë, tek flinte në gjumin e saj të përjetshëm në arkën mortore.
Herë i çfaqej fytyrëqeshur dhe që kujtohej me respekt nga ata që e kishin njohur edhe pse kishin kaluar dhjetë vjetë që kur ishte ndarë nga kjo jetë, duke i dhënë bekimin: “Të qoftë udha e mbarë bir, dritë t’u bëftë udha dhe mbarësi të kesh përherë ngado që të shkosh”
Ishin ato të njëjtat fjalë urimi, që e ëma i kishte thënë shpesh gjatë kohës së sëmundjes, veçanërisht, gjatë javëve të fundit të jetës së saj.
Pastaj ajo nënë e dashur iu çfaq pak e mërzitur. Pse iu dukën atij sytë e nënës të përlotur? “Ik bir edhe ti, si shumica e njërëzve që po ikin këto ditë, por… do të më marrë malli për ty, nuk do të shohë më nëna”
“Shiheshin” shpesh me njëri tjetrin. Ai shkonte tek varri i saj për t’i vendosur buqetën me lule; e puthte pllakën e ftohtë të mermertë ku ishte fotografia me emrin e saj, viti i lindjes dhe viti i vdekjes, e prekte me duar dhe i dukej sikur prekte trupin, flokët e saja. Edhe ajo e “shihte”, duke u ndjerë e lumtur për rritjen e djalit të saj, që ishte më i vogli ndër katër fëmijët.
Të njëjtin veprim bëri edhe atë ditë që e vendosi për t’u larguar; shkoi në varreza, pranë varrit të nënës së tij me një buqetë lule në duar; ndezi një qiri, u përshëndet dhe… i përlotur u largua. Iu duk se morri bekimin e nënës.
* * *
Një shi i imët po rigonte atë ditë fillim pranverë, si për t’i prishur buzëqeshjen lulëzimit të natyrës. Dimi qendroi te pragu i portës, ktheu edhe njëherë kokën pas, si për t’i dhënë lamtumirën asaj shtëpie që u lind dhe kaloi 30-të vitet e jetës së tij. Në dorë mbante një çantë sporti të zezë. As tridhjetë hapa nuk kishte ecur, kur befas përpara i del i ati. U përshëndetën të dy. – Baba, të të përqafoj pak? – I ati nuk foli; e kuptoi ç’donte të thoshte i biri me ato fjalë, madje edhe vendimin e tij që kishte marrë. Vetë i ati, e dëshironte edhe ai, që i biri t’i bashkohej atyre grupe njerëzve që po shkëputeshin nga atdheu i tyre duke kaluar kufirin, si e vetmja shpresë mbijetese, kur çdo gjë në atdheun e tyre po shkonte drejt shkatërrimit.
I hodhi një shikim të birit. Ishte vetë i ati ai, i pari, që hapi krahët për ta përqafuar. At e bir të përqafuar ndjenë nxehtësinë dhe lagështinë e lotëve të njëri tjetrit. Nuk folën, ndejtën pak çaste të përqafuar. Atë çast, heshtja e të dyve dhe sytë e tyre të përlotur folën më shumë se ç’duhet të flisnin ata të dy.
Ai u largua, ndërsa i ati qendroi, duke e shoqëruar me sy nga prapa. “Nëse je për udhë, të qoftë udha e mbarë bir. Paç bekimin tim gjithë jetën, por… a do të shoh vallë babai përsëri?!” – uroi ai me gjithë shpirt nën vete, me sy të përlotur.
* * *
Në qytetin e fundit bregdetar shiu kishte pushuar. Autobuzi kaloi mespërmes qytetit për të shkuar në afërsi të fshatit kufitar.
Mbasditja sapo kishte kaluar. Vendi përreth dukej si një shesh i madh fushimi; burra, gra, djem, vajza, fëmijë të moshave të ndryshme.
Vargut të gjatë të njerëzve duke ecur drejt vijës ndarrëse të kufirit që ishte e rrafshuar e gjitha iu bashkua edhe Dimi.
Nuk ishte e lehtë të ecje nëpër male, ishte tepër e vështirë. Pasi zbritën një tatëpjetë, sapo mbërritën poshtë në bregun e një përroi që rridhte pak ujë, duhet të ngjiteshin përsëri lart në mal nëpër një rrugë dhish. Në biseda të ndryshme dëgjoheshin edhe fjalët: “Duhet të shpejtojmë, të ecim sa pa na zënë nata në këto udhë të shkreta e të vështira mes maleve…”
Askush nuk e dinte se sa rrugë të gjatë dhe të lodhshme kishin ecur dhe, vargu i njerëzve u shpërbë. Më të rinjtë ecnin me të shpejtë, ndërsa më të moshuarit e ndjenin shumë lodhjen.
Dalëngadalë muzgu po fillonte të nderrej mbi atë grykë mali.
– Hë hë, nuk po mundem dot të ecë; nuk më mbajnë më gjunjët” – tha një burrë dhe u ul.
– Po vazhdove kështu ti, s’kemi për të mbërritur kurrë ne me ty në gjithë atë rrugë që kemi për të bërë – i tha një tjetër, pothuajse moshatar me të.
– Nuk e mendoja kaq të vështirë e të lodhshme këtë rrugë, – tha përsëri burri.
– Edhe unë nuk po mundem dot të eci – tha një grua, pak më e re në moshë se ata.
– Juve gratë, për havale’ j’u kemi ne burrat – tha një tjetër.
– Për havale’, thua ti, po… s’bëni dot pa ne gratë ju, – u hodh e foli një grua tjetër.
– Nuk është çasti për të bërë shaka, po hë, të shpejtojmë hapat pa na zënë nata në këto shkrepa. I faleminderit Zotit që pushoi shiu së rrëni. Është më mirë të na zërë nata atje, lart në mal, sesa në këtë grykë këtu, – tha një burrë tjetër.
Nga prapa u dëgjua një zë, qarje fëmije. Pastaj ai zë u shtua; u dëgjuan disa zëra të tjerë fëmijësh. Tre burra ulën fëmijtë e tyre që po i mbanin në krahë. Lodhja e madhe u lexohej pastër në fytyrat e skuqura dhe frymëmarja e shpejtë e tyre dëgjohej si erë çjerrëse në atë shteg të ngushtë dhish ku po i ngjiteshin asaj pjese mali.
