Kadare: Nexhmija gënjen, ju po e mbroni

0
32

Intervistë telefonike, e bërë më 19 shtator 2012 nga redaksia “Shekulli” në numrin e telefonit fiks të familjes së shkrimtarit Ismail Kadare në Francë

Bisedoi: Flamur Vezaj, 28.09.2012

Kjo bisedë është bërë më datë 19 shtator 2012, në orët e mbrëmjes në linjë telefonike. Nga redaksia e “Shekullit” është telefonuar banesa e z.Kadare në Francë. Shkrimtari u është përgjigjur pyetjeve në mënyrë disi nervoze dhe në fund ka kërkuar që biseda të mos botohet me premtimin që do dërgonte përgjigje të tjera via-mail. Pyetjet janë ridërguar po atë natë. Z.Kadare ka refuzuar të përgjigjet, duke mos kthyer asnjë përgjigje as në linjë telefonike as për 3 emaile të tjerë pasues të dërguar pas 19 shtatorit nga redaksia.

Mirëmbrema. Familja Kadare? Më falni, unë jam Flamur Vezaj, gazetar i “Shekullit”. Doja të flisja me z.Kadare. (pas prezantimit, nis biseda) – Zoti Kadare, unë kam ndjekur procesin gjyqësor për çështjen e dorëshkrimit dhe sot kemi botuar ato letrat që janë paraqitur si prova nga pala e paditur…

Nuk dua të merrem me një kriminele… Nuk kam dëshirë të flas me thënë të drejtën. Shkrimin tuaj e pashë dhe të tjerët nuk e di çfarë kanë bërë…

Unë kam botuar edhe prononcimin e avokates, të bërë dje në sallën e gjyqit.

Keni nxjerrë vetëm anën e keqe. Keni theksuar shumë, si të thuash anën e keqe të kësaj çështjeje, anën e pabesueshme, anën absurde…

Nuk e di nëse e keni ndjekur shtypin, por ne kemi botuar edhe kërkesë-padinë paraqitur në Gjykatë nga avokatja juaj, e kemi botuar të plotë, siç ka qenë!

Kërkesë padinë e ka bërë avokatja. Mirë dakord. Nuk e kam parë unë. Përshtypja që kam për shkrimin në gazetën tuaj… Ju keni theksuar këtë anën e keqe. I mbani njëfarë ane kësaj gruaje që, është e drejta juaj të mbani cilën anë të doni. Nuk ka nevojë unë nuk ndërhyj po… Këtu është një shkrimtar që ka një dorëshkrim dhe është një grua që thotë një gjë absurde, thotë ma ka dhënë thotë, unë nuk kam dokument që ma ka dhënë, por ai ishte dashamirës dhe kërkoi që të ndërhyja për një shtëpi.

Ju nuk thoni apartament, por një shtëpi të madhe. Unë kam patur një apartament mizerabël 40 metra katrorë. Kam qenë shkrimtar i botuar në gjysmën e Europës në 72-shin dhe detyrohem t’i kërkoj një gjë këtyre njerëzve, një apartament, sepse ata ishin pronarët e gjithçkaje. Më kuptoni apo jo. Dhe ju shkruani këtë gjë pa gajle fare si një gjë normale. Sigurisht, ajo ishte një padrone. Duhet t’i jepte ajo apartamentet. Sepse ajo i jepte për njerëzit e kulturës. Pikë. A më dëgjoni apo jo?

Por, ideja ishte…

Ja pra, kështu shkruani… I shkruan me këtë sens domethënë. Keni mbajtur anën kundër shkrimtarit, për një ish-padrone komuniste që mburret se kishte marrë letra nga unë, ku i drejtohesha me letër, pasi më torturonin për 3 vjet për këtë apartamentin. Në vend që ju të shqetësoheshit për këtë gjë, të thoshit: “si është e mundur shkrimtari më i njohur i Shqipërisë në atë kohë sepse unë isha më i njohuri, ka tre vjet që torturohet për një apartament, për një dhomë pune. Dhe nuk i bënë përshtypje asnjërit, sepse ky është një popull skllav që e quan akoma, se Shqipëria ka qenë pronë e Enver Hoxhës dhe Nexhmije Hoxhës. Dhe thonë se duhet të jesh mirënjohës që të ndihmoi për të marrë një apartament. Nga i nxori apartamentet ajo, nga xhepi i saj??

Në botuam kërkesë padinë tuaj, botuam edhe provat që u paraqiten në gjyq. Letrat…

Punë e madhe, i paskam bërë një letër kësaj para 40 vjetësh dhe një tjetër… që e harrova çfarë ishte. Po këto 40 vjet që nuk i kam bërë më asnjë letër unë kësaj, kësaj zonje, kësaj zuske, më fal, kjo ka 40 vjet që nuk ka libër nga unë. I paskam bërë një letër për një apartament.

