Kabllogramet, Lubonja dhe të tjerët…

0
41

Nga Mimoza Dervishi

Raportimet e Ambasadës Amerikane në Tiranë rreth çështjeve shqiptare, ashtu troç, politikisht jo korrekt, shpesh bazuar mbi gosip, hamendje, por dhe qëndrime të konkluduara në fund, më tepër se habi apo zbulim i diçkaje të re, kanë një vlerë të rrallë dhe janë një mësim i madh për median shqiptare, sidomos pjesën e analizës, e sidomos tani në prag të sezonit të ri, ku shumë shqiptarë janë të neveritur me stilin alla diplomatik, krejt të panevojshëm nga ajo pjesë e mbetur gjallë e medias, që nuk e ka as detyrim të jetë e rrumbullakosur…

Që amerikanët dhe ndërkombëtarët në përgjithësi, u duhet të flasin dhe të jenë politikisht korrekt në deklaratat publike, kjo është një gjë që dihet, por shpesh në situata, ku s’ka nevojë për s’përdredhje fjalësh apo gjuhën e gurit, shumë prej nesh kane dashur që ata të ishin troç, që mos linin vend për interpretime partiake sipas qefit, sidomos në një vend ku pala në pushtet që bën të zezën te bardhë, se ka për gjë ta bëjë grinë, blu.

Ja pra, erdhi dita kur mund të marrim vesh në të vërtetë se cili është mendimi bruto, pas deklaratave pa ngjyrë të mbushura thjesht me rregulla elementare demokracie. Amerikanët mendojnë se Berisha është dhe mbetet një ish komunist, se qeveria i ka bërë presion administratës për zgjedhjet, se Berisha i ka vjedhur zgjedhjet, se qeveria mbështet dhe i hap rrugën bisneseve të korruptuara pranë saj, se rruga e kombit është thjesht, dëmi i kombit, se Pango është një gjahtar seksual i neveritshëm, dhe se në fund të fundit, Shqipëria është vendi i Pangove, që nuk ikin njëherë e mirë me turp, po kthehen sërish në politikë, sikur mos kishte ndodhur asgjë.

Ah po, amerikanët mendojnë se fjalimet e Ramës jane tek tuk populiste dhe se me FRESH-in ndoshta nuk bëri punën e duhur. Dhe, pavarësisht se ata pyesin shumë, konkluzionet nuk i kanë ngritur mbi spiunllëqet apo ankesat e tipit Islami, as mbi “pavarësinë” e tipit Lubonja.

Kthehemi pas pak tek ky tipi i fundit i “paanshmërisë”, sepse në fakt ky është qëllimi i këtij shkrimi, në prag të kakarisjes se re anal(litik)e shqiptare.

Por, për një moment, bazuar në çfarë kemi në dorë deri tani, ne mund t’ja lejojmë vetes të fantazojmë edhe kabllograme të freskëta, të kohëve të fundit, pas 14 majit, 22 majit, pas ditës kur Luli shkoi në Bashki dhe një dele e gjorë u ther aty pari. Pak a shumë këto kabllograme shkojnë si vijon: “Arvizu: i vodhën, i vodhën, i vodhën zgjedhjet, i pashë me sytë e mi. Jam pa fjalë, ky vend nuk bëhet. Unë madje piva dhe birra me Lulzim Bashën, dukeshim si BFF (best friends forever), po unë nuk e bëra ta inkurajoja të vidhte zgjedhjet në tavolinë, por që të shihja nga afër kush është Luli në të vërtetë”.