Dimi ktheu kokën dhe eci disa hapa prapa; ndjeu lëndim të thekshëm. Iu drejtuar një burri rreth të 44-ave. – Mund t’ju ndihmojë unë?
Burri bashkë me gruan dhe dy fëmijtë e tij u ulën. Fëmijët duhet të ishin 5-së dhe 7-të vjeçë.
– Me çfarë mund të më ndihmosh? – tha burri dhe tundi kokën majtas-djathtas, si shenjë pendese.
– Të vazhdojmë rrugën, të ecim. T’ua mbaj unë në krah një fëmijë – dhe pa nga më i vogli.
– Ah, Zot i madh! Ç’mallkim qenka ky fat për ne, për gjithë këtë popull! Përse duhet të vuajmë? – tha gruaja dhe vuri duart përpara fytyrës.
– Të faleminderit shumë more vëlla, por nuk është e lehtë edhe për ty kjo që po thua. Nuk po mundemi dot. Nuk e mendonim se do ishte kaq larg dhe shumë e vështirë mbërritja në atë shtet të huaj. Vërtet jemi shtete fqinjë, një vijë e hollë teli i ndan kufijtë tanë, megjithëse ne edhe atë vijë teli s’e pamë fare, por qenka shumë larg, shumë, shumë, shumë e vështirë dhe e mundimshme. Do kthehemi përsëri nga erdhëm, do kthehemi në Shqipëri. Po ku do shkojmë tani? Po fillon të bjerë nata.
– Ooohhh! – doli e dhimbshme një psherëtimë e thellë nga gjoksi i gruas.
– Kurajo! Duhet të bëjmë kurajo, përderisa e morrëm këtë vendim – tha Dimi dhe kapi djalin e vogël, duke ia vënë duart poshtë sqetullave. E ngriti në krahë. – Çohu vëlla, çohu të ikim.
Burri e vështroi Dimin gjithë mirësi.
Zëra të tjerë qarje fëmijësh u dëgjuan edhe më afër.
“Pse shpejtuan ata djemtë e rinj …, ikën – tha ai nën vete dhe një gulç iu mblodh në stomak që po i rëndonte si një gur i rrëndë. – “Edhe këta fatkeqë s’e kanë ditur sa e mundimshme qenka për të mbërritur në shtetin fqinj, përndryshe, s’do ta kishin marrë udhën me familjet e tyre” – mendoi.
– Ah, o Zot i madh! Këtë natën e sotme që po heqim ne me fëmijtë tanë, s’kam për ta harruar kurrë; natës së parë të varrit kam për t’ia rrëfyer – u dëgjua një zë tjetër burri, që po i ngjitej të përpjetës në mal me fëmijën e tij në krahë, në mes errësirës së zezë të natës.
– Ç’mu desh mua të shkretën që erdha, nuk e mendonim se do ishte kaq larg – ia ktheu e shoqja, që ecte disa hapa prapa tij dhe që kishte hedhur krahut një çantë.- M’u torturuan fëmijët sonte; na shpëtoftë Zoti nga ndonjë egërsirë në këtë mal.
– Ore, po ku ndodhemi ne tani, në tokën tonë apo në shtetin fqinj? – u dëgjua një zë tjetër burri.
– Pse, nuk e dëgjove ti atë djalin kur tha, ja, këto janë piramidat. Tani po hyjmë në tokën e huaj.
– Jo, s’e dëgjova unë! Kur e tha ai?
– Më duket se, para… dy orësh.
– Uaaa! Domethënë paskemi dy orë ne që po ecim në malet e shtetit fqinj?!
Dimi, kur dëgjoi këtë bisedë, menjëherë solli përpara syve hartën e Shqipërisë. Qytetin e tij nga ishte nisur dhe shtetin e huaj në të cilin ndodheshin aty. Po i dukej e çuditëshme; “Domethënë, unë tani ndodhem në shtetin fqinj? Në tokë të huaj?! “Babi tani, sigurisht, fle!” – Një psherrëtimë i doli nga thellësia e shpirtit.
– Edhe pak të ecim, se e hodhëm këtë të përpjetën e madhe. Kjo ishte dhe më e lodhshmja – tha një burrë që e njihte rrugën, e kishte kaluar disa herë kufirin nga ai vend.
– “O Zot! Na ndihmo të mos kemi më për të ecur rrugë të tilla kaq të përpjeta, të vështira dhe të lodhshme” – mërmëriti një grua nën vete, duke i rrënë gjoksit me dorë, si për t’u çliruar nga ajo lodhje “e tmerrshme”, siç do ta quante ajo.
Kur mbërritën në majë të malit, disa thoshin se ishte kodër, jo mal, atyre u dukej se kishin fituar një betejë ndaj armikut. Pas një pjese të rrafshtë, që atyre, në errësirën e natës iu duk si një fushë, shtrihej një pyll i madh, që nxinte më tepër sa ç’nxinte ajo natë me një dritë hëne të zbehtë.
– Të ulemi e të çlodhemi, se vdiqëm, s’po ngopemi dot me frymë – u dëgjua një zë gruaje.
Disa fëmijë të tjerë nuk folën, u ulën vetë.
– O bobobobo, sa po më çajnë këmbët – tha një burrë rreth të 50-tave dhe vuri duart në këpucë për t’i zmbathur. – Ah, o qen i ngordhur, o katil, o vrasës njerëzish të pafajshëm, ç’na bëre ti neve me atë politikë të vetizolimit që ndoqe…
– S’kemi ku shkojmë tani. Të rrimë pak këtu e të shlodhemi.
– Ndenjja është në dëmin tonë. Sa më shumë të rrimë, aq më shumë do vonohemi. E mira është që lumin ta kalojmë me ditë.
Pak në brendësi në errësirën e pyllit u duk një dritëz e vogël. Pastaj u dukën dy. Dritat herë shfaqeshin, herë humbisnin shkëlqimin e tyre
– Shahin, e shikon atë dritën e vogël atje? Çfarë është ajo? – i tha një grua me zë të ulët bashkëshortit të saj tepër e frikësuar, që nuk po i dallonte ç’farë dritash ishin ato dhe drejtoi gishtin në drejtim ku shtrihej pylli.