Ne jemi treguar korrekt me pasqyrimin e kësaj çështje në gjyq…

Ju jeni treguar…Ka atje te ju një dashakeqësi. Unë nuk ju njoh fare juve. (…) Ju atje keni dashakeqësi ndaj meje, i keni trashëgim, ca njerëz që ju punojnë atje, dashakeqësi të trashëguar.Keni një (përmend një emër gazetari) aty që ka një urrejtje ndaj meje… Është shumë turp që një gazetë ta vazhdojë këtë.

Ne jemi munduar të jemi të paanshëm në pasqyrimin…

Unë nuk ju njoh fare. Madje avokatja më tha që kam folur me një gazetar të “Shekullit”, që ishte shumë i mirë kuptueshëm. Nuk e di tani nëse ju ishit i mirë kuptueshëm apo tani unë jam subjektiv…

Unë e kam pasqyruar procesin gjyqësor dhe e kam ndjekur këtë çështje. Letrat që ne i botuam, janë paraqitur si prova në seancë gjyqësore dhe ne, si në rastet e tjera, i kemi siguruar dhe kemi vendosur t’i botojmë, por, në asnjë mënyrë nuk ka patur dashakeqësi karshi jush…

Më falni, ju jeni gazetar i vitit 2012 dhe ju shikoni një shkrimtar të njohur që i drejtohet për të marrë një dhomë pune për të punuar, që është gjëja më normale në botë. Dhe juve nuk ju bën asnjë përshtypje kjo: mor, po si është e mundur që ky shkrimtar, më i lexuar i asaj kohe, paska nevojë për një dhomë, pasi nuk ka ku të banoj, e ka një dhomë 40 metra katrorë, e kupton? Si është e mundur, asnjeri nuk e thotë… Të gjithë thonë, banon nëpër vila Kadareja, dilte jashtë, kishte privilegje të këtilla… Gënjeshtra. I sajojnëish-këlyshët e sigurimit të djeshëm dhe partisë së djeshme. Dhe vazhdojnë gënjejnë këto në Shqipëri. Vetë kjo duhet t’ju shqetësonte si ndërgjegje gazetari… Si është e mundur që unë nuk kisha një dhomë ku të punoja, në ’72 isha i botuar në 10 vende të Europës.

Dorëshkrimi i romanit, si i ka rënë në dorë znj. Nexhmije Hoxha? Në kërkesë-padi avokatja juaj ndër të tjera thotë “që pas kërkesës së znj. Hoxha, z. Kadare ia ka dhënë, pasi ajo ishte e pushtetshme dhe mund t’i shkatërronte jetën, me një fjalë nga “frika dhe presioni”?

Nuk është e vërtetë. Nuk kam thënë këtë unë. E ka thënë, është thënë gabim. Në intervistën që kam dhënë në media, unë kam thënë që nuk kam patuar asnjë presion, e kam dorëzuar vetë.

Në padi shkruhet në njëfarë mënyre, se ju keni qenë në presion kur është dorëzuar…

Është thënë gabimisht siç duket, kështu mund të jetë formuluar, por, ç’më duhet mua.

Si ka përfunduar atëherë dorëshkrimi në duart e znj. Nexhmije Hoxha?

Jua them unë. Dorëshkrimi… Ajo gënjen në çdo gjë. Ka ardhur në ‘72 tek unë në shtëpi. Romani nuk kishte dalë ende nga shtypi. Sapo e kishte marë shtëpia botuese. Dhe kjo zonjë ka gënjyer, sepse ajo e ka lexuar me siguri bashkë me burrin e saj dhe bashkë me këlyshët e tjerë, kuptoni? Dhe ka ardhur me një qëllim të keq, të marrë dorëshkrimin. Me shpresë se nuk do të më binte më në dore kurrë me sa duket. Po të njihni Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin do e kuptoni këtë gjë. Ajo ka treguar që kudo gënjen. Për çdo gjë. Absolutisht. Ka ardhur pra, pa dalë romani. Dhe e dinte ku ishte dorëshkrimi im, dinte edhe vendin bile. Me ata spiunët e tyre që sinjalizojnë çdo gjë. Dhe tha ma jepni… se mos të dëmtohet. Po i thashë unë. As më bëri ndonjë përshtypje të keqe me thënë të drejtën. Ia dhashë me…

Që nga ajo kohë nuk keni tentuar më ta kërkoni?

