Shekulli Online, 12.05.2011
Një artikull i datës 9 maj 2011 (tri ditë më parë) i prestigjozes franceze Le Monde, zbulon mes të tjerash një telegram deri më tani të panjohur të Wikileaks. Ky kabllogram është nisur nga ish-ambasadori Uithers në drejtim të Uashingtonit, 17 ditë para zgjedhjeve të 29 qershorit, të cilat pasuan krizën 2-vjeçare që kulmoi me vrasjen e 4 qytetarëve shqiptarë nga Garda e Republikës në 21 janar të këtij viti.
Gazetari Piotr Smolar përshkruan situatën politike në Shqipëri dhe në paragrafin e fundit të pjesës së parë, duke përshkruar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara citon kabllogramin në fjalë. Në artikull thuhet:
“…Shqipëria është një aleat pa rezerva i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Uashingtoni e njeh mirë realitetin politik të këtij vendi. Në 12 qershor 2009, bash në vigjilje të zgjedhjeve legjislative në Shqipëri, ambasadori amerikan Xhon Uidhers, prezantonte metodat e trukimit të zgjedhjeve në një kabllogram të nxjerrë në dritë nga Wikileaks.
Ai theksonte që “përhapja e blerjes së votës, ryshfetet për anëtarët e komisioneve zgjedhore, fletët elektorale të falsifikuara, intimidimi i zgjedhësve deri edhe dhuna, – kanë shenjuar zgjedhjet paraardhëse. Kabllogrami në fjalë e përshkruante Sali Berishën si ‘trurin e trukimit’ (original: “tete pensante”) të zgjedhjeve të 1996-s. E megjithatë, pikërisht ky i mësipërmi, arriti të ruante favoret e perëndimorëve “në emër të stabilitetit”…”
Pjesa e mësipërme e artikullit është vetëm një nga citimet interesante të tij. Autori ka qenë në Tiranë një ditë para zgjedhjeve të 9 majit dhe flet gjatë për 21 janarin dhe për tonin që kjo ngjarje e rëndë i dha fushatës së zgjedhjeve lokale në Shqipëri.
“Në Shqipëri, jeta politike e tendosur dhe e ngrirë gjymton ecjen drejt Europës” – është titulli i artikullit ndërsa në nëntitull prestigjiozja franceze shkruan: “Vdekja e katër manifestuesve në Tiranë në janar ka helmuar fushatën për njësitë lokale”.
Artikulli hapet me përshkrimin e një takimi elektoral në Durrës: “..Kur hap krahët Edi Rama, shefi i Partisë Socialiste Shqiptare, mbush gjithë skenën. Gjiganti me mjekrën e sterpikur me thinja po del në paraqitjen e gjashtë publike brenda këtij katër maji, ndërsa mban një fjalim në qytetin bregdetar të Durrësit. Palma, shatërvane, tinguj dehës, grushti me trëndafil nëpër pankarta: s’mungon asgjë për kamerat. Tirana, kryeqyteti shqiptar, ku Z. Rama është kryebashkiak, është vetëm 40 km larg. Ai po bën thirrje për t’u mobilizuar kundër Partisë Demokratike të kryeministrit Sali Berisha, gjatë zgjedhjeve lokale të 8 majit, që janë një test me shumë vlerë. Sipas socialistëve shefi i qeverisë i ka duart e përgjakura: me gjakun e katër vetave të vrarë nga forcat e rendit gjatë një manifestimi të opozitës në 21 janar…” – thotë autori në paragrafin e parë.
Më pas autori shkruan:
“..Shqipëria thuajse nuk bie më në sy në radarin europian të krizave, në këtë situatë të trazuar prej revolucioneve arabe… Veç të tjerave, ky vend s’ka hallet që kanë fqinjët e tjerë ballkanikë..”
Artikulli citon më pas ministrin Genc Pollo të cilin autori e ka takuar në zyrë. Kur gazetari i Le Monde i ka drejtuar Pollos një pyetje rreth vrasjeve të Gardës në 21 janar, Sipas gazetës, Pollo ka dhënë këtë përgjigje cinike: “Nëse një turmë e tërbuar do sulmonte Elizenë apo Shtëpinë e Bardhë, si do reagonin policët dhe gardistët?” (?!).
Gazetari francez ka takuar më pas një protestues të 21 janarit, të quajtur Deni Sanxhaku. Me sa duket qeveritari i Tiranës i ka folur atij për një “turmë bolshevike”. Gazetari e nis përshkrimin e personazhit me fjalët:
“Deni Sanxhaku nuk ka asgjë prej bolshevikeje. Ajo është një 22 vjeçare e revoltuar kundër pabarazisë sociale, studente në Fakultetin Ekonomik dega Financë në Tiranë. Në 21 janar ajo ishte në rrugë mes manifestuesve, duke u përballur me gazin lotë sjellës dhe dhunën dhe më pas mësoi për viktimat nga televizoni. “Nuk kishim ndërmend konfrontimin.. Ajo protestë ish thjesht pasojë e një papunësie, korrupsioni dhe varfërie që nuk ka të mbaruar..”.
Me këto fjalë mbyllet artikulli i Le Monde, i cili mund të lexohet i plotë në faqen 9 të numrit të datës 9 maj me titullin “En Albanie, la vie politique, tendue et figee, handicape la marche vers l’Europe”.
4 gazetat e preferuara të Wikileaks, nga më e vjetra në Europë, deri te më e lexuara në SHBA
Katër ishin gazetat me tirazhin më të madh në Europë e SHBA të cilat u përzgjodhën nga Asange i Wikileaks për të qenë shpërndarëset e informacionit: Prestigjiozja Le Monde në Francë, El Pais, më e lexuara e më popullorja në Spanjë dhe më e njohura në vendet latine përtej Europës, Der Spiegel e përjavshme që ka shkaktuar dorëheqje të panumërta ministrash në Gjermani, (shkaktarja e skandalit të ish ministrit të mbrojtjes në ish Gjermaninë perëndimore të viteve 60-të), elitarja The Guardian në Britaninë e Madhe, e cila nga ana e saj, e ndante informacionin me median ideologjikisht të majtë në SHBA, The New York Times që preferon historikisht demokratët dhe kundërshton republikanët. Këto gazeta ishin të vetmet të cilat morën të gjitha kabllogramat e Wikileaks në marrëveshje me Julian Asange dhe nisën botimin e tyre disa muaj më parë.