– Nuk është gjë moj grua, njerëz fatkeqë do jenë dhe ata si ne që kanë marrë këtë rrugë, që s’i dihet se ku do përfundojë – i tha Shahini së shoqes për ta qetësuar. Edhe ai vetë i kishte parë ato drita. Vërtetë të vogla ishin ato, por nuk i ishin dukur si dritë cigareje e ndezur. Dritëzat lëviznin ngadalshëm, herë afroheshin, herë largoheshin.
I shkoi mendja tek një komshi i tij që i kishte thënë ç’i kishte ndodhur rrugës për të shkuar në atë shtet ku po shkonin edhe ata. – “Na kapën ushtarët e vendit fqinj në mal, ishin pesë ushtarë” – i kishte thënë fqinja. – “Ne ishim tre shokë, të tre trupa të fuqishëm, por në tokë të huaj, trupi, sado i fuqishëm të jetë, bëhet spurdhjak. Mua, si më të bëshmin, më thanë të merrja dy shkopinj. Unë as gjuhën s’e kuptoja, por më bënë shenja. Këputa dy degë të holla nga një shkurre, ia zhvesha gjethet dhe ia dhashë atij që m’i kërkoi. Prisja ç’farë do bënin. Ai seç foli disa fjalë në gjuhën e tyre dhe ata duke u zgërdhirë filluan të qeshnin. Më bënë shenjë që të merja edhe katër shkopinj të tjerë. Veprova ashtu siç veprova edhe më parë. Këputa katër degë nga shkurret, ia zhvesha gjethet dhe ia dhashë. Ata përsëri flisnin dhe qeshnin. Nuk kuptonim, vetëm me shenja na thanë të uleshin në gjunjë dhe ta mbanim kokën të përkulur poshtë. Bëmë ashtu siç e kuptuam. U ulëm të tre përbri njëri tjetrit dhe prisnim me zemër të ngrirë ç’do bënin. Njëri nga ata filloi një këngë të pakuptueshme në gjuhën e tyre, që u pasua edhe nga të tjerët. Mbi kokën time unë ndjeva një goditje, pastaj edhe një tjetër, edhe një tjetër.
Goditjet mbi kokën time vinin sipas ritmit të këngës që ata këndonin. Koka ime në atë çast po shërbente si xhez e goditur nga shkopinjtë që unë vetë i bëra, për të mbajtur ritmin e këngëve të tyre. Më shumë se dhimbja që po ndjeja, një urrejtje e madhe më ngacmoi në ato çaste për poshtërimin që po më bënin. Doja të veproja, pa marrë parasysh asgjë edhe pse isha i huaj në një tokë të huaj e të panjohur. Mes dhimbjeve dhe poshtërsisë që po jetoja në ato çaste, doja të shikoja se ç’po bëhej me shokët e mi, megjithëse e mendova se edhe ata të njëjtën situatë si unë po kalonin përderisa ishim ulur përpara tyre. Lëviza pak kokën për të parë shokun që kisha në krahun e majtë, kur një goditje e fortë shkopi më fshiku syrin dhe faqen. Pas pak sekodash kënga u ndal dhe ata përsëri folën në gjuhën e tyre, që ne s’i kuptuam, vetëm nga shenjat e veprimeve të tyre, kuptuam se duhet të çoheshim në këmbë. U çuam, kur njëri nga ata më drejtoi një bajonetë, nga arma që mbanin në duar, duke më prekur pak gushën…”
– Ashtu qoftë Shahin, njerëz si ne të jenë që kanë marrë këtë udhë, por, kam frikë për vajzën; është 13 vjeçe dhe e ka trupin pak të zhvilluar, – ia prishi përsëri mendimet e shoqja.
Shahini nuk foli, vetëm po mendonte: “Do Zoti të më ndihmojë, të mos m’i ndodhë gjë e keqe vajzës, se, përndryshe, jetën time kam për ta dhënë për këtë vajzë…”
Dalëngadalë, nata e zezë dhe e frikëshme ia la vendin agimit të ri të ditës tjetër. Ai grup njerëzish me fëmijët e tyre e kishin kaluar atë natë në mal, në qiell të hapur. U çuan dhe ecën andej nga ecte ai që i drejtonte, që e njihte atë udhë. Në horizont u çfaqën rrezet e para të diellit.
– Na duhet të shpejtojmë pak tani; nuk është shumë larg lumi, na duhet ta kalojmë sa më shpejtë…
– Ujë, dua ujë! Ah o Zot! Vdiqa për një pikë ujë! M’u tha buza për pak ujë – u dëgjua zëri i një gruaje.
Vërtetë buza i dukej si e plasaritur dhe i kishte marrë një zbardhje. – Ku ka një përrua këtu afër apo ndonjë burim uji? Ku është lumi, që na thanë, se keni për të kaluar lumin?
– Babi, dua ujë, dua ujë – i tha një fëmijë të atit që po e mbante në krahë.
– Nuk ka babi ujë tani xhani i babit, por edhe pak dhe do pish ujë sa të ngopesh.
– Po unë dua tani – tha fëmija dhe ia shkrepi të qarit.
– Ah! Vdiqa për një pikë ujë – vazhdonte të fliste përsëri gruaja.
– Të lutem, moj motër – iu drejtua asaj burri që mbante fëmijën në krahë dhe që kërkonte ujë. – E dimë qe je e etur, ashtu si të gjithë ne, por, mos fol me zë, se po të dëgjojnë fëmijët dhe po na kërkojnë ujë.
Gruaja si e zënë në faj, në pendesë për atë që kishte bërë, iu afrua fëmijës në krah të të atit: – Jo shpirti i tetës, mos qaj. Edhe pak dhe të gjithë do pijmë ujë. Mos qaj zemër e vogël, të kam xhan – i foli gruaja me zë përkëdhelës dhe me dy gishtat e duarve ia fshiu lotët fëmijës që po rridhnin faqeve.
– Mami, ka ujë në çantën që po e mban babi? – u dëgjua një zë tjetër vajze të vogël që po i thoshtë nënës së saj të kapur për dore.
Ajo bëri sikur nuk dëgjoi. E dinte që nuk kishte. Ngjitja e vështirë dhe e lodhshme e rrugës në mal i kishte detyruar të gjithë ata që po ecnin në atë të përpjetë ta kishin mbaruar më shpejt sa duhej ujin e marrë me vete për rrugës.
– Babi – iu drejtua përsëri vajza e vogël të atit. – Ke ujë në çantë?