Fantazia mund të vazhdojë pa fund, por ne tani e kemi të qartë se cfarë fshihet pas qëndrimeve as mish as peshk, edhe ky edhe ai, as-as, por- por. Gjithashtu duke perifrazuar kolegun Baze e kemi të qartë se kujt medie i referohen raportet e huaja dhe sa inegzistente jaëe mediat proqeveritare, që tashmë janë shtuar lumë. Imagjinoni, kur edhe analistët kanë kohë që kanë përqafuar pikërisht këtë rrymë, të “asnjanjësisë”, të fajit mbi gjithkënd, të shenjës së barazisë, sa goditje e tmerrshme është të shohin e dëgjojnë se bota di të flasë drejtpërdrejtë, s’ka rëndësi se në raporte sekrete, e rëndësishme është, se bota di të mendojë drejtpërdrejtë dhe jo në mënyrë të tredhur.

Nuk e mbaj mend egzaktësisht, se pjellë e kujt ishte kjo shenja e barazisë mes politikanëve, dhe këtu e kam fjalën kur përfliten për korrupsion, vjedhje, mungesë morale dhe pacipëri. Sigurisht kryethemeluesi i baltosjes së të gjithëve është Berisha, por në media kjo lloj fare e keqe ka kohë që gëlon. Jam e habitur kur shoh gazetarë me integritet, që vënë shenjën e barazisë mes të korruptuarëve të llojit Berisha-Meta me Edi Ramën, pse ky i fundit ka deklaruar 3 mijë euro në llogari bankare dhe nuk ka shtëpi.

Habitem aq më shumë që pikërisht ca nga këta gazetarë, janë akuzuar turpërisht nga media e pushtetit apo politikanë në pushtet po për punë shtëpie, që unë as i kam besuar kurrë dhe as kam ndërmend ti besoj, se i njoh këta njerëz sesi jetojnë dhe si e sigurojnë bukën e fëmijëve. Ashtu sikur më ka rënë rasti që të takoj dhe shoh se ku jeton vëllai i të “korruptuarit” të madh Edi Rama.

Jeton në një shtëpi të thjeshtë si mijëra emigrantë në Amerikë, që me mund dhe djersë ndërtojnë jetën e tyre, ka një makinë të thjeshtë dhe shkon cdo ditë në punë, dhe është shumë larg luksit të shfrenuar që mendja ta do duhet të kishte i vetmi vëlla i kryetarit të opozitës, (me standardet dhe logjikën e Shqipërisë). Ose më saktë larg luksit ku jetojnë të korruptuarit e Shqipërisë nga Gjiri i Lalzit deri në bregdetin e Vlorës, që po rrënohet nga familja e Bashës. Këto janë gjëra që i kam parë me sytë e mi. Për ata që duan të investigojnë më shumë, le ta bëjnë, nuk i ka penguar kush.

Ashtu sikur do ishte shumë më e ndershme të zbulonin shtëpitë apo korrupsionin e Ramës para se të hamendsonin se meqë kjo është Shqipëria, askush nuk është ndryshe. Në kohën kur harxhohen miliona euro, nga xhepat e shqiptarëve për propagandë qeveritare në televizonet e pushtetit, imagjinoni sa e lehtë do të ishte një investigim mbi pasuritë e kryetarit të opozitës. Dhe këtë mund ta bëjë gjithësecili, edhe jashtë pushtetit.

Por le të kthehemi tek stili i Lubonjës dhe “asnjanjësia” në modë, (jeni të lirë ta quani hipokrizi), dhe që është kaq atraktuese për një grup gazetarësh. Mendoj se një pjesë e bëjnë, se janë të frikësuar dhe kanë gjetur mesin e artë, të tjerë thjesht se duan ti ngjajnë Lubonjës, se ose u duket i ndershëm dhe i drejtë, ose thjesht e kane idhull dhe në këtë pikën e fundit, s’kemi çu bëjmë.