E para kujtova se ishte në arkiv. Në një institucion shtetëror. Çdo shkrimtar është i qetë kur e ka në një arkiv shtetëror veprën. Parvjet e kam marrë dorëshkrimin e “Përbindëshit” nga një miku im, Gjergj Vlashi ma ka dhënë. “Përbindëshi” ka qenë një nga veprat e mia më problematike. Pati shumë ngatërresa, u quajt vepër anti-partie, nuk e kërkova më. Ika në ‘90 në Francë kam thënë shyqyr që i kam në arkiv ca, sepse të tjerat i mori policia andej këtej u shpërndanë.

Po shyqyr nuk u dëmtuan, më kuptoni apo jo? S’ishte ndonjë gjë e keqe pse ishte në një arkiv. Krimi i saj është që e ka marrë nga arkiva e ka çuar mështëpinë e vet. Dhe një gënjeshtër tjetër.. Që ia kam dhënë me dhurim. Ku e ka atë, ku i ka? 5 radhë, 2 radhë që “ia dhuroj për kujtim zonjës Hoxha, shoqes Hoxha dorëshkrimin tim… Plus pastaj një gënjeshtër e madhe që ia kam dhuruar në ‘75… Në tetor ‘75 unë isha në gjendjen time më të errët për shkak të poemës “Pashallarët e kuq”. Ishte tamam në atë kohë po dënohesha nga ajo poemë”.

Një ditë pas ditëlindjes së Enver Hoxhës…

(qesh) Pikërisht në tetor të ‘75 për shkak të “Pashallarëve të Kuq”… Dhe të guxoja unë të merresha me dhurata? Nuk kisha as të drejtën ta ta-koja. Absolut. Gënjeshtra të tilla janë të pafundme nga këta që kanë vrarë njerëz, i kanë torturuar, djegur, çfarë mund të presësh prej tyre? Habitem se si shtypi shqiptar nuk i vë një… Është fjala e një njeriu që ka përgjegjësi të rëndë për krimet e mëdha në Shqipëri, ka përgjegjësi numër një nga ato të gjallët që janë sot.

Te këto letrat, po lexoja që ju e falënderonit për ndihmën me “Dimrin…” Ju ka dhënë ndihmë?

Më ka dhënë ndihmë, më ka ndihmuar të shoh dosjet sekrete. Kjo është e vërtetë, çfarë ka? Çdo njeri do ta falënderonte, është normale, çfarë ka këtu?

Ajo pretendon se ju ka ndihmuar…

Punë e madhe se më ka ndihmuar e pastaj…

Por pretendon që pikërisht në shenjë mirënjohje për këtë ndihmë ma ka dhuruar dorëshkrimin e “Dimrit”…

Ajo pretendon. Jo unë ta vërtetoj…

Ajo pretendon këtë thashë edhe unë…

Ajo është idiote, është injorante, nuk kupton që nuk ka dhurim dorëshkrimesh, në botë nuk ekziston një gjë e tillë; vetëm në fantazinë e saj të sëmurë. Nuk ka dhurim dorëshkrimesh, asnjë shkrimtar nuk dhuron dorëshkrimet. Nuk është ky zakon botëror, nuk njihet.

Nga Nexhmije Hoxha dhe nga avokati në gjyq pretendohet që prej vitesh nuk e ka kërkuar?

Ishte komunizëm. Le njëherë që nuk jam kujtuar fare. Se nuk ishte problem. Ishte në Arkiv. Punë e madhe, çfarë të keqe kishte… Që ajo e ka çuar në shtëpinë e saj, e kam marrë vesh pasi ra komunizmi. I jam drejtuar Arkivit të Shtetit, i kam pyetur ku është Arkivi i Partisë. Është tek ne, – më thanë. Do më jepni dorëshkrimin ose ta bisedojmë si ta bëjmë… Kur papritur pas tre ditësh më thonë nuk ekziston dorëshkrimi, nuk është. Pastaj bëjnë kërkime, del se e ka në shtëpinë e vet Nexhmije Hoxha. Ju mund të pyesni Shaban Sinanin, ish-drejtorin e Arkivit. I jam drejtuar për të marrë dorëshkrimin nga Arkivi i Shtetit. E çdo me thënë kjo: pse nuk e kam kërkuar? E kërkova kur m’u desh, çfarë ka këtu…

Në gjyq u tha edhe që fakti që nuk e keni kërkuar për kaq shumë vite me radhë…

Dëgjo… Është shumë e vështirë të diskutosh në mbretërinë e idiotëve. Kjo është logjikë prej idiotësh. Ai është dorëshkrim dhe i takon shkrimtarit. Ajo nuk e vërteton dot kurrë që e ka marrë dhuratë. Nuk ka asnjë radhë, asnjë dedikim, asnjë gjë. Është vetëm fjala e saj. Fjala e një krimineleje kundër fjalës së një shkrimtari.