– Hej ç’na bëri ajo e flamosur, me ujin që e kujtoi – mërmëriti nën vete e ëma e vajzës .
– Edhe pak dhe të gjithë do pimë ujë – tha gruaja si me dënesë. – Shikoni sa bukur kanë çelur lulet! – vazhdoi të flasë gruaja, si për t’i ndëruar drejtimin bisedës që kishte marrë udhë pa krye dhe këputi një lule mes gjelbërimit të porsaçelur pranveror në mal.
Duke ecur nëpër mal, nga larg u duk një lumë i gjërë, që vende vende bënte disa dredhje, duke ndryshuar drejtimin e tij. U duk edhe një urë e madhe që lidhte dy brigjet e lumit.
– Mos të bëjmë gabim të zbresim poshtë urës, – tha një burrë, që ecte në krye të njerëzve. – Janë ushtarët atje; do t’i shkojmë ujkut në gojë vetë, me këmbët tona.
– Po si do ta kalojmë lumin? Është i madh!
– Është ca i gjërë, por do mundohemi ta kalojmë.
– Pse, duhet të kalohet patjetër lumi?
– Unë s’e kalojë lumin me fëmijët – tha një grua. Nuk erdhëm ne të lëmë jetën bashkë me fëmijët në këtë lum.
– Po si do t’ia bëjmë?
Asnjeri nuk foli.
Nga lart, duke zbritur poshtë kodrës, panë një grup njerëzish që po rrinin në breg të lumit.
– Do jenë ata, që shpejtuan për të mbërritur sa më parë – tha një burrë. Të tjerët nuk folën.
– “Qenka shumë i gjërë lumi” foli një burrë me veten e tij. Si do t’ia bëjnë gratë dhe fëmijët?
Një burrë tjetër sikur ia lexoi mendimet, tha: – Shumë i madh duket lumi nga lart…
Njerëzit ecnin, duke vështruar lumin.
Ata zbritën poshtë bregut të lumit dhe iu bashkuan grupit tjetër të njerëzve. Një si pyll i vogël shtrihej përgjatë bregut të lumit.
Një grua lëshoi çantën në tokë dhe diçka po kërkonte brenda saj. U dëgjua një fëshfëritje e lehtë. Gruaja nxorri ushqimet e mbetura që kishte marrë me vete nga qesja plastike dhe me atë në dorë u drejtua për nga bregu i lumit. Ishte e njëjta grua, që ishte shprehur për etjen e saj.
– Do bjesh në lumë, moj e uruar, ku shkon ashtu? – i tha një burrë, që duhet të ishte i afërmi i saj.
“Mua shyqyr që më panë sytë ujë” – mendoi gruaja. – Kemi ujë plot tani, të pijmë e të ngopemi të gjithë, – tha dhe doli me qesen e mbushur me ujë.
Katër burra të tjerë iu drejtuan bregut me qese në duar.
– Hë! Çfarë mendoni, si do bëjmë? – tha një burrë nga grupi i të porsaardhurve.
– E kemi gjetur zgjidhjen – iu përgjigj një burrë rreth të pesëdhjetave. – E shikon atë atje? – dhe bëri me dorë nga një barakë e vjetër e ndërtuar me dërrasa.
– Më duket se vetë zoti i madh po na ndihmon. Në barrakë ndodhen ato që na nevojiten tani, sqepar, gozhdë, çekiçë…
– Edhe?
– Ja, do ta kalojmë lumin, – tha një burrë tjetër.
– Do ta kalojmë, po si? Me sqeparë, me gozhdë, me çekiçë…?
Gratë nga grupi i sapoardhur po dëgjonin me vëmendje dhe s’po kuptonin ç’po thuhej. Një grua, që po shihte degët e pemëve të thara të rrëzuara po mendonte: “Ah, t’i kisha unë në shtëpi tani gjithë këto dru për dimër…
– T’i futemi punës e të mos vonohemi – tha përsëri burri dhe eci në drejtim të barrakës. Pas tij ecën edhe dy djem të rinj në moshë.
– Do marrim disa dërrasa nga kjo barraka këtu, do ndërtojmë një trapo, ta lidhim me tel…
– Ku j’u paska shkuar mendja more vëllezër, foli një burrë tjetër. Eh, mëndjendriturit…
– Se mos na kapin? – u dëgjua një tjetër zë burri.
– Mos na ndillni tersllëk tani.
– Ç’të bëjmë? Rrugë tjetër nuk ka. Ftohtë është. Lumi është i gjërë, janë gra dhe fëmijë – dhe e hodhi shikimin nga disa gra.
Si të ishin në tokën e tyre, si ta kishin mallin e tyre, shkëputën disa dërrasa nga barraka, duke e lënë atë si një kufomë të kafshuar nga ndonjë egërrsirë. Morrën dy trungje të trashë dhe filluan t’i shtrijnë dërrasat mbi to. Një djalë doli nga barraka me një rreth teli hedhur krahut. Dëgjoheshin trokitjet e çekiçit mbi gozhda.
Pas pak trapoja ishte gati, pothuajse dy metër e gjërë dhe e gjatë. Në të dyja anët e trapos lidhën tel.
– Duhet të hidhet njëri në lumë tani, – foli një nga burrat që kishte ndihmuar në ndërtimin e trapos.
Askush nuk foli.
– Hë, – foli përsëri i njëjti burrë. Del ndonjëri të hyjë në lumë, të tërheqi trapon për ta kaluar në anën tjetër të lumit? Rrugë tjetër nuk kemi.
Përsëri asnjëri nuk foli. Vështronin trapon; disa e hodhën shikimin në gjërësinë e lumit. Seç mërmëritën me vete dhe lëvizën pak kokën majtas djathtas.
Heshtjen e theu ai, Dimi. – Po hyj unë, – tha dhe filloi të zhvishej. Të gjithë njerëzit kthyen kokat nga ai.
Ai xhvishte rrobat e trupit, të tjerët e shikonin. Një grua lëvizi supet, si të ndjente të ftohtët në trupin e saj. Dimi vendosi rrobat e trupit mbi trapo dhe hyri në ujë.
Ai notonte me njërën dorë, ndërsa me dorën tjetër tërhiqte trapon. Dy burra të tjerë nga bregu e ndihmonin duke e lëshuar telin lidhës. Të gjithë njerëzit në breg të lumit ndjenë morrnica në trup kur shikonin Dimin të notonte me njërën dorë, me trupin e kthyer brinjas.