Më kujtohet një emision i shpifur në TV Klan vitin që shkoi, kur u vunë përballë media me botuesit. Dhe shpifësia më e madhe ndodhi, pikërisht kur Lubonja duke qëndruar si pulë përballë pronarit të tij Frangaj, për të qenë në rregull me linjën e tij, se botuesit janë të korruptuar, gjeti pikërisht si etalon Nikolle Lesin. Ai tha se Nikolla e përdorte gazetën për të ngritur traun e doganave. Paturpësi më të madhe se kjo nuk ka? Nikolla u mbrojt vetë, ashtu sic u mbrojt, dhe nervozizmi i tij ishte mëse i justifikueshëm. Pse??? Sepse majfton të kujtojmë se “Koha Jonë”, ajo e atëhershmja, jo kjo e sotmja që nuk përmbush kriteret as për letër higjenike, ishte gazeta që kontribuoi më shumë se asgjë tjetër, për të majtën shqiptare dhe ardhjen e Nanos në pushtet.

Nëse botuesi Lesi, do dinte si të ngrinte trarë doganash, do ishte ai sot në karrigen e Frangajt, me bisnese, prona, tendera, reklama qeveritare. Por faktet janë se ai u bë kundërshtari i Nanos menjëherë pas traumës kolektive të 1997-ës. Ka plot për të thënë, të mira dhe të këqija mbi Nikollën, si për të gjithë ne, por ta përdoresh atë si shembull të korrupsionit mediatik këtë vetëm Lubonja mund ta bëjë.

Fill pasi Nikolla u largua nga emsioni, Lubonja u shpreh, se ai nuk ka fakte por e merr me mend një gjë të tillë. Dhe nervozizmi i Lubonjës ndaj botuesit Lesi kishte lidhje me faktin, se kur Lubonja kishte qenë kryetar bordi i “Koha Jonë” ato kohë, Nikolla s’para ja merrte dorën shumë.
Më lini tju tregoj një episod të vërtetë nga kreytarlliku i Lubonjës tek “Koha Jonë”.

Ishte viti 1998 dhe unë isha redaktore e dy faqeve që i kishim titulluar “Ndryshe”, ku përfshiheshin komente, analiza dhe raportime, madje dhe një rubrikeë shpotitëse. Kisha qenë redaktore e faqeve të kulturës për një kohë të gjatë dhe sigurisht, nuk harroja ti kushtoja vend problemeve që lidheshin me kulturën në vend. Në një shkrim të radhës, bazuar në informacionin që kisha nga burime të sakta, kisha shkruar sesi 10 milion lireta të akorduara nga qeveria italiane për Radio-Televizionin Shqiptar, ishin shpërdoruar nga drejtuesit e institucionit. Flisja aty edhe për mënyrën sesi kengëtarët hynin në festival, shumica duke paguar harac tek drejtuesit e festivalit, ndaj dhe niveli i atij lloj eventi është ai që është, edhe sot e kësaj dite.

Kryetari i bordit të Koha Jonë, pa më pyetur fare se nga i kisha informacionet apo detaje të tjera të nevojshme, i ndjerë në detyrën e padronit që mund të shkruante c’të donte, shkruan një artikull dy ditë më pas, kur kritikon shkrimin tim dhe mua, me thelbin se nuk kisha pse merresha me peshqit e vegjël kur peshqit e mëdhenj po bënin kërdinë.

Shokimi im personal ishte, sesi mund të logjikohej kështu nga një njeri i tillë, luftëtar i lirisë dhe i antikorrupsionit. Besoj të gjithë biem dakord se nuk ka të koprruptuar të vegjël dhe të mëdhenj, por ka të korruptuar dhe të ndershëm. Qysh atëherë e deri më tani, nuk e kam parë këtë njeri të denoncojë ndonjë peshk te madh, për të vegjlit as që po i vëmë faj se ka tjëtër filozofi. Denoncimet e tij mbeten gjithmone hipotetike, të llojit të thashethemeve dhe të përlyerjes së të gjithëve. Ashtu sikur nuk e kemi parë të marrë përgjegjësi apo të ngrejë nodnjë aksion personal ndaj fenomeneve që i ka për zemër. Por peshku më i madh gjithmonë dhe kurdoherë për të, mbetet Rama.

