Kadare: Jemi pjesë e Europës, na kanë përndjekur si hebrenjtë, për të na nxjerrë jashtë saj

0
56

Shekulli, 03.09.2013

Ismail Kadare është vlerësuar dje në Prishtinë me çmimin ndërkombëtar “Ali Podrimja”. Në ceremoninë e drejtuar nga Adi Krasta, për të nderuar shkrimtarin morën pjesë, presidentja Atifete Jahjaga, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, Ramush Haradinaj, Albin Kurti etj. Vetë showmeni Krasta, bëri me dije se së bashku me studentët e tij në Prishtinë i kanë dërguar një letër “kërcënuese” Akademisë së Çmimeve Nobel, duke i kërkuar asaj t’i japë çmimin e madh Kadaresë.

“Kjo, nuk ka ndodhur në Shqipëri… Shqipëria është vend i mirë, por i vështirë”. Nga ana tjetër, shkrimtari në fjalën e mbajtur me këtë rast falënderoi për vlerësimin e bërë, dhe solli në vëmendje miqësinë me Ali Podrimjen, duke e konsideruar atë si një ndër poetët më të mirë të kombit shqiptar. “Ky gëzim vjen së bashku me një hidhërim. Unë po e marr këtë çmim, sepse miku im i mirë Podrimja vdiq.

Do doja që të mos e merrja, që ai të ishte gjallë”, – tha dje, Kadare. Më tej, i pyetur nga Krasta se çfarë është për të Kosova, shkrimtari i madh u shpreh: “Nuk ka një përgjigje të saktë për këtë pyetje. Ajo është pjesë e natyrshme e kombit shqiptar. Na është bërë shpesh zakon të themi se jemi popull i pafat, por unë mendoj se kemi pasur telashe e drama, por nuk kemi fat të hidhur. Ka shumë kombe që nuk janë më, e ne jemi”.

Shkrimtari tregoi se e ka diskutuar shpesh me dy miqtë e tij që s’janë më, Azem Shkrelin e Ali Podrimjen, për marrëdhënien e letërsisë me shtetin. “Kemi arritur në përfundimin se letërsia nuk i rregullon punët e shtetit, as të partive politike. Popujt kanë nevojë për letërsinë, por ajo nuk duhet përzier në punët e shtetit. Ka pasur raste që ajo ka ndërhyrë në punët e kombit, por kjo ka qenë e nevojshme, si në Rilindje bie fjala”, – tha shkrimtari.

Nga ana tjetër, ai ceku dhe njëherë çështjen e raportit të Shqipërisë me BE-në. “Janë përpjekur të thonë njerëz të zgjuar por të rrezikshëm se kombi shqiptar ka probleme me Europën. Janë përpjekur ta nxjerrin Shqipërinë nga Europa, ta përndjekin, jo aq sa hebrenjtë, por i ngjan asaj. Më duken absurde këto diskutime – ne jemi pjesë e Europës”, – tha Kadare. Shkrimtari shtoi se të diskutuarit nëse kombi ynë është pjesë e Europës, është absurd.

“Ka pasur shpërngulje e dëbime të shqiptarëve, siç qe edhe ajo e para 14 viteve, kur u tentua që gjysmën e kombit tonë ta shpërngulin”, – tha ai, duke nënkuptuar luftën e Kosovës. Në fund të fjalës së vet, Kadare shtoi se kultura dhe letërsia kanë detyrën të ndihmojnë në sqarimin e këtij keqkuptimi (kombi shqiptar, pjesë e Europës). Nuk është luks të jesh europian. /Koha Ditore/