Ai notonte me vështirësi të madhe; uji i lumit e largonte më poshtë në drejtim të rrjedhës së tij. Dy burra në bregun e lumit lironin telin nga rrota e mbledhur, ku ishte lidhur me pjesën tjetër të trapos
Pas disa minutave, Dimi mbërriti në bregun tjetër të lumit, disa metra më poshtë drejtimit nga vendi ku ishte nisur. Trupi filloi t’i dridhej nga të ftohtët. Pjesën e mjekrës dhe mollëzat e faqeve nuk i ndjente t’i kishte të tijat. Mori në dorë trapon dhe eci gjatë bregut, që binte vijë e drejtë me njerëzit matanë bregut tjetër.
– Aman, o Perëndi! – tha një grua dhe bëri kryq me dorë. Ai veprim i të bërit kryq, u shoqërua edhe nga disa gra të tjera.
– Ta tërheqim telin tani? – U dëgjua zëri i një burri.
– Prisni pak – tha Dimi me zërin që i dridhej, që mezi u dëgjua dhe morri rrobat e trupit; hyri mes shkurreve. Nuk vonoi shumë, kur u duk përsëri; ishte i veshur.
– Tani po, tërhiqeni, – tha dhe mbante të shtrënguar me dorë telin. Ca nga zhurma e rrjedhës së ujit, ca nga të dridhurat e tij, zëri iu dëgjua si i mekur. Disa burra të tjerë iu bashkuan dy burrave dhe filluan tërheqjen e telit për të sjellë trapon në breg të lumit.
Kush do ishte i pari që do ta merrte guximin t’i hipte asaj “varke”? Gratë filluan pëshpëritjen me njëra tjetrën. Ndjeheshin shumë të frikësuara, për më tepër mendonin për fëmijët e vegjël.
– “O Zot i madh! Kalohet gjithë ky lumë kështu me këto copra dërrasa të lidhura me dy fije teli?” – mendoi një grua.
Edhe një burrë tjetër po mendonte, si mund të kalohet lumi me këtë copë “varkë”? Pastaj i njëjti burrë iu drejtua dy djemve: – Hajdeni ju të rrinjtë, se dini edhe të notoni. Hipni, që të mos vonohemi shumë.
– Dy të rrinjtë qeshën: – Do hipim xhaxhi, do hipim, po më mirë është që të hipësh edhe ti me ne.
– Opo hë, vazhdoni ju të rrinjtë në fillim, po dhe ne do e kalojmë…
Dy të rrinjtë hipën në “varkë” dhe po qendronin në këmbë; po mundoheshin të mbanin ekuilibrin. Dimi nga ana tjetër e bregut filloi tërheqjen e telit. “Varka” e vogël rrëshqiste në sipërfaqen e ujit. Njerëzit në breg të lumit shikonin me ankth, në pritje të ndonjë të keqe, përmbysjen e trapos, siç do ta quanin ata.
Dy gra u panë të bëjnë kryq me dorë, duke mërmëritur diçka; ishte lutja e tyre që po i drejtoheshin Zotit .- Zoti j’u ndihmoftë, – u dëgjua një zë gruaje.
– Zoti na ndihmoftë të gjithë neve këtu si jemi; të gjithë kemi për ta bërë këtë lundrim sa të vështirë aq edhe të rrezikshëm.
– Na shpëto fëmijët o Zot – u dëgjua një zë tjetër gruaje.
– Zoti ka për të na ndihmuar të gjithë neve.
“Varka” e vogël kishte arritur pothuajse në gjysmën e gjërësisë së lumit. Dy djemtë e hipur në atë “varkë” kishin përkulur kurrizin dhe kishin mbështetur duart mbi dyshemenë e saj.
– Kur të na vijë rradha për ta kaluar lumin, nuk do rrimë në këmbë ne – i tha një grua bashkëshortit të saj, që pranë kishte një djalë të vogël.
– Ç’a këmbë, thua ti, moj? Do rrimë ulur dhe do mbahemi fort, madje.
Tek i shikoje ata njerëz fatkeq, siç ishte i keq fati për një vend dhe popull të tërë, tek lundronin mbi disa dërrasa të gozhduara mbi dy hunj, ndjeje dhimbje, dhimbje dhe brengë.
I fundit që e kaloi lumin me atë trapo, ishte një djalë rreth të 28-tave.
– O Perëndiiii, o Perëndi e madhe! Nuk di ça të them more djalë. Nuk gjej më fjalë që të uroj more bir, për këtë sakrificë dhe nder të madh që na bëre – u dëgjua zëri i një gruajë. Të gjithë kthyen kokat nga ajo. Gruaja iu afrua Dimit, sikur donte ta përqafonte. – “Rrofsh bir, rrofsh!
– Të rrojë se ç’ke me të, – tha një burrë dhe u përkul të marrë çantën. Një burrë tjetër nxorri nga çanta një shishe: – Merre! Hallall ta kesh. Është raki, e kam zjerrë vetë. Merre, ta kesh për rrugës, të pish, se të bën mirë, të nxeh.
– Faleminderit more djalë! Rrofsh! – U dëgjuan zëra të tjerë.
Dimi e pa në sy. – Merre i tha tjetri, – hallall e ke. Dimi e morri shishen: Edhe pse vetë nuk ishte i vënë shumë pas rakisë, iu kujtua i ati; e pinte rakinë, madje shumë. Pa të, nuk mund të rrinte as edhe një ditë pa e pirë, por siç e thoshte edhe vetë i ati, unë pi rrakinë e jo rakia të më pijë mua. Kur e shoh që po e teproj në pije, e ndërpres… – Kjo ishte edhe arësyeja, që i ati, kurrë nuk vinte në shtëpi i dehur. -“Eh babi, babi!” – foli Dimi nën vete; ndjeu mall dhe dashuri të madhe. Iu duk se kishte shumë ditë pa e parë të atin – Ku do jesh tani në këtë orë të mëngjesit? Sigurisht, në klubin e lagjes për të kthyer ndonjë gotë dhe për të pirë kafenë e mëngjesit. Kafeja! Eh, ajo kafe elbi! Eh ajo kafe qiqre që shteti shqiptar na i ka detyruar ne, njerëzve për ta pirë në mungesë të kafes origjinale, që se ka kurrë shijen e kafes… dhe ju të moshuarit, gënjeheni pas saj” – Sytë i mbante tek shishja e rakisë, që, instiktivisht e rrotulloi me dorë. Vetë i ati i kishte thënë ato ditët e ikjes së madhe të shqiptarëve përtej kufirit. “Nuk do gjë babi prej teje të më dërgosh, nëse ikën andej bir, vetëm kafe; kafe të më dërgosh biri im, mi ke sjellë të gjitha. Na është tharrë buza për të pirë një kafe origjinale. Mosha jonë vetëm kafe do tani…” – Një ofshamë e thellë i doli nga shpirti dhe u duk se qerpikët shkundën lotë edhe pse fytyrën e kishte ende të lagët nga lumi.