Gjithmone kam menduar se vreri i tij ndaj Ramës është thjesht personal, ashtu sic është dhe ndaj Kadaresë. Gabimi i tyre ndaj Lubonjës, është thjesht se janë dy njerëz më të famshëm, më të bujshëm se ai. Më vjen keq që nuk është kuptuar nga të gjithë, se kamuflimi që i bën inateve personale dhe përfitimeve personale, merret për asnjanjësi dhe është shtrire si farë e keqe ngado në median shqiptare, duke baltosur cdo politikan apo cdo njeri që ka synime në politike.

Kam parë me trishtim sesi ky njeri dhe të tjerë, përdridheshin për viktimat e 21 janarit duke pritur që fjalen ta thoshte prokuroria, kur në sytë e gjithë botës, u panë plumbat e gardës që rrëzonin shqiptarëe të pafajshëm e të papunë në mes të sheshit. Kam parë sesi gjoja kërkonte të dinte programin e Bashës për Tiranën, që më pas të ndante mendjen të vendoste, nëse do duhej ta votonte apo jo.

Vjedhja kolosale e rrugës së kombit dhe dosja e Bashës në Prokurori, apo urdhri për të vrarë njerëz në bulevard, nuk ishin mjaft për ta bërë një njeri të ndershëm sic pretendon se është, të ndajë mendjen për kë të japë votën. Patsaj pashë dhe një shkrim për të larë gojën, rreth zhgënjimit të parë të Lubonjës nga Basha, pse ky i fundit do na prishte piramidën. Aty filloi dhe Lubonja ta kuptojë, se kush ishte Luli në të vërtetë.

Më vjen keq kur shoh që ambasadat na ju drejtokan këtij njeriu edhe për lirinë e shtypit, pavarësisht se në fund ata kanë qëndrimin e tyre. E pakta gjë që mund të bënte vetë Lubonja për shtypin e ndershëm dhe të lirë, do ishte të shkruante dhe komentonte në një gazetë të ndershme apo Televion joqeveritar. Sot e gjithë ditën ai shkruan ne gazetën e Metës dhe analizon ne Televizonin e Berishës, të cilët në fakt as që kanë nevojë për rritje audience dhe lexuesi, sepse kanë boll para për të propaganduar pushtetin.

Ashtu sikur me ka ardhur keq që edhe shtypi i huaj kur vjen në Tiranë, citon pikërisht atë dhe asnjanjësinë e tij. Sepse pikërisht ajo lloj “asnjanjësie” është hipokrite dhe e pavërtetë, por mjaftueshëm të frikësojë njerëzit të bëjnë gjënë e duhur, mjaftueshëm për të parë me dyshim luftën e opozitës për votën e lirë.

Se si erdhëm deri këtu, është një histori që dihet, por shpresoj që në sezonin e ri, gjërat të ndryshojnë dhe gazetarët që nuk kanë frikë të shumohen. Kabllogramet janë një mësim i mirë edhe gazetarie, le të shërbejnë si manuale, për atë që media, në shumicë harroi ta bënte vitin që shkoi. Eshtë koha që shqiptarët të fillojnë të dënojnë ata për të cilët ka fakte dhe prova që kanë ushtruar pushtetin për të vjedhur qyatetarët apo voitën, dhe pastaj të analizojnë hamendësitë se kush mund vjedhi në të ardhmen. Arsyeja pse sot Shqipëria vazhdon vidhet dhe vritet, është pikërisht mungesa e dënimit të vjedhësve dhe grabitësve të parë, të cilët janë aktualisht dhe të fundit.

Dhe në mbyllje, kabllogramin i fundit imagjinar, datuar me 30 Gusht 2011: Ambasada Amrikane: Titulli: Kanë rrjedhur të gjithë, edhe pleqtë e politikës. Godo sapo dha idenë se Berisha duhet të jetë president dhe Basha kryeministër. Mesa duket ai mendon se këta njerëz, nuk paskan aq pushtet sa duhet. Ndoshta pas një jave do ti jepet titulli Honoris Causa Doctor …”