– Kemi dhe shumë rrugë për të bërë? – tha një burrë, duke vështruar kodrën përballë.
Askush nuk foli. Njerëzit filluan të lëviznin. Më të rrinjtë, përsëri u shkëputën dhe ecën në drejtim të kodrës.
– Pse, prap paskemi të përpjeta për t’u ngjitur ne? – foli një grua nën vete.
– Shikoni mirë, se mos kemi harruar ndonjë gjë, – tha një burrë dhe ktheu kokën pas.
Një burrë tjetër vuri dorën jashtë xhepit të pantallonave, për t’u bindur për portofolin.
Edhe ajo rrugë e përpjetë në atë faqe kodre ishte e vështirë, por mendimi se kishin kaluar pengesën e madhe, kalimin e lumit, sikur i jepte kurajo për t’ia larguar lodhjen.
Tek i ngjiteshin kodrës përpjetë u dëgjua një zhurmë e lehtë, rrjedhje uji. Nga disa gurë panë të rridhte ujë i ftohtë dhe i pastër.
– Po unë, ç’e mbaj ujin e lumit me vete? – foli gruaja nën vete me qesen në dorë. E derdhi dhe përkuli trupin mbi rrjedhën e ujit.
– Po na ikin të gjithë dhe s’dimë nga të shkojmë pastaj, po hë, jepini pak këmbëve, lëreni ujin tani, – foli një burrë, që dukej se ishte më i moshuari në atë grup njerëzish.
Dimi ecte pa u shkëputur nga grupi i mbetur prapa që i kishte shoqëruar gjatë gjithë atij rrugëtimi; ishin prindër me fëmijë të vegjël.
Bisedat që bëheshin, dukej sikur nuk po e ndjenin më lodhjen.
– Ti ke njerëz andej, ndonjë shok, a ku ta di unë?
– Po, kam një nip. Kam edhe dy numra telefoni që m’i kanë dhënë disa shokë.
– Unë skam as shokë, as ndonjë numër telefoni.
– Po si do bësh? Apo…
– Si do bëj! Si gjithë të tjerët edhe unë.
– Na kanë thënë; edhe familjet vendase këtu, i kanë hapur dyert e shtëpive të tyre për të ardhurit. U vjen keq dhe duan t’i ndihmojnë. Sigurisht, kanë edhe interesin e tyre për krahë pune.
– Një nga lagjja ime, ka dy muaj që ka ikur. Punon çoban. Diku këtu afër duhet të jetë, se kështu ka thënë; jam në një fshat afër me kufirin.
– Punë ka plot. Stinë pranvere është tani; bujqërit e këtij vendi kanë nevojë për krahë pune, sidomos në këtë stinë.
– Edhe një ndihmësmjeke nga lagja ime, diku këtu afër duhet të jetë. Kështu ka njoftuar; i shërben një gruaje të moshuar.
– Pse, keni ndërmend të qendroni në fshatra ju? Kryeqyteti ore, kryeqyteti! Atje është edhe mundësia më e madhe edhe për të gjetur punë edhe për t’i shpëtuar policisë.
– Besoj, se ia dolëm mirë; i shpëtuam policëve.
– Prit, mos u shpejtoni, kur të mbërrijmë mirë, atëhere themi se i shpëtuam policëve…
– Ehhh!
Pas një të përpjete të vështirë, nga maja e kodrës u shfaq qyteti. Kodra gjelbëronte nga pishat dhe bredhat. Në një vend, ata panë të grumbulluara disa shishe bosh plastike uji, coca cola e pije të tjera freskuese, të panjohura deri në atë kohë në Shqipëri, të lëna aty nga ndonjë grup të rinjsh vendas, sigurisht, të ardhur për ndonjë piknik .
– O Zot! Ç’farë nuk ka bërë dora e njeriut. Shikoni sa bukuri e madhe që është! – tha një burrë, me shikimin poshtë.
Grupi i njerëzve hodhi shikimin poshtë kodrës nga dukej qyteti. Ai shtrihej përgjatë një vije bregdetare. Disa vaporë të mëdhenj ishin akorduar në port.
Në oborin e një shtëpie, një prift i veshur me veladonin e zi, i kënaqej një tufe bagëtish, dele dhe qingja.
– Së shpejti janë pashkët dhe vendasit i festojnë me madhështi atë festë të bukur e të shenjtë. Ja, ato qingja do therrin për pashkë.
– Eh! – Psherëtinë të tjerët, që kishin kohë që e kishin harruar shijen e mishit…
– Na duket, sikur jemi të një fisi, o vëllezër, si një familje. Edhe pse rastësia, i njëjti hall që na zuri, na njohu në këtë udhë të vështirë e të panjohur, sikur po na vjen keq të ndahemi nga njëri tjetri.
– Epo, bashkë gjithmonë nuk do rrimë ne, po mirë edhe kaq, e bëmë rrugën dhe i faleminderit të madhit Zot, që na ndihmoi nga ndonjë e keqe e papritur.
* * *
Autobuzi mbërriti në orët e para, pa zbardhur ende agimi. Kishin udhëtuar orë të tëra për tërë natën. Pjesa tjetër, më të moshuarit, gratë dhe fëmijët gjatë udhëtimit rranë në një gjumë të thellë, gjumë vdekje, siç do ta quanin ata. U dëgjuan edhe disa ngërhitje.
Autobusë të shumtë të ardhur nga qytetet e ndryshme të atij shteti, njerëz të moshave të ndryshme që lëviznin në të gjitha drejtimet, taksi, dyqane të shumtë që shndrisnin nga dritat neone… Kjo ishte pamja në atë agjenci autobuzësh.
– Të hyjmë në ndonjë dyqan e të shlodhemi pak – tha burri që rrinte me gruan dhe dy fëmijët e vegjël, që Dimi për asnjë çast nuk i ishte ndarë.
Ajri i ngrohtë dhe aroma e këndëshme e kafes që ishte përhapur brenda dyqanit, sikur ia lehtësoi lodhjen. Përsëri Dimit, mendja i shkoi tek i ati.
“Kafe, kafe me bollëk… Oohhhh!” Sa i pasur po i dukej ai dyqan ku nuk mungonte asnjë mall. Kafe, fruta dhe fara të thata, pije të ndryshme alkoolike dhe freskuese të panjohura. Mendja i rrinte tani vetëm tek i ati. Po i dhimbsej më shumë se kurrë. Donte të blinte kafe e t’ia dërgonte që atë çast. Po ku do ta mbante? Si do t’ia dërgonte? As vetë nuk e dinte se ku do shkonte atë ditë të parë të mbërritjes së tij në atë shtet të huaj.
Nga jashtë xhamave ku po rrinin ulur, Dimit iu duk se dalloi tre bashkqytetarë, moshatarë të tij. U çua menjëherë dhe doli jashtë. Nuk kishte qenë i gabuar; me njërin nga ata kishte qenë bashkënxënës në një klasë.
– Edhe ju këtu? –
– Po – thanë ata. – Edhe ne këtu, por e kemi vendosur të ikim.
– Të ikni?! Pse?
– Ah! – tha njëri nga ata. – Kam një javë pa u larë. Nuk njoh njeri këtu…
– S’po gjejmë dot punë…
– Vdiqëm për gjumë…
– Kam lënë gruan dhe fëmijët në Shqipëri, nuk mundem dot më…
Dimit, sikur iu mpakën shpresat kur dëgjoi ato biseda.
Ata sikur ia lexuan mendimet në fytyrën e tij, që u duk e mendueshme.
– Urojmë ore vëlla të të ectë mbarë ty. Mos u demoralizo nga ç’po të themi. Provoje edhe ti njëherë fatin tënd.
– Kur do ktheheni në Shqipëri? – pyeti Dimi dhe pa nga shoku i tij, ish bashkënxënës.
– Tani, me autobusin e rradhës.
– Të lutem shumë! Mund të shqetësoj me një porosi të vogël? Të lutem…! – Fjalët e Dimit, më tepër u dukën si lutje ndaj shokut. – Mund të të jap pak kafe për babin?
Dy të tjerët buzagazën.
– Pak! Sa pak kafe?
– Jo më shumë se një kile.
– Mirë – tha shoku me zë të ulët, që më tepër u duk se nuk u dëgjua.
– Rrofsh! – tha Dimi dhe u kthye nga dera e dyqanit.
***
Ato ditët e para, bisedat telefonike me të afërmit e tij në atdhe ishin pothuajse të pamundura. Në të gjitha ambientet postare të qyteteve të Shqipërisë, njerëzit rrinin në radhë me orë të tëra për të folur dhe për të mësuar rreth fatit të të afërmëve të tyre larguar. Dimi, me ndihmën e disa bashkatdhetarëve të tij, pas disa ditësh, në ambientët e postës telegrafike, mundësoi dërgimin e një telegrami për mbërritjen e tij shëndoshë e mirë në shtetin fqinj. Më vonë u mundësua edhe bisedat telefonike me të afërmit e tij. Zakonisht, fliste në telefon me dy motrat dhe vëllanë.
Gjendja shëndetësore e të atit, papritur ishte rrënduar, por Dimit nuk i kishin treguar. Ishte kjo arësyeja, që i ati foli vetëm njëherë me të në telefon.
* * *
Mendimi për t’i dërguar të atit sa më shpesh kafe, i rrinte si një limë e s’po e linte të qetë. E kishte marrë shumë malli.
Kishte kaluar, pothuajse më shumë se një muaj, kur rastësisht dhe mrekullisht, siç do ta quante vetë Dimi, takon një bashkqytetarin e vet, i njohur me të atin e tij, i cili pas një vizite disa javore tek djemtë e tij do kthehej në atdhe.
Më parë se Dimi t’i thoshte edhe për porosinë e të atit, ishte vetë bashkqytetari, sikur ia lexoi mendimin. – Nesër kthehem në shtëpi, në Shqipëri; nëse ke ndonjë porosi të vogël, mos nguro të ma japësh.
– Kafe – tha menjëherë Dimi, pa mbaruar mirë fjalën bashkqytetari. Kafe! Të lutem shumë, kafe për babin dua të dërgoj.
– Mos m’u lut i tha bashkqytetari, unë vetë të thashë. Vetëm kafe, apo edhe ndonjë nga ato të tjerat, rroba veshje, coca cola…?
– Nëse mundesh edhe ato të tjerat… por kafenë e kam të parën që dua të të jap.
Pa humbur kohë, shkuan në dyqanin më të afërm dhe bleu kafe; kafe të pjekur dhe të bluar të paketuar, siç shitej. Bleu edhe kafe të papjekur.
U lehtësua shpirtërisht.
Priste pas disa ditësh, nga të afërmit e tij në Shqipëri, ta njoftonin për mbërritjen e pakos. Asnjë lajm nuk kishte marrë. Iu duk e çuditëshme dhe e paspjegueshme, përse kjo heshtje nga ata. Shumë mendime i vinin në mendjen, por asgjë të keqe nuk mendonte. Ajo heshtje, zgjati pothuajse dy javë. Motrat dhe vëllai i telefononin pothuajse çdo tre ditë. – “Kanë kaluar dy javë…”!
Sapo ishte thyer mesdita. Nga jashtë dhomës ku rrinte, dëgjoi zërin e ëmbël të zonjës së shtëpisë ku rrinte me qera; po i thërriste. U çua menjëherë dhe doli jashtë. I shkoi mendja, ajo e thërriste vetëm kur e kërkonin Dimin për të folur në telefon. Me shpejtësi, i ngjiti dy e nga dy shkallët që të çonin në katin e sipërm të shtëpisë. Frymëmarrja i ishte shpejtuar nga të nxituarit dhe emocionet.
– Po të kërkojnë të flasin në telefon me ty – tha gruaja me fytyrë gazmore dhe zërin e ëmbël. – Unë s’po kuptoj se ç’më thonë, por, sigurisht, njerëzit e familjes tënde në Shqipëri do jenë. – Fytyra i buzagazte.
Dimi kapi menjëherë receptorin e telefonit dhe shqiptoi fjalën, tashmë të njohur: “Alo”. Nga ana tjetër e telefonit dëgjoi një zë femre. E dalloi, ishte zëri i njërës nga dy motrat. Por ai zë po i vinte i shurdhët, si me ndërprejre, jo i qartë. Iu duk se ai zë po i vinte vajtueshëm.
– Jam Xh. – i tha ajo, që u kuptua se diçka po e mundonte të vazhdonte bisedën. Të dyja motrave të tij, emrat i fillonin me të njëjtën shkronjë.
– Më keni bërë shumë merak; pse s’më keni telefonuar…?
– Po… ja… – Përsëri zëri i motrës u ndërpre.
– Si jeni? Babi, si është?
– Mirë… jemi… mirë… ne. Mirë jemi …, ndërsa babi… – zëri përsëri u ndërpre.
– Alo, më dëgjon? Aty je? – Buzëqeshja e mëparshme iu tret.
– Ooohhh! – Dëgjoi ofshamën e thekshme të motrës, që iu duk e dhimbshme. Ajo psherëtimë u dëgjua shurdhshëm dhe vajtueshëm.
– Fol e dashur motër. Të lutem, ç’farë ke sot? Si jeni? Babi, si është? – Diçka të keqe ndjeu në shpirt dhe trupi filloi t’i dridhej, ndërsa zemra po i rrihte me shpejtësi, sikur donte t’i dilte jashtë kraharorit.
– Ne mirë jemi, po… babi, është pak pa qejf! – E folura e të motrës iu duk e turbullt.
– Babi pa qejf? Pse, ç’farë ka?
Përsëri heshtje nga ana tjetër e telefonit. – Xh. Të lutem më thuaj, ç’farë ka babi?
– … Është… pak… sëmurë…
– Sëmurë?! – Dhe iu duk se ndjeu një goditje në kokë. – Sëmurë shumë? Ku ndodhet, i shtruar në spital apo në shtëpi?
– Dimi, … shpirt i motrës. Babi…
– J’u kam dërguar një pako të vogël. Kafenë që dërgova për babin, e morrët?
E motra nuk mundi dot të durronte. Nga dhimbja që ndjeu në ato çaste iu duk se iu shkëput shpirti. Nuk po mundte ta mbante më veten. Me zërin e mekur që po i dilte nga buzët që po i dridheshin, mes ngashërimit dhe lotëve që po i rridhnin, gjeti forcë të flasë: – Dimi… babi… ka… – nuk mundi dot të vazhdojë.
Ai dëgjoi vajtimet e mbytyra të së motrës.
– Ç’farë ka babi? – dhe zemra filloi t’i rrahë me shpejtësi. E zonja e shtëpisë që po i rrinte përkundruall dhe që s’kuptonte asgjë se ç’thuhej, vazhdonte ta shihte Dimin duke buzëqeshur. Pastaj ajo buzëqeshje edhe asaj sikur i ngriu. Edhe ajo, dikur e kishte pasur djalin e saj të ikur emigrant në një shtet tjetër të huaj dhe e kuptonte shumë mirë se ç’është malli dhe dashuria që të jep largësia nga njerëzit e dashur.
– Motër, ç’farë ka babi? – e pyeti përsëri ai.
– Dimi… babi… ka… 12 ditë… Oh Dimi! Babi ka 12 ditë … që nuk jeton më!
– Ç’po më thua motër? Jo! Jo! – Lotët i rrodhën me shpejtësi nga sytë duke zbritur poshtë. Zemra po i rrihte edhe më fort. Trupi po i dridhej. Nuk po mundte dot të fliste. Në gjoks iu mblodh një gulç. Nuk donte ta besonte. – Jo! Jo motër! Joooo!
– Po, i dashur vëlla! Mbahu i fortë. Babi iku. Babi nuk jeton më. Të duam shumë vëlla! Të duam shumë, të gjithë të duam ty, Dimi. Na fal vëlla i dashur. E di që ndjen dhimbjen e thellë për humbjen e babit, ashtu siç po e ndjejmë të gjithë ne këtu, por, nuk të njoftuam dhe besoj se na kupton. E morrëm pakon, Dimi. Edhe kafenë e morrëm, por, babi nuk e pa, as pakon, as kafenë, që ti na dërgove. Ajo erdhi tre ditë pasi babi kishte vdekur. Oohh! Babi vërtet nuk e pa dhe nuk e shijoi kafenë që i dërgove ti, por ajo kafe u pi nga të gjithë njerëzit pas disa ditësh për shpirtin e tij. Babi mori me vete orën e xhepit që ia kishe dërguar ti disa javë më parë, atë orë, që e donte aq shumë dhe e mbante gjithmonë me vete. “Vërtet, më ka marrë shumë malli për Dimin, por ja, mbaj këtë orë pranë dhe më çmall… – i foli e motra me ton të përvajshëm.
Me hapa të rënduara, me këmbët që s’po i ndjente të tijat, Dimi zbriti shkallët dhe hyri në dhomën e tij për t’u shkrehur në vaj. – Babi…! Babi, nuk jeton më! 12-të ditë, që babi ka ikur nga kjo jetë dhe unë nuk di gjë! Oohh! Kafeja. Shkoi në guzhinë për të përgatitur një kafe. “Ta pi një kafe edhe unë për shpirtin tënd babi. U prefsh në paqe i shtrenjt baba…”
Me dhimbjen në shpirt, eci në rrugën që të çonte në kishën më të afërt. Mori një qiri; e ndezi dhe u fal për shpirtin e vdekur të të atit.
Në vesh i trokisnin fjalët: “Kafeja që dërgove ti Dimi, na erdhi tre ditë pas vdekjes së babit. Ai vërtet nuk e pa dhe nuk e shijoi kafenë që i dërgove ti, por ajo kafe u pi nga të gjithë njerëzit pas disa ditësh për shpirtin e tij”.
– “Babi im i donte shumë njerëzit. Kishte shumë miq, me të cilët, ai, me siguri, do ta pinte kafen time, kafen që i dërgova unë…”
Sikur iu lehtësua pak dhimbja.
– Babi tani prehet përjetësisht në të njëjtin varr, me nënën tonë, bashkëshorten e tij.